Të gjithë vetëm, të gjithë të larë

Nga Ardit Rada

Prej ditës së djeshme nuk ka asnjë dyshim se partitë politike do të hyjnë në zgjedhje jashtë koalicioneve. Pavarësisht se sistemi nuk i favorizon subjektet që janë jashtë formacioneve parazgjedhore, partitë e mëdha e kanë privilegjin që të prodhojnë mandate edhe veç e veç. Më 18 qershor pritet që të kemi një fletë votimi të denjë për një sistem proporcional kombëtar, por që do të pasojë me një mbiprodhim mandatesh rajonale qoftë edhe pa opozitën.

Dy partitë kryesore të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane kanë shfrytëzuar lojën me afatet e regjistrimit në KQZ për të bërë fakt vendimin e tyre. Darka në Pazarin e Ri mesa duket nuk ka pasur si qëllim arritjen e një marrëveshje parazgjedhore, por mënyrën sesi do të shkëputeshin dy partitë pa bërë bujën e një divorci. Kësisoj, Edi Rama dhe Ilir Meta janë përpjekur ta juftifikojnë daljen më vete si një sakrificë të bërë për hir të opozitës. Përmes humbjes së të drejtës ligjore për t’u regjistruar si koalicion, PS dhe LSI kanë hequr edhe një barrë tjetër.

Edi Rama që ka kaluar një qeverisje të vështirë mes reformash, por edhe akuzash të rënda nga partia e Ilir Metës, tashmë nuk ka asnjë detyrim që të zbardhë arsyen politike pse nuk u arrit një marrëveshje me LSI. Kjo marrëveshje e heshtur që i nxjerr të ‘larë’ dy bashkëkryetarët e ASHE-së në fakt ka qenë një kërkesë e përsëritur kryesisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Zëra të vazhdueshëm nga kjo e fundit kanë bërë thirrje këtë vit që 18 Qershori të jetë një garë ku secila parti mat forcat e veta. Madje, figura të rëndësishme brenda LSI janë shprehur të sigurtë se i kanë të garantuara 40 mandate deputetësh pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Nga ana tjetër, garimi pa LSI-në në koalicion ka qenë edhe një kërkesë e bazës socialiste prej 4 vitesh, kërkesë kjo gjë nisi të shprehej edhe nga deputetët e PS pas mësymjes së partisë së Metës ndaj qeverisë dhe ashpërsimit të toneve. Megjithatë, ‘divorci’ mes Ramës dhe Metës përveç përgëzimeve që mund të marrë në elektoratet respektive, duket se do të ketë kosto për partitë e tjera që ishin ‘prehur’ për një koalicion të gjerë sikurse çdo zgjedhje.

Duke garuar të vetme, parti të tjera pretendente si ajo e Gjinushit apo Milos duket se do ta kenë më të vështirë ta kalojnë pragun. Nëse subjektet e tjera që prisnin të rreshtoheshin në koalicionin e majtë nuk kanë qenë në dijeni të manovrës me afatet, atëherë kjo do të ngjallë debate ditët në vijim nga të vegjlit. Që me të drejtë mund të kishin krijuar koalicione të tjera pa pritur surprizën e porositur të KQZ-së të mërkurën në drekë.

Mospjesmarrja reale e Bashës në zgjedhje dhe garimi i të gjitha partive të tjera vetëm, do të prodhonte një opozitë të re. Që pse jo, do të përfaqësohej nga Ilir Meta me 40 mandatet e pretenduara prej tij, apo edhe të dy-tre partive të tjera. Por ky zëvendësim i opozitës në Kuvend do ta shkatërronte atë të Bashës, e cila do të humbte legjitimitetin duke mbetur një subjekt i pavotuar. Dhe për më tepër nga një opozitë nën çadër, do të përfundonte në një OJQ ombrellë. /javanews

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU