Thaçi: Partitë politike të miratojnë marrëveshjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi të mërkurën të gjitha partitët politke që të miratojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, duke folur për shtyrjen e liberalizimi të vizave për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit, Thaçi thekson se “me të drejtë jemi duke pritur vendimin për liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian është gati për këtë vendim historik për shtetin e Kosovës. Kriteri i mbetur, ai për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme”.

“Pa zbatimin e këtij kriteri, qytetarët e Kosovës, nga vetë politika kosovare, padrejtësisht po privohen nga lëvizja e lirë në zonën Schengen. Nga moszbatimi i këtij kriteri, vendimi nga Brukseli për Kosovën u shty në shtator. Nëse nuk ratifikohet tani demarkacioni, as në muajin shtator nuk do të flitet dhe as të vendoset për Kosovën. Të gjithë do të jemi humbës. Kjo çështje madhore duhet të largohet nga axhenda llogaritare e përfitimeve ditore politike. Çdo pengesë në zbatimin e këtij kriteri qytetarët e Kosovës do t’i mbajë të izoluar”, nënvizon Thaçi.

Sipas tij, demarkacioni, si kauzë, nuk ekziston.

“Për liberalizimin e vizave kanë kontribuar të gjithë: pozita, opozita, shoqëria civile, mediet. Me liberalizimin e vizave të gjithë jemi fitues. Si president i vendit, i ftoj të gjitha partitë parlamentare që kjo arritje evropiane t’i bashkojë dhe të ratifikohet marrëveshja”, përfundon Thaçi. (Java / r.a)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU