Të afërmit e Eduard Ndocajt i fshihnin gomonet e vjedhura në banesën e ish-deputetit

Gjatë një operacioni policor janë arrestuar në Sarandë dy të afërm të ish-deputetit të PS Eduard Ndocaj, të cilët akuzohet se vidhnin mjete lundruese, gomone, në ishullin e Korfuzit dhe më pas i sillnin në Shqipëri. Dy personat e arrestuar nga policia dhe prokuroria e Sarandës janë të miturit F.Lleshaj 17 vjeç nga Mirdita por banues në fshatin Shëndëlli Sarandë dhe A.Dedaj 15 vjeç lindur në Rrëshen dhe banues në Shëndëlli Saranda.

Të dy këta persona,së bashku me shtetasin tjetër të arrestuar në Greqi, 20-vjeçarin Kristi Dedaj, mësohet të jenë të afërm të ish-deputetit Ndocaj. Burimet policore thanë se të arrestuari janë djemtë e baxhanakut të Ndocaj, ose nipat e gruas së këtij të fundit. Mësohet se gjatë operacionit policor, në Korfuz të Greqisë është arrestuar dhe një person i katër 17-vjeçari L.Prenga banues në fshatin Shëndëlli.

Gomonia e vjedhur në shtëpinë e Ndocaj
Teksa policia e Sarandës ka vënë në zbatim operacionin e koduar “Butrinti”, ka arritur në bashkëpunim me policinë Greke, të sekuestrojë 5 mjete lundruese, gomone, të cilat janë vjedhur nga katër personat e sipërcituar. Një burim pranë policisë së Sarandës, tha se njëra nga gomonet e vjedhura është gjetur në shtëpinë e ish-deputetit Ndocaj, në fshatin Shëndëlli.

Pikërisht në shtëpinë e Ndocaj, policia tha se veç gomones, personat e arrestuar kishin strehuar dhe sende të tjera, si motorë skafi, dhe sende të tjera që dyshohet se i kanë vjedhur në Greqi. Banesa ende e papërfunduar e Ndocaj, është deklaruar nga ky i fundit dhe në deklaratën e pasurisë të tij në kohën kur ushtronte funksionin e deputetit në qarkun e Lezhë.

“Zotërues në proces legalizimi, pjesa takuese 100 %, i një ndërtese 600m2 në Shëndëlli të Sarandës, plus trualli i saj sipërfaqe 1.200 m2 vlera sipas deklaruesit 100.000 euro, pa specifikuar burimin”-deklaronte Eduard Ndocaj në deklaratën e tij të pasurisë.

Dy persona të kapur në Greqi
Për arrestimin e këtyre personave policisë së Sarandës i është dashur të bashkëpunoje me homologët e tyre në Greqi, kjo pasi gomonet vidheshin në këtë shtet dhe më pas transportoheshin në Shqipëri. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dy gomone janë sekuestruar në Shqipëri, ndërsa tre të tjera janë bllokuar në Greqi. Dy persona janë arrestuar në Greqi, ndërsa bashkëpuntorët e tyre u ndaluan nga policia e Sarandës. Gomonet e sekuestruara në Shqipëri janë të llojit “Highfield”, motor “Mërkuri” me 9HP dhe një varkë plastike “Evinrude” 25 HP. Të rinjtë shkonin me varkë në Korfuz, linin varkën aty dhe vidhnin gomonen që e sillnin në Sarandë. Policia është vënë në dijeni të këtij aktiviteti dhe u ka bërë pritë në Lumin “Pavllo” ku edhe i ka kapur dy të parët dhe pastaj operacioni ka vijuar me arrestimin e dy të tjerëve në Korfuz dhe sekuestrimin e 5 mjetëve lundruese. Indicia për hetimin erdhi pas vjedhjes në Sarandë të varkës që përdornin trafikantët për të shkuar në Korfuz. Mjetet që vidheshin do përdoreshin për trafik droge, pasi nuk rezultonin të kishin dokumenta në Shqipëri./Shqiptarja

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU