Thaçi optimist: Marrëveshja me Serbinë e vështirë, por do të arrihet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në çdo takim me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, po kuptohen vështirësitë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Ai ka thënë se mospajtimet mes tij the Vuçiqit po thellohen dhe dallimet e mëdha kanë nisur fazën e reflektimit të vazhdimit të mëtutjeshëm të dialogut.

“Gjërat po bëhen më të vështira pasi mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen edhe pse sot diskutuam vetëm me [Federica] Mogherinin dhe ato dallime të mëdha kanë ndikuar që të jemi në fazën e reflektimit të vazhdimit të mëtutjeshëm. Vështirësitë janë të mëdha, dallimet janë të thella por rrugëtimi për stabilitet nuk ka alternativë tjetër. Është konflikt më shumë se një shekullor dhe nuk mund të zgjidhen brenda ditëve javëve dhe muajve, por njerëzit meritojnë paqe dhe gjeneratat e ardhshme meritojnë që të kenë të ardhme më të sigurt”, ka thënë Thaçi.

I pyetur se përse nuk është takuar me Vuçiqin, Thaçi ka thënë se në Bruksel sot kishte takim bilateral ndërsa më vonë do të mbahen edhe takimet trelaterale.

“Nuk vlerësoj që ka ndodhur bojkot [nga Vuçiqi], por në Bruksel takohemi në rrafshin bilateral, prandaj kjo ka ndodhur edhe tash, pastaj ndodhin takimet në rrafshin trelateral. Ne sot kemi dialoguar përmes Mogherinit që ka qenë edhe më herët procedurë dhe praktikë, kemi konstatuar se dallimet janë shumë të thella dhe jemi në pozicione shumë të largëta”, ka thënë Thaçi, pergatiti Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU