Një ditë pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën tre të rinj në plazhin e Porto Novës në Zvërnec, Policia e Vlorës ka ngritur një patrull lëvizëse me motor për të sensibiluzuar pushuesit që të kenë kujdes dhe t’i shmangen zonave anësore ku dallgët përplasen me shkëmbinjtë.
Sot, Plazhi i Porto Novës ka qënë pothuajse i boshatisur, edhe për shkak të reshjeve të shiut, përveç disa pushuesve që kanë vijuar të pashqetësuar plazhin.
Ndërkohë banorë të fshatit Zvërnec janë shprehur për Report Tv, se plazhi i Porto Novës është një nga më të bukurit në Vlorë, por përbën rrezikshmëri për pushuesit që nuk e njohin pasi ka rryma të brendshme.
“Ka probleme, pasi ku fryn erë, deti ngrihet dhe dallgët goditen në det. Gjatë kthimit, dallgët krijojnë rryma të cilat nuk i përballojnë dot ata të cilët nuk i dinë not mirë. Aty shkojnë njerëzit ngaqë është vend i bukur”, thotë Filip Balli, banor i Zvërnecit.
Filip Balli dhe banorë të tjerë të zonës shprehen se edhe vetë kanë rrezikuar jetën, ndaj duke ditur rrezikshmërinë nuk lahen më aty.
Ata i kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse, që të vendosin tabela sinjallizuese dhe mjete detare me punonjës policie.
“Duhet vënë një tabelë. Ta vendosë bashkia ose komuna që në atë vend njerëzit të mos lahen, ata që nuk dinë not mirë, për shkak se humbasin jetë njerëzish kot fare, është një neglizhencë jashtë mase”, thotë ai.
Gjatë viteve të fundit mbi 30 persona janë mbytur në zonën e plazhit në Zvërnec, duke mos ditur se kjo zonë është e rrezikshme veçanërisht për ata që nuk dinë not.
ma.me