Thaçi: Pasi të bëhem President, dorëhiqem nga kreu i PDK-së

Njihet si një ndër njerëzit më të pushtetshëm në politikën kosovare, njëherit ndër më të kritikuarit nga opozita. Për dy mandate udhëhoqi me Qeverinë e Kosovës dhe në qeverisjen aktuale, pas marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së, ai pranoi të jetë zëvendës i kryeministrit Isa Mustafa në kabinetin e ri qeveritar.

Që nga fillimi u tha se do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, por vetë e zuri në gojë shumë rrallë.

Në një intervistë dhënë për KosovaPress, ai në mënyrë indirekte pranoi se në rast të marrjes së përgjegjësive të presidentit të Kosovës, do t’i duhet të lë pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, ai thotë se është i bindur se zgjedhja e presidentit nuk do të krijojë ndonjë dramë politike në vend, dhe se përzgjedhja e pasardhësit të tij në partinë të cilën e udhëheq për gati dy dekada, do të jetë në dorën e kryesisë dhe anëtarësisë së partisë.

Thaçi në mandatin e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, u kritikua shumë për pasivitet dhe mos sukses në prurjen e njohjeve të reja për vendin. Për këtë, ai thotë se nuk është në personalitetin e tij të mburret me punët që kryen, por thotë se edhe njohjet e mbi 100 shteteve për Kosovën duhet kujtuar se erdhën në kohën kur ai ishte shef i Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, për numrin dy të Qeverisë, Kosova në vitin që lamë pas ka pasur përparime. Për KosovaPress, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, tha se rritja ekonomike në vitin që shkoi ka krijuar vende të reja pune dhe Kosovës iu sollën investitorë ndërkombëtarë. Edhe pse pak janë parë investimet e huaja në Kosovë, Thaçi tha se të mira të tjera do t’i vijnë vendit gjatë vitit të ri.

Thaçi është optimist se ky vit do të sjell plot të mira për Kosovën. Forcat e Armatosura të Kosovës, fillimi i procesit për partneritet me NATO-n dhe liberalizimi i vizave, janë tri nga pikat e rëndësishme që vendi do t’i prek gjatë këtij viti, tha Thaçi.

Hashim Thaçi i tha KosovaPress-it se koalicioni qeverisës PDK-LDK, i formuar pas prishjes së bllokut opozitar VLAN, ka bërë punën më të mirë të mundshme, me gjithë vështirësitë dhe pengesat të cilat ka pasur me reformat e rëndësishme që ka zbatuar.

Ai kujtoi se është bërë shumë progres në vazhdën e betejës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftës kundër terrorizmit, progres i cili, siç tha Thaçi, edhe nga vetë sekretari amerikan, John Kerry është vlerësuar lartë, duke e cilësuar Kosovën si kampione në luftën kundër terrorizmit në rajon.

Sipas tij, vendit i duhej një qeverisje e dy partive më të mëdha që posedojnë shumicën e votave, çka tregon për stabilitet politik dhe zhvillim të vendit.

Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar, posti i Presidentit të vendit do të duhej ti takonte PDK-së, ndërkohë që zhurmës së madhe dhe ripërsëritjes së vazhdueshme të Mustafës se Thaçi do të jetë president i ardhshëm i Kosovës, vetë Hashim Thaçi nuk i përgjigjet drejtpërdrejt. Megjithatë, ai lë të kuptohet se është i vetëdijshëm që marrja e përgjegjësive presidenciale do ta detyroj të dorëhiqet nga funksionet e partisë së cilës i shërbeu për 17 vite.

“Jam i vetëdijshëm se me përgjegjësin presidenciale natyrisht se kufizohen ato angazhimet , apo ndërpriten definitivisht angazhimet partiake, por ndihem tepër mirë dhe shumë krenar që për 17 vite pothuajse e kam udhëhequr Partin Demokratike të Kosovës. Kemi shënuar gjashtë parë zgjedhje, fitore të njëpasnjëshme në tre palë zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Dua të potencoj gjithashtu se PDK është një parti e një koncepti, një filozofie dhe vlerave të njerëzve që kanë punuar bashkërisht. Kurrë nuk i ka takuar një individi dhe nuk do t`i takojë…”, tha Thaçi.

Sipas tij, PDK do të vazhdoj funksionoj si është më së miri edhe pas zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, gjatë këtij viti.

“PDK do të vazhdoj të funksionoj shumë mirë, kam besim të plotë në lidershipin e saj që do të vazhdoj të luaj rolin e vet bashkëpunues me gjithë spektrin politik kosovar duke u fokusuar në fortësimin e koalicionit aktual si dy partitë më të mëdha të qendrës së djathtë politike në Republikën e Kosovës. Prandaj, nuk pres ndryshime dhe nuk pres ndonjë dramë ne skenën politike kosovare pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës, në muajin shkurt 2016”, tha Thaçi në intervistën për KosovaPress.

Në pyetjen e KosovaPress-it se a ekziston mundësia që Kadri Veseli të jetë kryetari i ardhshëm i PDK-së, Thaçi duke potencuar angazhimin e Veselit në zbutjen dhe menaxhimin e raporteve të partive në Kuvend, ai tha se nuk është në dorën e tij që të zgjedh pasardhësin e tij në krye të partisë.

“Zotëri Veseli ka atributet, ka vlerat,ka standardet e një personaliteti udhëheqës shtetëror të Republikës së Kosovës, por unë nuk jam ai që e përcaktoj dhe e emërojë liderin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës. Ndihem jashtëzakonisht mirë dhe krenar me bashkëpunimin e shkëlqyer dhe me kryetarin e Kuvendit – Kadri Veselin”, tha kryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai kujtoj se Qeveria e Kosovë, kryeministri Mustafa, kryetari i Kuvendit, Veseli dhe presidentja Jahjaga, kanë ftuar për dialog opozitën, sepse vetëm dialogu është zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj, që sipas tij është e improvizuar nga opozita. Ai i dërgoj edhe një mesazh opozitës pak ditë para protestës së madhe të thirrur nga tri partitë opozitare./KosovaPress/

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/politike/thaci-me-tu-bere-president-e-di-se-me-duhet-ta-le-pdk-ne-60973/#sthash.TEWx7hUi.dpuf

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU