Taksë të gjitha familjeve për të fituar 4-5 familje!

Taksë gjithë familjeve për 4-5 FAMILJE?!!

Atyre që kanë më shumë do t’u jepet, atyre që s’kanë do t’u merret edhe ajo që kanë”

Gjatë pothuaj 30 viteve pune në media nuk kisha menduar se shkalla më e lartë e humorit dhe paradoksit do ta gjeja në projekligjin që takson gjithë familjet në Shqipëri për të ndihmuar biznesin e 4- 5 familjeve!
Humori nis që në fjalinë e parë kur thuhet se projektligji synon të rrisë pavarësinë e televizioneve private, të nxisë gazetarinë investigative, të trajnojë gazetarët dhe t’i shpallë luftë lajmeve të rreme.
Pyetja është kush i ka penguar televizionet private sidomos ato kombëtare dhe jashtëzakonisht të fuqishme për të trajnuar gazetarë, për të luftuar lajmet e rreme dhe për të bërë gazetari investigative? I ka penguar mungesa e parave?!!! Në bilance e paraqitura në AMA televizionet që do të përfitojnë nga ky projekligj janë me fitim.
Projektligji në më shumë se një herë i referohet praktikës së vendeve të BE-së dhe po ashtu e bën shumë të qartë se NUK SYNON PERAFRIMIN ME NDONJE ACQUIS TE BE!!!
Më shkoqur se kaq nuk mund të bëhet.
Sa herë ndeshesh me propozime shqiptare sui generis (unike ne glob) mendja të shkon se kush janë propozuesit. Kush u zgjua ne mëngjes me idenë brilante që ti vemë edhe një gjobë të gjithë familjeve shqiptare në përfitim të një grushti njerëzve?
Relacioni i projktligjit e bën të qartë se baza ligjore për këtë projektligj është ajo që parashikon neni 81 i Kushtetuës, pra këshilliin e ministrave, çdo deputet apo 20 mijë zgjedhës.
Nuk duket se këshilli ministrave mund ta ketë propozuar këtë projektligj sepse është në konflikt interesi. Projektligji parasheh që ndarja e fondve të bëhet në bazë të audiencës dhe meqë ERTV ka audiencë të lartë dhe të verifikuar i bie të jetë pëfituese direkte. PO ashtu asnjë deputet nuk ka dalë (deri më sot) si nismëtar i kësaj nisme revolucionare. Mbetet që 20 mijë shikues me të drejtë vote ta çojnë këtë projekt në Parlament.
Gjithmonë abuzohet me referencën e “praktikës së disa vendeve të BE” pa ju referuar ndonjë vendi apo rasti konkret.
Në princip, për interes të pluralizmit, demokracisë, lirisë së medias, minoriteteve apo ruajtes së mediave lokale, qeveritë mund të mendojnë të ndihmojnë median, jo duke financuar më të fortin dhe më të shëndetshmin, por më të dobtin dhe më të pamundurin.
Projktligji bën të kundërtën- ai që ka më shumë audiencë dhe reklamë ai do të përfitojë nga taksa publike.!!! çfarë propozohet: taksa e publikut të ndahet përgjysëm. Gjysma tv publik dhe gjysma televizionet private. Me një të rënë të lapsit afro 10 milionë euro nga xhepat e çdo familje shqiptare në xhepat e 4-5 familjeve të “rrënuara”.
Projektligji duket se është shkruar duke patur në mendje 4-5 FAMILJE sepse aty gjenet edhe një fjali që pasi e lexon të duhen katër duar, dy për të mbajtur belin, një për t’i rënë ballit dhe një për të mbyllur gojën!
“Për të stimuluar zhvillimin e televizioneve informative….dhe mos absorbimin e tyre nga tv gjeneraliste… do t’i jepet 35% e fondit… pavarësisht reklamave”!!! SERIOZISHT!
Problemi i tregut të televizioneve në Shqipëri është se nuk funksionojnë si treg. Nëse do të funksiononin si treg do të kishim vërtet nevojë për 56 televizione dhe 100 tv kablllorë?!
A po vuajmë ne nga mungesa e televizioneve informative: 1. Neës 24, 2. Ora neës. 3. Report Tv. 4. Top news. 5. Abc news. 6. Fax news. 7. RTsh 24. 8. Kanal 7, etj etj.
Pluralizmi mediatik në vend rrezikohet kur Transmetuesi publik është i fuqishëm dhe privatët mezi mbahen në këmbë. Duket këtë mendim kanë hartuesit që në një nga 3 nenet e ndryshimeve të ligjit propozojnë t’i hiqet RTSH reklama me pagesë.
Pas vënies në kurriz të pagimit të kredisë 26 milionë euro për digjitalizimin dhe kostot shtesë për mirëmbajtjen, kjo është “ndihma” më e madhe që mund t’i jepet transmetuesit publik.!
Ata që kanë shkruar projektligjin duket kanë lexuar vetëm një rresht nga Bibla. Mateo 13:
Atyre që kanë më shumë do t’u jepet, atyre që s’kanë do t’u merret edhe ajo që kanë”
Kur të mësohen nismëtarët e projektligjit do të themi Bibla sipas….

Nga Lutfi Dervishi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU