Të hënën nis çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve sipas qarqeve, Idrizi ende shpresa për mandatin

Nga e hëna Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të nisë shpalljen zyrtare te rezultateve te zgjedhjeve sipas zonave elektorale.

Ne fillim do behet verifikimi i të gjitha procesverbaleve, për 5362 qendra votimi.Këtë të shtunë kanë mbërritur edhe procesverbalet e fundit nga qarqet Berat dhe Durrës, për ti hapur rrugën verifikimit përfundimtar.

Klement Zguri thotë për Top Channel se KQZ ka 48 orë kohë për të bërë verifikimet për secilën kuti dhe nga e hëna do të nisë shpalljen e rezultateve zyrtare për qarqet Fier, Lezhë, Elbasan, Kukës dhe Dibër.

Pranë KQZ-së kanë mbërritur ndërkohë edhe 3 kuti me fletë votimi, që nga vetë KZAZ janë shpallur të parregullta, pasi në momentin që janë marrë në dorëzim është cënuar integriteti i tyre. Bëhet fjalë për KZAZ 23 në qarkun Durrës dhe për 2 KZAZ në qarkun Gjirokastër, konkretisht për Këlcyrën dhe Dropullin.

Këto kuti nuk janë numëruar por kjo nuk ndikon në rezultatin e qarqeve. Në këtë rast, kutitë administrohen nga KQZ.

Deri më sot, kur kanë kaluar 6 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme, pranë komisionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve nuk ka mbërritur asnjë ankim apo kërkesë, nga asnjë subjekt zgjedhor.

Përjashtim bën vetëm PDIU e cila që prej 27 qershor I ka dërguar KQZ këtë ankesë, për problematikën e hedhjes së të dhënave të tabelave të grupeve të numërimit nga KZAZ-të. Bëhet fjalë për qarkun e Tiranës dhe për 4 qendra votimi, ku 31 vota të PDIU-së kanë shkuar gabimisht për PDS.

Këto vota, sipas PDIU, nuk janë pasqyruar drejt nga grupet e numërimit dhe si këto raste janë edhe shumë të tjera të evidentuara, ndonëse zyrtarisht ankesa është bërë vetëm për këto 4 qendra numërimi. Pavarësisht ankesës, edhe nqs vërtetohet ngatërresa dhe hedhja gabim e votave nga PDIU për PDS, sërish mandati i Shpëtim Idrizit në Tiranë mbetet në pikëpyetje. I kontaktuar nga Top Channel, Idrizi thotë se ende pret rezultatet dhe konfigurimin zyrtar nga KQZ.

“Na duhet të presim hedhjen e të dhënave sipas procesverbaleve nga KQZ dhe rillogaritja e rasteve që kemi kërkuar rirregullim. Nuk mund të kem një shifër ekzakte për sa kohë KQZ, edhe pse kanë kaluar 6 ditë, nuk e mbyll ende hedhjen e të dhënave on-line. Të paktën të dihet ekzakt numri i votuesve dhe votave të pavlefshme apo të kontestuara, që të dimë sa është ekzakt 3%. 

Sigurisht që jemi të shqetësuar se pse KQZ nuk i hedh me procesverbal. Për të marrë mandatin duhen 11.500 vota. Këtu është problem i pragut 3%, i cili varet nga numri i votave pas verifikimit të të gjithë procesverbaleve, numrit të përgjithshëm të votave dhe numrit të votave të pavlefshme”, është shprehur Idrizi.

Po më datë 27 qershor, PDIU i ka kërkuar KQZ kopjet e tabelave origjinale të rezultateve të qendrave të votimit për 185 qendra votimi. Janë vetëm pak vota ato që e ndajnë Shpëtim Idrizin nga mandati i tij i Tiranës dhe java e ardhshme do të jetë vendimtare nqs ai do të jetë apo jo pjesë e parlamentit të ri.

/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU