Thimi Nika, rrëfimi për filatelinë, dashurinë e madhe të jetës së tij

Nga Leonard Veizi

Thimi Nika, ky njeri i veçantë e me shumë vlera tanimë nuk është mes nesh. Por gjithsesi ai ka lënë një pasuri të paçmuar, të cilën e koleksionoi me kujdes për vite e vite me radhë. Kjo intervistë është marrë menjëherë sapo ai botoi librin madhor të jetës së tij: “Historia e filatelisë shqiptare – 100 vjet pulla shqiptare 19130-2013”. Botimi këtë herë i kësaj interviste vjen si homazh pët të.

Së fundi ka bërë të mundur të botojë një studim voluminoz e krejt të përveçëm, nën titullin “Historia e filatelisë shqiptare – 100 vjet pulla shqiptare 19130-2013″. Në 5 maj 2013 filatelia kombëtare shqiptare mbushi 100 vjet, nga dita e krijimit të saj. Thimi Nika, një studiues e koleksionist fort i pasionuar pas pullave të postës, dhe jo vetëm, rrëfen historikun e udhëtimit shekullor të tyre nga vendimi i parë i qeverisë së Vlorës deri në emetimet e fundit të saj./Gazeta Dita/

Kur e nisët rrugën e koleksionimit të pullave?

“Parashuta” që më zbriti në fushën e bukur të filatelisë ishte im atë. Kur isha 10 vjeç, falë nxitjes së vazhdueshme të tij, por edhe pasionit e vullnetit tim, organizova në shkollën “7 Nëntori”, në lagje Mangalem të qytetit të Beratit, ku vijoja mësimet, një ekspozitë filatelike modeste, me pulla postare nga rreth 100 e ca shtete të botës. E kujtoj mirë atë ngjarje, pasi, si asnjëherë tjetër, mora shumë përgëzime nga mësuesit, shokët dhe bashkënxënësit e mi. Të habitur ata më pyesnin: “ku i ke gjetur gjithë këto pulla?” Dhe unë, jo pa mburrje, u përgjigjesha: “kam babanë filatelist. Ai më ka ndihmuar për t’i gjetur”.

“100 vjet shtet”, mund të thuhet se botimi juaj i fundit pasqyron historinë e Shqipërisë vetëm më anë të pullave?

Pullat janë nishane të shtetit, ashtu si flamuri kombëtar, stema, monedhat e kartëmonedhat. Në qoftë se bën një “rrugëtim” të gjatë nga emisioni i parë, më 5 maj 1913 dhe deri te më i fundit aktualisht, emocionet që përfton janë thuajse të njëjta me ato kur lexon tekstin e Historisë së Shqipërisë. Pulla janë pasqyrim adekuat i historisë. Ndryshimi qëndron në faktin se historia nëpërmjet pullave përvijohet përmes imazheve, kurse nëpërmjet tekstit përmes fjalës së dokumentuar.

Kur daton pulla e parë kombëtare shqiptare?

Pulla e parë kombëtare shqiptare daton më 5 maj 2013. 58 Qeveria e Vlorës ndoqi një rrugë praktike e të përshtatshme, të përligjur për kohën, për prodhimin e pullës së parë kombëtare me shpenzime fare të vogla. Me anë të një vule dore metalike, të porositur dhe të ardhur nga Korfuzi, nëpunësit e postës konkretizuan idenë e ministrit Lef Nosi, vulosën një sasi zarfesh të ngjyrave të ndryshme, që varionin “nga e bardha në gri dhe nga gria në jeshile.” Pulla vulë kishte formë rrethore. Diametri i saj ishte 38 mm. Brenda vulës, midis dy rrathëve koncentrikë, u vu mbishkrimi: “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes gjendej shqiponja dykrenare e vendosur në një shqytë. Në pullën vulë, si shkrimi dhe shqiponja ishin me ngjyrë të zezë. Secili zarf kushtonte 1 piastër ose 1 grosh (monedhë osmane), ndonëse në të nuk shkruhej gjë. U prodhuan dhe u vunë në qarkullim “pliko me vulën e Ministerit” 2.232 copë.

Sa i përfaqësuar ka qenë në filateli portreti i Ismail Qemalit, si kryeministri i parë i shtetit shqiptar?

Mund të them se gjatë gjithë periudhës nga 1913 deri në 28 nëntor 1962 nuk u emetua asnjë pullë me portretin e I. Qemalit. Viti 1962, viti i 50-vjetorit te shpalljes, u përkujtua me një emision me tri pulla, në dy versione: të dhëmbëzuara dhe të padhëmbëzuara. Pas këtij viti, në përvjetorë të tjerë të Pavarësisë, është vënë shpesh portreti i Ismail Qemalit, herë drejtpërdrejt si foto ose pikturë, herë si vepër arti në gjini të tjera, kryesisht në skulpturë.

Periudha 6-mujore e princ Vidit, si u pasqyrua në filateli?

Princ Vidi u prit në Durrës më 7 mars 1914 edhe me një eveniment filatelik. Mbi pullat e emisionit të gjashtë të Qeverisë së Ismail Qemalit u mbishtyp në dy radhë teksti “7 Mars, 1467 RROFTË MBRETI 1914”, duke përftuar kësisoj një emision të ri pullash. Duket qartë një përpjekje për të bërë një paralelizëm dhe për të lidhur dy epoka: atë të Skënderbeut në shek. XV me atë të mbretërimit të Princ Vidit. Nuk munguan edhe përpjekjet për të nxjerrë një seri pullash me portretin e Princ Vidit. Në historinë e filatelisë shqiptare ka dhe një fakt tjetër shumë interesant, ndoshta unikal, lidhur me mbërritjen e princ Vidit në Shqipëri: prodhimi i 50 zarfeve me seri të plota të emisionit me portretin e Skënderbeut të 1 dhjetorit 1913, të anuluara “me vulë ari”, një term që ka hyrë në fjalorin e filatelistëve shqiptarë. Krahas zarfeve, u prodhuan edhe një numër i kufizuar kartëpostaresh. Këto zarfe dhe kartëpostare mbajnë datën 7 mars 1914. U prodhuan në Shkodër, në kohën kur drejtor i Postës në këtë qytet ishte Sadik Tirana, për të evokuar ditën e mbërritjes së princ Vidit. Për të vijuar shërbimin postar, ishte menduar me kohë për një emision tjetër, për të zëvendësuar atë të 7 marsit 1914. Qysh në muajin shkurt, vetëm pak ditë pasi u vendos që në Shqipëri do të vinte princ Vidi, u hodh ideja e emetimit të një serie pullash me portretin e tij. Ky emision u porosit për t’u prodhuar në Vjenë, ku me sa duket u shtyp falas nga qeveria austriake. Autorë të bocetit të pullave ishin modeluesi Gurshner dhe gdhendësi i mirënjohur Shirnbok (autor i shumë emisioneve të pullave austriake). Tipar dallues i emisionit është edhe përcaktimi i vlerave të pullave në njësi monetare shqiptare: në qindarka dhe në franka. Ky emision, sigurisht i prodhuar teknikisht me nivelin më të mire se të gjitha pullat e mëparshme shqiptare, mbeti pa u vënë në qarkullim. Arsyeja ishte e thjeshtë: pullat (nga vlera 1 qintar dhe deri te 1 frank) mbërritën në Durrës shumë vonë, vetëm pak kohë para se princ Vidi të largohej përfundimisht nga Shqipëria. Në këto rrethana ishte pa kuptim vënia në përdorim e tyre.

Po periudha e mbretërimit të Ahmet Zogut?

Kjo periudhë karakterizohet në filateli nga një tematikë tejet e kufizuar. Ajo dominohet nga emisione dhe pulla të shumta me portretin e Ahmet Zogut. Duke filluar nga viti 1925, kur u prodhuan pullat e para me portretin e Zogut dhe deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, ka shumë seri pullash që i kushtohen Zogut, të emetuara sidomos me mbishtypje të ndryshme për raste e ngjarje të caktuara që lidheshin me të, që nga triumfi i Legalitetit e deri te shpallja e Mbretërisë dhe Zogut Mbret, nga përvjetori i ditëlindjes së tij e deri te martesa me hungarezen Geraldinë Aponyi etj.

Çfarë të reje solli instalimi në Shqipëri i regjimit komunist?

Siç dihet populli shqiptar, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, u rreshtua në anën e koalicionit të madh antifashist, që rezultoi fitues i kësaj lufte. Pas Çlirimit, si rrjedhojë e zbatimit me fanatizëm të ideologjisë komuniste, për gati 45 vjet, në Shqipëri u vendos dhe veproi shteti i diktaturës së proletariatit. Do të duhej të mbyllej viti 1990 që gjerat të ndryshonin, të vendosej sistemi pluralist dhe t’i çelej rruga demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Historia e Shqipërisë e viteve 1945-1990 ose, si njihet ndryshe, “e periudhës së ndërtimit socialist”, përshkohet nga një proces thelbësisht kontradiktor në të gjitha fushat e jetës. Sigurisht ajo karakterizohet edhe nga një varg ngjarjesh të rëndësishme politike, ekonomike e shoqërore si: miratimi i kushtetutës dhe shpallja e Republikës Popullore, në vitin 1946, flirtet dhe divorcet e njëpasnjëshme me jugosllavët, sovjetikët e kinezët, denoncimi dhe dalja nga Traktati i Varshavës, miratimi në vitin 1976 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, rindërtimi i vendit, industrializimi, zhvillimi i kulturës e artit, sportit etj. Të gjitha këto ngjarje, qofshin politike ose jopolitike, kanë gjetur pasqyrim të gjerë në filatelinë shqiptare të kësaj periudhe. Madje, në disa raste, ato kanë ndikuar drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt edhe në deformimin e procesit të zhvillimit të filatelisë shqiptare, në injektimin e disa dukurive negative, të cilat aktualisht, me të drejtë, i gjykojmë nga një këndvështrim kritik. Për t’i pasqyruar sa më mirë ato, kërkohet që filatelinë, nga njëra anë, ta shohim të lidhur ngushtësisht me zhvillimin e gjithë shoqërisë për tërë këtë gjysmëshekulli dhe, nga ana tjetër, të njohim realisht gjendjen dhe ecurinë e vetë filatelisë shqiptare, vendin dhe rolin e saj në jetën e përgjithshme kulturore të shoqërisë gjatë kësaj periudhe.

Sa e përfaqësuar është figura e Enver Hoxhës në pullat shqiptare?

Në qoftë se para vitit 1945, siç e theksuam edhe më herët, në filatelinë shqiptare mbizotëronte figura e mbretit Zog, tashmë shfaqet gjithkund portreti i Enver Hoxhës, i cili, për më shumë se katër dhjetëvjeçarë e gjysmë, dominoi gjithçka në Shqipëri. Duke filluar nga viti 1947 dhe deri në vitin 1985 janë rreth 20 emisione të veçanta ose jo të veçanta ku pasqyrohet Enver Hoxha. Në vitin 1949, p.sh., u emetuar seria e parë e veçantë e pullave për Enver Hoxhën, me 8 vlera të formatit 18,5×23,5 mm, me të njëjtën pamje, portretin e tij me uniformë ushtarake. Dy vjet më vonë, në vitin 1951, emisioni kushtuar 7-vjetorit të Kongresit të Përmetit, kishte katër vlera të formatit 30×35 mm, me të njëjtën pamje, portretin e Enver Hoxhës po me uniformë ushtarake dhe në sfond një grup pjesëmarrësish në kongres; në vitin 1951, emisioni me rastin e 10-vjetorit të Partisë së Punës të Shqipërisë përbëhej nga katër vlera të formatit 22×30 mm, me figurën e Enver Hoxhës dhe në sfond shtëpinë ku u formua partia; në vitin 1968, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, ka gjithashtu një emision të posaçëm me 4 vlera dhe një bllok, praktikë që është përsëritur edhe disa herë të tjera në vitet e mëvonshme, për t’u mbyllur

me emisionin e 11 prillit 1985, të përbërë nga një pullë e një bllok në përkujtim të ditës së vdekjes së tij. Pulla e fundit me portretin e Enver Hoxhës është një nga dy vlerat e serisë së emetuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, më 16 tetor 1988.

A do të zhvishej nga politizimi filatelia pas rënies së “perdes së hekurt” edhe në Shqipëri?

Për vetë mënyrën si funksiononte sistemi shtetëror totalitar në periudhën e socializmit, emisionet e pullave vuanin përgjithësisht nga politizimi dhe ideologjizimi i tejskajshëm. Ndryshimi i sistemit, kalimi nga totalitarizmi i partisë-shtet në demokraci dhe pluripartitizëm, i çeli “dritën jeshile” mënjanimit të politizimit dhe ideologjizimit të pullave. Në këtë drejtim arritjet janë vërtetë të mëdha. Por a mund të thuhet se këto dukuri janë shmangur plotësisht? Jo. Në emisione të veçanta vihen re recidiva të tyre.

Portreti i Viktor Emanuelit III në pullat shqiptare

Por si kanë vepruar shtetet pushtuese me korrespondencën postare gjatë Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore? Thimi Nika shpjegon: “Pushtimi italian i dha fund monarkisë zogiste. Që nga ajo ditë, gjithçka në Shqipëri filloi të organizohej sipas ligjeve fashiste dhe masave politike, ekonomike dhe administrative të ideuara e të fabrikuara në Romë. Dokumentacioni i kohës ka fiksuar si datë të rifillimit të shërbimit postar, pas pushtimit fashist, 9 prillin 1939. Pas 7 prillit 1939 dhe deri më 8 shtator 1943, kur Italia fashiste kapitulloi pa kushte, u emetuan rreth 8 emisione (nga të cilët njëri me pulla italiane të mbishtypura) Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 117, datë 25.05.1939, thuhet: “të përfundohet me shpejtësin ma të madhe sëpaku shtypja e pullave postare ordinere prej 15 e 20 qind dhe ajo ajrore prej 20 qind.” 386 Pulla ajrore 20 qind me portretin e Viktor Emanuelit III, në të djathtë dhe imazhin e avionit, në të majtë, është e para ku u dukën simbolet fashiste, shenjat e liktorit. Më 8 shtator 1943, Italia pranoi humbjen dhe nënshkroi kapitullimin pa kushte. Akti i kapitullimit bëri që, menjëherë pas tij, të ndërpriste veprimtarinë e saj edhe posta ushtarake italiane. Periudha e okupacionit gjerman (shtator 1943-nëntor 1944), veç të tjerave, karakterizohet dhe nga një censurë postare më e rreptë. Më 17 shtator 1943, p.sh., drejtori i përgjithshëm i PTT-së, Ndoc Naraçi, i drejtohej me një shkresë “tepër urgjente” Ministrisë së Punëve Botore, për ta vënë në dijeni se “ka pushue veprimtaria e censurimit të korrespondencës postare e telegrafike, që deri ditët e fundit kryhej nga ana e organeve ushtarake italiane”.

Emision pullash për Stalinin dhe Mao Ce Dunin

Reciprocitet edhe në emisionet e pullave. Në këtë mënyrë drejtuesit e vendeve të ish- kampit socialist janë fiksuar në pullat shqiptare, ashtu si dhe e kundërta. Duke iu referuar këtyre fakteve Thimi Nika shpjegon: “Duke shpallur si kredo të të gjithë jetës në Shqipëri ideologjinë marksiste-leniniste, edhe në filateli zunë jo pak vend ideatorët e saj, Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini. Në nenin 2 të vendimit nr. 81 të Këshillit të Ministrave, datë 19 mars 1977, thuhej se “në emisionet e pullave postare mund të trajtohen edhe tema kushtuar ngjarjeve të rëndësishme politike e shoqërore ndërkombëtare në favor të marksizëm-leninizmit dhe të diktaturës së proletariatit, si edhe vendeve miq të Shqipërisë”. Në zbatim të kësaj dispozite janë prodhuar mjaft emisione dhe pulla të shumta me portretet e tyre. Kështu, p.sh., janë 11 emisione ku pasqyrohet portreti i Marksit, 5 emisione ku del figura e Engelsit, 10 emisione me Leninin dhe 4 me Stalinin. Pra, këto figura, siç ishin të pranishme vizualisht kudo në mjediset shqiptare, u hyjnizuan edhe në filatelinë e periudhës 1945-1990. Disa emisione (5 gjithsej) i kushtohen edhe Kinës komuniste dhe udhëheqësit të saj, Mao Ce Dunit. Janë 7 pulla të koleksionit filatelik shqiptar me portretin e Mao Ce Dunit”.

Berisha në e edicionin e pullave Evropiane

Në periodizimin që i bëhet filatelisë shqiptare një vend të rëndësishëm zë edhe periudha pas vitit 1990. Në këtë kohë, siç dihet, në Shqipëri u krye kalimi nga shteti i diktaturës së proletariatit në demokracinë pluraliste. Në qoftë se Shqipëria, në vitet 1945-1990, në funksion të marrëdhënieve miqësore me shtete të tilla si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina apo vende të tjera të të ashtuquajturit “kamp socialist”, emetonte emisione të posaçme për to, siç emetonin në mënyrë të ndërsjellët edhe ato për Shqipërinë, siç e theksuam në kreun “Karakteristika të filatelisë shqiptare të pasçlirimit 1945-1990”, aktualisht tematika shqiptare gjendet e pasqyruar edhe në filatelinë e organizmave të tilla ndërkombëtare ku ajo është e anëtarësuar, si, p.sh., Këshilli i Europës. Zarfi i 1-rë mban datën 06.05.1992. I kushtohet vizitës zyrtare të presidentit të Shqipërisë në atë periudhë, Sali Berisha në sesionin e 44-t të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që filloi më 4 maj 1992. Në një të tretën e zarfit është vendosur fotografia e presidentit, duke folur, më 6 maj 1992, në podiumin e këtij sesioni, kurse në pjesën tjetër është një pullë franceze me tematikë Këshillin e Evropës, anuluar me vulë të Strasburgut. Zarfi im mban numrin 33 dhe është pjesë e një tirazhi prej 300 kopjesh.

 

Leonard Veizi/ DITA

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU