“Thembra e Akcilit” për këdo që do ta njohë trashëgiminë e komunizmit

Nga Ben Andoni

Autori ka bërë një sqarim të gjatë sa i përket zhanrit të përdorur në këtë libër, që është nderuar me Çmimin e madh Kombëtar për Letërsinë 2009. I ka quajtur miniatura. Fillimisht i ka botuar ato në periodikë dhe pastaj të përmbledhura në këtë libër, duke na rrëfyer në pasthënie se gjatë rrugës ka dashur të eksperimentojë vazhdimisht. “Lënda e gjallë” e ka grishur që duke shfrytëzuar kujtesën e tij ta përcjellë emocionin e momentit, por gjithnjë me një tematikë, që atë duket se e mundon vazhdimisht. Dhe, kjo është ajo e anti-komunizmit. Në këtë botë të çorientuar, duke ndjekur logjikën e tij, është përpjekur të kuptojë subjektet, të cilat në fakt, në miniatura, si i ka quajtur në fund, duket se i sheh shumë thjesht nga Uni. Veta e parë është mbizotëruese në rrëfim dhe përcjell këtë emocion, që duket se ia zbeh disi sensi, i cili në çdo miniaturë ka një sintezë të tijën. Është shumë e këndshme, nëse do realizohej ideja që ai ka përcjellë për ta shkërbyer konceptin e shprehur nga Nabukov se “Jeta është shumë herë më e papritur dhe më e talentuar se ne”.

Miniaturat e Tufës, megjithatë, janë interesante për ta njohur peizazhin urban-rural kombëtar. Dhe, ai, personalisht shërben si një kronikan shumë i vëmendshëm, por edhe i kujdesshëm për ta dhënë të plotë perceptimin e tij. Ndodhitë e shumta, por edhe ato të treguara prej të tjerëve dhe të mbartura në këtë botim, ka mundur t’i rreshtojë me kujdes por edhe me përpjekjen e duhur të na sjellë një lloj atmosfere, që të përball realisht jo më shumë me eksperiment sesa me përballjen para trashëgimisë shpirtërore të komunizmit. Një pjese syresh, madje, të duket se ia di përfundimin pasi pikërisht tharmi i shkrimtarit se lë te befasia, por e fut në matricën letrare, kurse një pjesë janë të këndshme thjesht prej befasisë. Dhe, cili lexues beson, duke iu referuar autorit se nuk ka fill lidhës në libër, do të gabohet. Tek të gjitha është anti-komunizmi i Agron Tufës, që edhe si zyrtar i Institutit të Anti-komunizmit, i besohet ta ketë këtë mllef. Por mu ky fakt e bën t’i ndrydhet disi idea e natyrshmërisë dhe t’i largohet natyralitetit të subjektit, pasi nuk ka thyerjen e beftë të kontrapunktit. Arsyeja, sipas mendimit personal, është një dhe vetëm një: Anti-komunizmi e mban shumë të ngurtësuar dhe e bën gati njëkahësh, duke i hequr befasinë.

Nga ana tjetër, shprehja e këtij motivi, është i duhuri për një masë të madhe njerëzish, pasi në popull gjerësisht po harrohet komunizmi dhe pasojat e tij mu në kohën e një krize të madhe morale, ekonomike, sociale, ku vazhdimisht zëri i nostalgjikëve ngre krye me shumë referenca pozitive në të. Mu për këtë mbase do duheshin thyerjet e forta në libër dhe befasitë për t’i sjellë miniaturat e tij, në kahe shumë afër eseve.

Në një vështrim tjetër, duket se skicat ose miniaturat e tij, shërbejnë realisht edhe si një stacion përgatitor personal, edhe pse nuk e dimë sistemin e punës së Tufës për ndërtimin e fabulave më të mëdha apo në gjini më sipërore sa i përket madhësisë. Në ato, që ka botuar, ka treguar se ai di të bëjë eksperimente, falë kulturës, me anë të subjekteve që ka dashur të shprehë, por nga ana tjetër edhe të dijë t’i përçojë për një publik të gjerë.

Struktura e fabulave është e thjeshtë dhe pa shumë pretendime, por mbetet interesante në formën që ka zgjedhur autori, të cilat i shkojnë disi një mini-gjinie mes etydit dhe fabulës.

Autori të gjithë përballjen e quan si shock të qënies përballë realitetit, ku haset me arbitraritetin e çuditshëm. Është interesant shpjegimi dhe një lëmë, që mbase ai mund t’iu kthehet sërish, por disi i mbledhur nga temat që ka në kokë, e që shpesh e mbajnë.

Libri ka merituar Çmimin e madh Kombëtar për Letërsinë 2009 dhe është një libër interesant dhe lexohet me shumë kërshëri, por edhe që shërben ta përcjellë peizazhin human, me të cilin përballet qenia shqiptare në ditët tona…veç eksperimentit që mendon autori.

f75a15ec-bad3-407e-b857-6c9b09e972ceTitulli: Thembra e Akcilit

Autor: Agron Tufa

Gjinia: Prozë

Botues: M&B

Faqe: 207

Çmimi: 800Lek

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU