Treshja tropojane

Nga Bedri Islami

Më bëri përshtypje një fakt, ndoshta i rastësishëm, por çuditërisht jashtëzakonisht intrigues:

Tre prokurorë janë në ndjekje të rastit “Tahiri”.

Besim Hardarmataj, Elisabeta Ymeraj dhe Gentian Osmani janë të tre nga Tropoja.

Të jetë rastësi?

Vështirë të besohet!

Njëri prej tyre, Besim Hajdarmataj, prokurori që ka mbyllur pa autor të gjitha vrasjet e bujshme të Tropojës dhe kusheri i ish-kryeministrit Berisha, me një shpejtësi të pazakontë, në dy ditë mbylli një dosje hetimore, ndaj një të dyshuari, bazuar nga një material i dërguar nga shteti italian, por në të cilin, i dyshuari, Saimir Tahiri, nuk është nën hetim.

Mendohet dhe shumë janë të bindur se ky prokuror është pikërisht ai që më parë se shefin e tij, lajmëron ish-kryeiministrin se çfarë po ndodh. Siç ishte rasti i fundit, pak ditë më parë, gjatë të cilit, ende pa përfunduar aksioni, zoti Berisha publikoi videon e prokurorisë, dhe, po ashtu, çuditërisht ose jo çuditërisht, askush nuk heton këtë dalje të sekretit.

Pas daljes së sekretit, të dyshuarit nën hetim, Habilajt e të tjerë, gjetën rastin t’ia mbathin.

Kur një treshe prokurorësh, nga i njëjti rreth, që ka lidhje drejtpërdrejtë me një ish-shef qeverie, deklaron që në fillim se akuza e tyre nuk është ngritur mbi një bazë politike, atëherë, e përkthyer, kjo do të thotë se kemi ardhur këtu pikërisht në emër të politikës.

Një lojë e rëndë ka filluar.

Nuk e di nëse është apo jo fajtor Saimir Tahiri. Edhe publikisht, përmes shkrimeve të botuara, por edhe në rrugë të tjera, kam bërë të njohura disa rrëshqitje në politikën e tij si ministër i Brendshëm.

Edhe DITA ka pasur disa kohë më parë disa artikuj të rreptë ndaj këtyre rrëshqitjeve.

Por, nuk jam unë e as të tjerë si unë, jashtë e brenda botës mediatike, që mund ta gjykojmë.

Nëse do të ketë një drejtësi të saktë, atëherë, ajo do e ketë verdiktin e saj.

Nëse e gjen fajtor dhe e saktëson këtë, le të marrë dënimin më të rreptë se çdo kush tjetër, pasi, veç përfshirjes në një grup të organizuar kriminal, nëse kështu ka ndodhur, ai ka përlyer edhe shtetin, ku ka qenë pjesë e një kabineti qeveritar. Më shumë po bëhet një lojë e rëndë e politikës denigruese dhe e dëshirës për kthim në pushtet, edhe duke shkelur mbi të vërtetën.

Hapi i parë, dosja nuk duhet të jetë pronë e tre prokurorëve me lidhje tek njëri-tjetri. Treshja tropojane e prokurorëve jep shenja të ndërthurjes së politikës, edhe nëse nuk është ashtu. Qëndrimi i tyre në Këshillin e mandateve ishte cinik, uzurpues ndaj së vërtetës dhe dukeshin si një shtojcë e pjesës opozitare të Këshillit.

Së dyti, provat duhet të jenë të qarta, të sakta, të njohura dhe aspak kapriçioze, si ato që bëjnë fjalë për kalimin e kufirit katër herë, kur sipas sistemit përkatës, Tahiri ka kaluar me familjen e tij, pesë pjesëtarët e saj kanë qenë sëbashku. Prokuroria që filloi tërheqjen nga kjo pikë themelore e akuzës, duke u ngutur për të përmbushur një mision politik, po i bën dëmin më të madh imazhit të një vendi.

Loja do të bëhet edhe më e rëndë në ditët në vazhdim.

Synimi për të rrëzuar këtë qeveri, që vërtet ka shumë mëkate, ka të bëjë me dy gjëra themelore: rikthimin në pushtet të atyre që ishin antidrejtësi e antishtet, dhe kalimin e Vetingut sipas pikëpamjes së tyre politike për të.

Struktura të rëndësishme janë futur në lojë.

Prokuroria dhe SHIK i kanë shpallur luftë Policisë së Shtetit.

Prokuroria që njeh për zot ish-shefin e qeverisë dhe që nuk ka lidhje me shefin aktual.

Dikur Nishani, ditën që u bë president, mblodhi “institucionet e tij” dhe u dha urdhrin që, së bashku, t’i rezistonin pushtetit.

Kush e jep këtë urdhër tashmë!

Tahiri shpalli armiqësinë me Ilir Metën, por ai është bërë president edhe me votën e tij!

Si i votokan kaq lehtë “armiqtë”!

Nuk më vjen keq për Tahirin, edhe nëse është i gjithi fajtor, edhe nëse është krejt pak fajtor.

E dëgjova në një emision tek përmendte rastet kur figura të njohura të opozitës,që kishin probleme të mëdha me ligjin, vazhdonin të ishin ende në parlament e kudo. Doja t’i thoja: Je tepër vonë për këtë pohim.

Ata ishin aty, me ju dhe ju ishit njeriu që duhej të kishit bërë detyrën tuaj.

Nuk e bëtë. Harruat se erdhët në pushtet pikërisht për të ndëshkuar krimin, të keqen, fajin, oligarkinë financiare.

Njerëzit nuk e kanë harruar! Dhe sa më poshtë të humbasë premtimi juaj, aq më shumë bjerret besimi i njerëzve tek drejtësia.

Je i vonuar për të qenë hero, tejet i vonuar!

Nëse i keni ditur të gjitha këto, dhe u bëtë palë me heshtjen, atëherë, krejt shqip po jua them: Mirë jua bëjnë!

Jua bëfshin edhe më rëndë, me prova e pa prova, sepse dështuat në atë që kishim më të domosdoshme, në besimin ndaj jush.

(DITA)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU