Të duash me shpirt Moxartin dhe…muzikën

Nga Ben Andoni/

Titulli: “Eleganca mozartiane”

Autor: Sul Gragjevi

Gjinia: Publicistika e muzikës

Faqe: 425

Muzikologu Sul Gragjevi ka ardhur me një botim tjetër, ditët e fundit, që e ka quajtur “Eleganca mozartiane”. Botimin ua ka kushtuar ish-kolegëve të vet, orkestrantëve të Orkestrës të Shkodrës të drejtuar nga legjendari Prenkë Jakova.

E filluam me këtë dedikim, jo thjesht sepse ai zë vend nderi te frontespici, por se ky autor ka një adhurim shumë të madh për vendin dhe kolegët e tij, traditën dhe mbi të gjitha muzikën klasike, të cilës i është dedikuar me shumë shpirt. Botimi është bërë krejtësisht me paratë e veta, kuptohet, dhe është shtypur në Amerikë, ku autori jeton prej vitesh. Është pak zhgënjyes, sa i përket layout, por nuk mund të fajësohet një njeri që gjithçka e bën vetë.

Ani, libri i tij ka një dinamikë interesante dhe përmbledh të gjithë veprimtarinë, me aq sa mund të njihet nga Moxarti, dhe linja që shpjegon ngritjen e tij në piedestalet më të mëdha të kohërave, duke filluar me krijimtarinë prej muzikës kishtare dhe këngëve të saj, muzikës së dhomës, muzikës argëtuese, simfonive, koncerteve të ndryshme dhe deri atje ku shkoi gjenia e tij.

Nëse do të shikosh pasqyrën e lëndës, që fillon prej talentit fëminor; elegancën e filigramës mozartiane; personazhet si: Nannerl Notebuch, Leopold Mozart; Requimeve të ndryshme të tij; kuarteteve të ndryshme; kuinteteve; simfonitë; sonatave; koncertet për piano; koncertet për violinë; koncertet për frymë dhe orkestër dhe të gjithë operat, do të bindesh realisht se Sul Gragjevi është realisht një studiues “i krisur”.

Dhe, për ta bërë të gjithën më të prekshme, duke shfrytëzuar edhe qenësinë e tij në SHBA ka shfrytëzuar ardhjen e orkestrave më të mira në SHBA për të përcjellë emocionet prej tyre dhe për të na i sjellë të gjalla.

E ka një arsye, ku na thotë se “në përgjithësi jam munduar të trajtoj më tepër krijimet muzikore më të rëndësishme të kompozitorit sesa anën biografike të tij. Një ndihmë të madhe e të veçantë e kam pasur nga performancat direkte, që i kam frekuentuar në Çikago, Grand Rapids, Nju Jork, Stamboll dhe Plovdiv, si edhe nga vidio e diskografia që kam grumbulluar në vite”, shprehet diku.

Sul Gragjevi është mbështetur në studimin e tij, i cili ka karakter të madh njohës në punën e madhe studimore të njerëzve të njohur specialistë: të tillë si Stanley Sadie, Harold C. Schonberg, Maynard Solomon, Heinz Gartner, Wendi Thompson, Joseph Kerman,…

Personalisht nuk njoh shumë prej tyre, por kjo më bën ta respektoj këtë njeri jo vetëm shumë aktiv në median shqiptare me shkrimet e tij muzikologjike, por që nuk lë moment pa përkujtuar autorët më të mëdhenj të muzikës në ditët e tyre, sëbashku me performancat më të mëdha, që kanë bërë ngjarje në botë dhe në Shqipëri pothuaj nuk i di askush. Do të mjaftojë kjo, që edhe librin e radhës ta ndjekim me shumë respekt, por më shumë se kaq me një ndjenje kureshtje të madhe për të mësuar. Pasi nga Sul Gragjevi vazhdimisht mëson. Muzikologu i njohur nuk e mban vetëm për vete rrëfimin, ai përfshin edhe përshtatjen në njohjen për kategori të ndryshme të popullsisë, duke na përshfaqur një njeri vërtetë me cilësi shumë të larta. Dhe për të mos e lënë lexuesin të braktisur, ai ka ndjekur edhe dirigjentët më të mëdhenj të botës, që vinë në sezonet koncertore në Çikago.

Krijimtaria e Mozartit është shumë e gjerë dhe mendoj se ato që kam paraqitur në librin “Eleganca Mozartiane”, shkruan- plotësojnë më së miri kërkesat e lexuesve të mi si edhe figurën gjeniale të kompozitorit.

Dhe po të ndjekim informacionin e autorit, mëson sesa shumë universal ishte Mozarti në krijimtarinë e tij saqë në korpusin e vet, si asnjë tjetër kompozitor, vetëm brenda 35 viteve të jetës, përfshiu: muzikë kishtare me 4 litanie, 2vesper, 24 kompozime të përziera, 7 kyrie, dhe 17 sonata; kantata 7 opera gjithsej 14. Kanone 25; muzikë simfonike etj etj…

Po pse Moxartin? “Vërtetë është shkruar shumë për të, por unë jam munduar të ndjek një rrugë pak a shumë të ndryshme, e cila i përshtatet më shumë zgjidhjes time specifike, krahas një pasqyrimi të punimeve muzikore më të rëndësishme, ku pjesën themelore ia kam kushtuar  vlerësimit të perfomancave dhe interpretuesve më të njohur botërorë të Moxartit…”, shprehet ai. Ata, që e adhurojnë Moxartin, mund të mësojnë shumë më tepër prej këtij libri.

moxart

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU