Thaçi: Nuk mund të vizitoj Luginën e Preshevës, jam i dënuar nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ai nuk mund të vizitojë komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pasi autoritetet serbe e mbajnë në fuqi dënimin ndaj tij.

“Jam i dënuar me mungesë nga Serbia. Atë dënim Serbia nuk ma ka falur kurrë dhe as unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund t’ia mësyej kufirit dhe të ballafaqohem fizikisht me policinë e Serbisë”, tha Thaçi.

“Aktualisht rrethanat janë të atilla që Beogradi nuk e sheh të dobishme e as të arsyeshme prezencën time atje. Nuk e kam bërë kurrë kërkesën, por e imagjinoj sjelljen e tyre”, tha ai.

“Por, pavarësisht se e vizitoj apo jo, unë do të punoj ngushtë me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Banorët e atjeshëm janë banorët më të diskriminuar në Evropë”.

“Kosova nuk është vetëm Hashim Thaçi, e të cilët po ashtu nuk mund të shkojnë në Serbi, sepse ishin bartës të luftës çlirimtare. Por, mendoj se ata që mund të vizitojnë, mund ta bëjnë këtë pa pasur asnjë pasojë”, tha presidenti i Kosovës.

Komentet e Thaçit, pasuan debatet e shumta publike pas vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në veri të Kosovës, sipas të cilave, tani do të duhej që edhe Thaçi të vizitonte Luginën e Preshevës.

Mirëpo, kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi tha se Thaçi është president i Kosovës dhe se ai dhe qytetarët e atjeshëm do të donin që ai ta vizitonte Preshevën.

Arifi e inkurajoi Thaçin që të provojë, të paraqes zyrtarisht kërkesën tek autoritetet serbe dhe të shihet nëse vizita e tij mund të realizohet apo jo./REL

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU