Për të gjashtin vit radhazi Telekom mbështet konkursin kombëtar “Ide të Gjelbra 2018”, organizuar nga Partners Albania. Fituesit e këtij konkursi kanë përkrahje financiare dhe logjistike nga kompania për të realizuar idetë e tyre. Përmes një procesi konkurrues, individë, organizatat e shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt – idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira.
“Konkursi Ide të Gjelbra vlerëson idetë që ndihmojnë vetë-punësimin në vend, në mënyra të qëndrueshme, prandaj prezantimi sa më i qartë i tyre përmes një plani biznesi është shumë i rëndësishëm për vlerësimin nga ekspertët tanë. Kjo, sepse financimet për fituesit bëhen plotësisht nga partnerët tanë privat si Telekom Albania“ – u shpreh Juliana Hoxha, Drejtoreshë e Partners Albania.
Plot njëzet finalistë prezantuan projekt – idetë e tyre për biznese të reja, gjatë dy ditëve të konkurrimit, i cili ishte i hapur për publikun dhe sektorin e biznesit. Një panel vlerësues i përbërë nga ekspertë të fushës së zhvillimit të ekonomisë, edukimit, përgjegjshmërisë sociale të biznesit, institucioneve publike dhe ndërkombëtare përzgjodhi tre idetë e gjelbra më të mira.
Si rrjedhojë, juria shpalli fituese projekte që do të zbatohen në Shqipëri
1- Shtigje të Gjelbra – nga shoqata Vjosa Explorer, drejtuar nga Aleks Tane, për sportet në natyrë në zonën e Përmetit.
2- Pana Souvenirs – nga Pezana Rexha, për prodhimin e suvenireve të para shqiptare të dizenjuara nga artistë, me materiale të ricikluara.
3- Aloe Vera në Shqipëri – nga Albi Sulo, për rritjen e bimës aloe vera për përdorim kozmetik dhe medicinal me qëllim eksportimin.
Secila nga idetë fituese përvecse do të mbështetet financiarisht, por bëhen automatikisht pjesë e konkurrimit në nivel rajonal, i cili do të organizohet në Maqedoni nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri në korrik të këtij viti.
Prej vitesh Telekom Albania ka angazhime serioze në projekte të ngjashme që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetesës duke përdorur një qasje miqësore ndaj mjedisit.