Eshtrat e Mid’hat Frashërit pritet të kthehen në atdhe, me iniciativë të fondacionit “Lumo Skëndo”.
Gazetari Dritan Hila shkruante se: Sot britaniket perkujtojne luften e madhe. Te gjithe mbajne nga nje lulekuqe, simbol i ketij pervjetori. Kushton 2 paund. Por e gjen gjithandej, deri ne vizoret dhe gomat e shkollave. Ne po perkujtojme kryetarin e Ballit Kombetar, organizates qe bashkepunoi me nazistet. E kuptoni diferencen dhe pse nuk behemi?
Në një intervistë për Politiko, Agron Gjekmarkaj thotë se Hila shpesh ka patur qëndrime me dobi publike, më trimëri dhe koherencë intelektuale, por tek raporti me të kaluarën komuniste ka një ngerç në gjykim, një vrazhdësi dhe stoicizëm ideologjik.
Eshtrat e Lumo Skëndos po kthehen në atdhe duke i dhënë fund një ‘mërgate’ të dyfishtë. Çfarë do të thotë kjo për kulturën shqiptare dhe për rehabilitimin e nacionalistëve?
Sistemi kulturor për nga vetë natyra e ka me detyrim të jetë i hapur, sado që politika ndikon në mbylljet e tij të përkohshme! Gjatë viteve 1944-1990, megjithëse në Shqipëri ishte i gjymtuar, përjashtues, i konceptuar idelogjikisht, ai (sistemi kulturor) në diasporë dhe Kosovë ruante natyrën e vet! Katedra e Ernest Koliqit në “La Sapienza” të Romës, ajo e At Jak Marlekajt në Bari, e At Zef Valentinit në Palermo, e Martin Camajt në Munih, studimet e Namik Resulit, Arshi Pipës në SHBA, intelektualet e redaksisë “Rilindja” dhe Universiteti i Prishtinës për fatin tonë të mirë nuk i ndaluan kurrë “reaksionarët” si Fishta, Konica, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi, Mustafa Kruja, At Anton Harapi, Camaj , Pipa duke i bërë një shërbim të madh kulturës kombëtare në rrafshin e studimeve dhe sidomos në atë etik. Shqipëria e viteve të diktaturës me disa përjashtime prodhoi shumë banalitet e propagandë! Nga shtypja e këtyre dy koncepteve u krijua intelektuali i ri, studiues, shkrimtar etj.
Mes urrejtjes, shërbesës dhe thatësirës mendore ai u bë burrë e plak, aq sa pas viteve ‘90 i mbetur pa vepër dhe pa dinjitet vendosi t’i qendrojnë së kaluarës me nostalgji i bindur se do ruajë ndoca nga vepra dhe ymri. Mbetën pa të dyje veç me mullanë e urrejtjes në zemër për të mëdhenjtë të cilët s’kishin humbur asgjë nga perversiteti i Enver Hoxhës dhe lakejve të tij në Akademi, Lidhje, Institute apo Universitet. Kësisoj u kthye edhe Mit’hat Frashëri falë një pune tejet mbresëlënëse të Uran Butkës. U kthye madhështor e frymezues si rilindas e bir i Rilindjes kombëtare, si ide e si gjak. Si shkrimtar, përkthyes, estet, imazholog, historian, etnograf e antropolog, i gjithëdijshëm, polemist e dashës i pakundshoq i vendit amë dhe bashkëkombasve të tij. Nuk u kthye për të na turpëruar në që u sollëm keq me të, as si akuzues por erdhi si model , si rrëfyes i dramave e tragjedive shqiptare, si dëshmitar i procesit kaq të vështirë të modernizimit të kombit tonë, të lidhjes se venave me kontinentin dhe vetë lirinë! Në fakt Mit’hat Frashëri nuk kishte ikur kurrë as ka nevojë të kthehet. Ai është një nga krijuesit e gjithçkaje shqiptare. Nuk mund ta dëbojë askush, nuk merr leje të kthehet.
Ka patur reagime, ndoshta të pritshme, të elementëve të ndryshëm. Gazeta Dita dhe moderatori televiziv Dritan Hila kanë shprehur mosdakordësi me këtë ‘shërbesë’ dhe me patriotizmin e Frashërit të cilin ata e kontestojnë. A përfaqësojnë ata një fryme apo një sporadikë?
Megjithëse është për t’u habitur, nuk habitem nga qëndrimet agresive ndaj Mit’hat Frashërit në përgjithësi. Dritan Hila më habit paksa sepse shpesh ka patur qëndrime me dobi publike në optikën time, më trimëri dhe koherencë intelektuale, por tek raporti me të kaluarën komuniste ka një ngerç në gjykim, një vrazhdësi dhe stoicizëm ideologjik. Mjafton të lexosh veprën e Mit’hatit dhe njohësh jetën e tij për të shmangur çdo krahasim me Esat Pashën. Mjafton të dish që qysh në kohen e lidhjes se Prizrenit, dhe vetë Ismail Qemali e patriotë të tjerë për të fituar lirinë e shikonin mundësinë në një federatë me Greqinë, përtej faktit se si na rezulton gjykimi i sotëm. Historia nuk bëhet kurrë me ndoshta e sikur. Ajo si e tillë është konsumuar.
Ajo që më ka bërë përshtypje të thellë gjithë këto vite me përjashtim të Bashkim Shehut dhe vetë Liri Belishovës, si nuk ndjeu askush vrasje ndërgjegjeje për krimet e bëra në vetë të parë ose nga etërit e gjyshërit, si nuk kërkoi kush falje qoftë edhe duke lënë një letër nën derë! Në vendin tonë ka ende krenari për Krimet dhe përligje ndaj tyre. Në të gjithë linjën komuniste ka patur katarsis. Këtu asgjë, shkretëtirë. Ngado që hedh sytë sheh botime me kujtime xhelatësh si mënyrë rehabilitimi dhe fshehje të krimit duke ndjellur harresën. Nga formati intelektual i Dritan Hilës priteshin të tilla reflektime pa ndryshuar bindjet e tij të majta. Ndoshta një ditë do të ndodhin. Po Mit’hat Frashëri duhet pritur si hero e si prijës me përshpirtje për të larë mëkatet tona ndaj këtij komb e shtet formuesi. Mirësevjen Mit’hat bej. Të kjoftë e butë e lëndina. Ndjesë për mynxyrat që të kemi hedhur mbi supe.