Të kishim të çonim edhe ca të tjerë pas Nazerit…

Nga Skënder Minxhozi/

Debati politik rreth Habilajve ka njohur një të përpjetë të fortë, pas ekstradimit drejt Italisë të Nazer Seitit, i cili njihet tashmë nga mediat me nofkën e “financierit të bandës”. Është një person për të cilin drejtësia italiane ka material të bollshëm implikues, pasi sipas hetuesve italianë, Nazer Seitaj komunikonte vazhdimisht me Moisi Habilajn dhe diskutonte me të për pazaret e drogës. Dosja italiane sjell prova se Seiti shfaqet si person, të paktën në katër operacione antidrogë, mes viteve 2012 dhe 2014.

E megjithatë, momenti kur ky i akuzuar me peshë në dosjen e prokurorisë së Katanias, u ekstradua në shtetin që i kishte “përgatitur letrat”, në Tiranë plasi sherri. Opozita akuzon qeverinë se praktikisht e fshehu Seitin në Itali, për ta shmangur nga hetimi shqiptar dhe eventualisht, nga nxjerrja e emrave të ndonjë “peshku të madh” gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët tanë. Një marri e tillë vetëm në ambjente false dhe hipokrite si ky i yni mund të gjejë vend. Afërmendsh peshku i madh dihet sesi quhet, por ajo që mbetet e paqartë, është linja logjike me të cilën opozita po çon përpara një betejë politike në Kuvend dhe jashtë tij, e që duket se fut ujë nga shumë anë.

Drejtësia italiane ishte dhe mbetet autorja e vetme e një hetimi të thellë dhe të paanshëm të bandës së Habilajve. Të gjithë të tjerët, prokuroria shqiptare, klasa politike dhe mediat, prodhuan tym, zhurmë dhe sherr rreth këtij grupi kriminal, pa arritur të ofrojnë asnjë provë serioze për veprimtarinë e tyre. Nëse sot njohim “financierin e Habilajve” me emër dhe mbiemër, kjo i detyrohet hetuesve italianë, e jo kolegëve të tyre shqiptarë.

Të paragjykosh sot ekstradimin e Seitit tek ata që hetuan atë dhe shokët e tij gjatë viteve të tëra, me përgjime ambjentale, transferta parash, lidhjet me mafiat vendase etj, është njëlloj si të bërtasësh në favor të arshivimit të zgjidhjes së aferës së drogës të fisit të Habilajve.

Nazer Seiti mbahej në burg vetëm në sajë të kërkesës italiane, për rolin që kishte në dosjen hetimore të hartuar nga fqinjët tanë përtej Adriatikut. Për drejtësinë shqiptare, ky person ka qenë dhe ende është formalisht një “objekt i paidentifikuar”, për të përdorur zhargonin e astronomisë. Nazer Seiti është ekstraduar sot në një vend ku kryeministrat, ministra e deputetë janë proceduar e dënuar në 30 vjetët e fundit duke qenë në detyrë apo në pension. Pa asnjë dallim nga tagri dhe emri. Doni një shembull? Fare e thjeshtë: shihni çfarë i ka ndodhur Berluksonit, në krye të qeverisë apo në opozitë, nga 1994 kur hyri në politikë, e deri kur doli prej saj në vitin 2013, me një dënim të formës së prerë të gjykatës, për të larë e ndërruar pelenat e pleqve në një azil pranë Monzës. Mund të kujtojmë edhe procedimin shumëvjeçar të Andreotit, që u detyrua të shkojë qindra herë nëpër proceset e mafiozëve në Palermo (praktikisht deri kur ju afrua ora e vdekjes), megjithëse ishte senator i përjetshëm. Lista është shumë e gjatë e s’ja vlen të humbasësh kohë.

Fabula e fshehjes së njeriut të Habilajve në Itali, është e dobët dhe e sforcuar. Sepse koncepti i fshehjes së krimit, në çdo rrethanë dhe përballje të imagjinueshme, i shkon ku e ku më mirë Tiranës, sesa Romës, Katanias apo Milanos. Financieri i Habiljave u dërgua aty ku u prodhuan provat kundër tij. Të kishim të çonim edhe ca të tjerë atje, nuk do të ishte keq…

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU