Tarifat për siguracionin e makinave ndryshojnë, sa para do të paguani

Sistemi i ri për llogaritjen e siguracionit të makinave do të penalizojë të gjithë ata që kanë kryer një aksident.

Teksa debati për pagesat e sigurimeve ndizet sa herë që shoqëritë vendosin në bllok tarifa të reja (rritja e fundit në muajin gusht me 20 për qind), një projektligj i ri parashikon “tarifa të zbutura ose të ashpra”, në varësi të sjelljes në rrugë.

Aktualisht tarifat e policave të sigurimit TPL, i janë rikthyer sërish çmimeve të vendosura që në gusht të vitit të kaluar në rreth 18 000 lekë, pas uljes që pësuan në fundvit me kthimin masiv të emigrantëve. Duke iu referuar situatës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shprehet se miratimi sa më i shpejtë i projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në transport” do të disiplinonte tregun dhe do të përcaktonte vendosjen e standardeve. Aktualisht, projekti i AMF-së është në Ministrinë e Financave, ndërkohë konsultimet për të po vijojnë, derisa të shkojë në formën përfundimtare për miratim në qeveri.

Megjithatë,  përfaqësues të AMF-së pohojnë se gjithçka është gati për të vënë në funksionim sistemin Bonus-Malus (shofer i mirë, shofer i keq) dhe herë pas herë bëhen testime për të parë ecurinë. AMF deklaroi gjithashtu se ka një bazë të dhënash në lidhje me dëmet e ndodhura. Me miratimin e ligjit dhe hyrjen në fuqi të tij sistemit do t’i lihet në dispozicion, sipas AMF-së, një vit që të nisë zbatimin, raporton “Shekulli”.

Zbatimi i sistemit Bonus-Malus nuk do të ketë efekt prapaveprues, pra çdo historik i kaluar dëmesh apo aksidentesh nuk do të merret në konsideratë. Kontratat e reja të sigurimit do të kenë afat 1-vjeçar dhe të gjithë drejtuesit do të përfshihen në një klasë të përgjithshme sigurimi dhe më pas do të ketë ndarje. Në bazë të historikut, pozitiv apo negativ drejtuesit të mjetit do t’i përcaktohet edhe çmimi i policës që do të paguhet. Nëse do të ketë historik pozitiv do të paguajë më pak dhe anasjelltas.

Llogaritja e çmimit 

Aktualisht çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks.

Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindratat e makinës. Në draftin e ri parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve. AMF parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme.

Për çdo kategori është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në këtë mënyrë ndryshon edhe çmimi i siguracionit. Në draft parashikohet që një shofer i ri dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të.“Klasa hyrëse do të jetë ‘13’ për vitin e parë të zbatimit të sistemit ‘Bonus-Malus’, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1”.

Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet. Në draft janë parashikuar edhe si do të bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën. “Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritjen e klasës së riskut me 2 klasë nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”.

Shembulli 

Duke iu referuar çmimit të sigurimit të një makine, që sot është 18 mijë lekë në vit, bëhet edhe llogaritja në bazë të tij.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai do të llogaritet sipas historisë së aksidenteve të shoferëve nëpërmjet formulës së mësipërme. Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, ai klasifikohet në klasën e 13-të, që i përket koeficienti 1. Pra, siguracioni i tij do të jetë 18 mijë lekë (18 000 x 1). Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë.

Pra, në këtë rast shkon në klasën 15. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 18 mijë lekë, por për 23.400 lekë (18.000 x 1.3). Pra, 5400 lekë më shtrenjtë. Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa 13 shkon në klasën 12. Koeficienti i klasës 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 16.920 lekë./shekulli/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU