Testi i parë i “Vetting”-ut!

Nga Mero Baze

Seanca e sotme gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, ishte një test që provonte sa të frikësuar janë anëtarët e kësaj gjykate nga ligji i “Vetting”-ut. Ajo nuk vlente për të dëgjuar as arsyetimin e socialistëve që kërkonin pezullimin, dhe as arsyetimin e Gjykatës që bënte sikur vazhdonte procedurën, por për të parë nëse dikush prej tyre ndjehet i lirë si gjykatës.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e Partisë Socialiste, e mbështetur dhe nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zhbllokuar pezullimin e ligjit të “Vetting”-ut, deri në marrjen e vendimit final nga Gjykata Kushtetuese. Arsyetimi i bërë nga socialisti Pandeli Majko, se kjo shumicë nuk ka asnjë konflikt interesi me drejtësinë dhe se nuk ka asnjë çështje të ndjeshme në proces, nuk i mallëngjeu gjykatësit. Ata nuk e shikojnë “Vetting”-un si interes i socialistëve, por si dënim i tyre. Nuk i impresionoi aty, as prezenca në sallë e dy ambasadorëve të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese dëshmoi se ishte e qartë në vendimin që kishte marrë disa javë më parë, dhe nuk kishte ndryshuar mendim.

Mbi të gjitha, ajo është e qartë se çfarë kërkon ai ligj. Ai ligj kërkon që gjyqtarët të kalojnë në “sitën” e kontrollit financiar, edukativ dhe në atë të integritetit profesional, çka përkthehet me shkarkimin e tyre.

Pra, Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar seancën e sotme si seancën e parë të “Vetting”-ut për ta, dhe e refuzuan atë, duke dëshmuar në të njëjtën kohë se janë jo vetëm në konflikt interesi me çështjen që gjykojnë, por dhe të dëmtuar prej saj.

Procedura e “ngrirjes” së ligjit, është thjesht çështje politike. Presidenti Bujar Nishani dhe KLD ende e kontrolluar prej tij, duan fushë të lirë për të vepruar në emërimet e muajt e fundit, duke mbushur sistemin me militantë, dhe duke bërë “qokat” e fundit politike për gjyqtarët dhe prokurorët që u kanë qëndruar besnikë politikisht. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese është vënë në rresht bashkë me PD, për të shërbyer si një mekanizëm që kërkon të përforcojë sistemin me gjyqtarë militantë.

Në dhjetor, siç ka premtuar Komisioni i Venecias, do të shprehet për çështjen dhe Gjykata Kushtetuse do të detyrohet të miratojë zbatimin e ligjit. Dëmi që ajo mund të shkaktojë është vetëm politik. Ajo mund të vonojë procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe mund t’i japë kohë Bujar Nishanit të fusë ende ca gjyqtarë e prokurorë në sistem, duke mbledhur lekët e fundit.

Pas kësaj, ligji i “Vetting”-ut duhet të fillojë pikërisht nga këta të fundit. Të parët që duhet të futen në “sitë”, janë ata që janë emëruar falë këtyre manovrave të shëmtuara për t’i dhënë vetes kohë të infiltrojë në sistem gjykatës dhe prokurorë politikë.

Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuse janë të vetmit që e dëshmuan me vullnetin e tyre se ndjehen viktima të këtij ligji. Këta nuk ka nevojë të kalohen në procesin e “Vetting”-ut. Këta e kishin sot seancën e parë të “Vetting”-ut për veten e tyre dhe e humbën. Ata janë vetëdeklaruar fajtorë. Thjesht duhet të zëvendësohen.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU