Thyhet tradita, sezoni turistik vijon përtej Gushtit, të huajt prenotime të shumta në Ksamil

Edhe pse muaji gusht supozohet që të jetë muaji i fundit i sezonit veror, plazhet e Ksamilit në Sarandë edhe gjatë shtatorit janë ende të mbushura me turistë vendas dhe të huaj, të cilët e kanë “të vështirë” që të largohen nga plazhet e bukura shqiptare.

Me një pamje mjaft të bukur të 3 ishujve dhe ngjyrën blu të thellë të detit, plazhi i Ksamilit ditën e sotme ka regjistruar një numër të lartë turistësh.

Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj deklaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se hotelet e zonës janë të rezervuara nga pushuesit vendas dhe të huaj të cilët mbajnë edhe numrin më të lartë të rezervimeve.

“Në Ksamil nuk ka vende të lira për të qëndruar në hotele, pasi këto të fundit janë ende të rezervuara nga të huajt. Gjatë një vizite pune që pata në këtë zonë, pashë që ndër pushuesit e huaj kishte dhe brazilianë. Është një situatë shumë pozitive përsa i përket turizmit, plazhet janë plot në zonën e Ksamilit, ku turizmi po vazhdon normalisht. Ne po punojmë që turizmin ta shtrijmë akoma edhe më shumë”, – theksoi prefekti Mamaj për ATSH-në./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU