Treni me simbole nacionaliste, mediat botërore dënojnë veprimin “provokues” të serbëve

Për mediet e mëdha botërore, treni me mbishkrime nacionaliste serbe i nisur drejt Kosovës ka pasur një pasojë të qartë, e ajo është përshkallëzimi i tensioneve.

“Ishte nisur drejt veriut të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve atje, por u ndalua në kufi. Lëvizje kjo që i dha udhë një acarimi dramatik të situatës mes dy ish-armiqve të luftës”, shkruan “New York Times”.

E përditshmja prestigjioze kujdeset të sqarojë se zyrtarët kosovarë e kishin kundërshtuar rrugëtimin e planifikuar të trenit, si shkelje të sovranitetit të vendit, dhe ishin zotuar të mos e linin të kalonte.

“Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç – vazhdon gazeta, – urdhëroi që ai të ndalonte në Rashkë, nën pretendimin se shqiptarët e Kosovës ishin përpjekur të minonin linjën hekurudhore”.

Vuçiç menjëherë i dha ngjyrim situatës. Ai akuzoi Kosovën se kishte planifikuar arrestimin e drejtuesit të trenit dhe të pasagjerëve. Shefi i ekzekutivit serb sheh qëllim për të shkaktuar konflikt në një territor, të cilin serbët e konsiderojnë të tyrin.

“Ne nisëm një tren, jo një tank”, ishin fjalët e tij. Por treni i mbushur me flamuj të Serbisë, skena fetare ortodokse dhe me mbishkrimet “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë të ndryshme, zor se mund të mos konsiderohej një provokim.

Presidenti Hashim Thaçi shkroi në faqen e tij në “Facebook” se Kosova e respekton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, por një tren i mbuluar nga banera nacionaliste që shkelin Kushtetutën e Kosovës, është krejtësisht i papranueshëm.

Për nxitje të tensioneve flasin dhe “Associated Press”, që thekson se hekudhura është kontrolluar e gjitha nga Policia e Kosovës, por nuk u gjet asnjë eksploziv, si dhe “BBC”-ja e “Reuters”, i cili e pohon qartë që në titull qëndrimin e tij: “Kosova bllokon hyrjen e trenit ‘provokativ’ nga Serbia”, dhe thotë se incidenti shihet si test për vendin e vogël ballkanik.tch/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU