Taksa për blerjet online mbi 22 euro/ Sot hyn në fuqi ligji

Vendimi i qeverisë për taksimin e blerjeve online me mbi 22 euro ka hyrë në fuqi sot. Vendimi është botuar mbrëmë në fletoren zyrtare dhe sipas përcaktimeve , ai hyn në fuqi menjëherë pas botimit në QBZ.

Vendimi përcakton se nuk taksohen mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro dhe dërgesat jashtë Shqipërisë për një individ që nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.

Por ky vendim nuk është pritur mirë nga konsumatorët shqiptarë pasi me blerjet online kishin gjetur raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit.

“Punonjës të postave që veprojnë në Shqipëri tregojnë se blerjet online ishin bërë mjaft të preferuara nga individët, kryesisht  të rinjtë e të rejat, sidomos pasi kufiri i pataksueshëm i blerjeve ishte rritur në 20 mijë lekë në vitin 2014.

Punonjësit e postave pohojnë se shuma e blerjeve luhatet nga 100 në 900 euro, por pjesa më e madhe e pakove, mbi 75% të tyre kanë një vlerë rreth 100 euro. Këto pako, me hyrjen në fuqi të vendimit të ri do të paguajnë edhe 22.4 euro më shumë.

Deri tani, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta ta sillte mallin direkt e në shtëpi. Tashmë, nëse malli i kalon 22 euro, për pritësin do të fillojë një “sorrollatje” e vërtetë, që shpesh nuk ia vlen mundimi për vlerën.

Në pakon e dërguar, dërguesi vë gjithnjë faturën e vlerës së mallit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri të qeverisë, në momentin që vlera e faturës do i kalojë 22 euro ose rreth 25 dollarë do të fillojë procesi i zhdoganimit. Blerësi duhet të paraqitet në Postë ose në Rinas, varet ku i ka ardhur malli, të plotësojë deklaratën doganore dhe më pas të bëjë pagesën e doganës në bankë. Vetëm pasi të ketë marrë pagesën mund të bëjë tërheqjen e mallit.

Taksat shtesë përfshijnë TVSH-në 20% dhe taksën doganore 2.4%, në total 22.4%.

Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi ë blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro./monitor/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU