Erind Bejko, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë Tiranë, shpjegoi disa detaje të rëndësishme për qytetarët, lidhur me tarifat mujore që do t’u duhet të paguajnë për mirëmbajtjen e mjediseve të përbashkëta nëpër pallate, si dhe për zgjedhjet e administratorëve.
“Në rastet e pallateve, ku administrimi bëhet me marrëveshje mes banorëve, administratori i takon këtyre të fundit që ta zgjedhin. Ndërsa në rastet kur banorët caktojnë një kompani administrimi, administratorin e cakton kjo e fundit. Ka rreth 300 pallate në Tiranë ku nuk ka zgjedhje të administratorit për shkak të konflikteve mes banorëve, në këtë rast ne si bashki detyrohemi sipas ligjit të çojmë një kompani administrimi” – tha Bejko.
Lidhur me tarifat e administrimit ai sqaroi: “Tarifa e administrimit caktohet në varësi të madhësisë së pallateve, apo banesave. Qytetarët janë të informuar në disa forma: mediatike, me letër të çuar nga kryetari i bashkisë para mbledhjeve, e treta është njoftimi zyrtar nga task-forca, 10 ditë para mbledhjes së parë. Nëse dështon mbeldhja e parë, ne bëjmë lajmërim për mbledhje të dytë. Roli i bashkisë në këtë histori, është se ne dimë sot se cila është situata në 3 mijë pallate nga 4 mijë e pesëqind apo më shumë që janë në Tiranë. Te pallatet që kanë dështuar, e kanë dështuar banorët me koshiencë zgjedhjen e administratorit, sepse ata duan një perosn të jashtëm. Në këto raste, ne si bashki ndërhyjmë duke dërguar një kompani që cakton administratorin. Kostoja e pallateve të vjetra shkon deri te 400-450 lekë të reja në muaj. Ndërsa kosto e pallateve të rinj, ku ka ashensorë, atje kostoja e shkon 900, deri në 1 mijë lekë të reja në muaj. Kompanitë që do të lidhin kontratë me banorët, do t’i përmbahen këtyre mesatareve. Bëhet fjalë për kompani të licencuara administrimi pallatesh” – bëri të ditur Bejko, per Raport.tv.