Të gjithë kundër Bunjakit në Kosovë

Derisa Kosovës po i shtohen humbjet, Albert Bunjakit secilën herë e më shumë po i shtohet presioni. Dorëheqja e përzgjedhësit po kërkohet edhe pas humbjes nga Islanda. Kësaj here presion po i bëhet edhe Federatës së Futbollit të Kosovës, nga e cila po kërkohet shkarkimi i Bunjakit.

Paraqitjet e mira dhe shanset për gola që po i krijon Përfaqësuesja e Kosovës nuk po mjaftojnë që Albert Bunjaki të qëndrojë i qetë në postin e përzgjedhësit, shkruan sot gazeta Zëri.

Kosovarëve secilën herë e më shumë po u shtohet etja për fitore, të cilën ende nuk e ka shijuar Përfaqësuesja kosovare, e cila deri më tani në kampanjën kualifikuese për botërorin “Rusia 2018” i ka regjistruar katër humbje karshi vetëm një barazimi.

Sa herë që po pëson humbje Kosova adresë e kritikave po bëhet Albert Bunjaki, prej të cilit tifozët dhe analistët kërkojnë dorëheqje.

E njëjta po ndodh edhe pas humbjes së pësuar të premten nga Islanda me rezultat 1:2. Por, më së shumti jehonë ka bërë deklarata e Bekim Haxhiut.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Bunjaki të japë dorëheqje, në të kundërtën i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që ta shkarkojë trajnerin, të cilin FFK-ja e kishte emëruar përzgjedhës kur edhe vetë Haxhiu ishte nënkryetar i shtëpisë së futbollit kosovar, prej së cilës pozitë dha dorëheqje muaj më parë pasi UEFA nuk lejon përzierje të politikës me futbollin.

 

“Albert reflekto, jep dorëheqje dhe kështu hap rrugë që Kombëtarja e Kosovës të ecë përpara për t’u ngritur në nivel më të lartë. Kjo pasi që në sport flasin rezultatet, të cilat ty po të mungojnë”, thuhet në deklaratën publike të Haxhiut.

Ai pranon se Bunjaki ka dhënë kontribut të madh për futbollin kosovar para anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, prandaj si anëtar i Komitetit Ekzekutiv kishte votuar pro angazhimit të tij në postin e përzgjedhësit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU