‘Tifozi i shquar i Juventusit, në stadium për Ronaldon’

Udhëtimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Torino për të ndjekur ‘live’ ndeshjen e Juventusit kundër Lazio-s është pasqyruar edhe nga mediat italiane.

Ata shkruajnë se një tjetër tifoz i shquar ka zgjedhur “Allianz Stadium” këtë fundjavë për të ndjekur nga afër “yllin” portugez Cristiano Ronaldo.

“Juve, Kryeministri shqiptar në stadium për CR7-ën”,-shkruan në titullin e lajmit sportivja “Calciomercato” e cila më pas zgjatet:

“Një tjetër tifoz i shquar i shtohet grupit të Juventusit. Ardhja e Cristiano Ronaldo-s ka sjellë edhe Kryeministrin Edi Rama në “Allianz Stadium” të shtunën në mbrëmje, në takimin e fituar 2-0 kundër Lazio-s.

Pas suksesit kundër kryeqytetasve, në të cilin Ronaldo nuk ka shënuar, kryeministri ka patur rastin të takojë fenomenin portugez, si dhe të marrë një bluzë të nënshkruar nga të gjithë protagonistët bardhëezinj.”

Poshtë lajmit është edhe statusi i Ramës në rrjetin social me Ronaldon.

Gjithashtu edhe portale të tjera sportive kanë shpërndarë lajmin në fjalë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU