Tahiri mbetet në arrest shtëpie, ish-ministri ironizon në gjykatë: Më fusni në burg!

Saimir Tahiri doli këtë të martë para Gjykatës për Krimet e Rënda, për verifikimin e masës së sigurisë. Gjykata konfirmoi masën arrest shtëpie të dhënë të shtunën.

Gjykata rrëzoi kërkesën e palës mbrojtëse, që kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi. Pas seancës që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, avokati i ish-Ministrit, Maks Haxhia tha jashtë ambienteve të Gjykatës për Krimet e Rënda se “me gjithë materialin e prokurorisë nuk kishte asnjë provë të re që të tregonin implikimin e Tahirit në kryerjen e ndonjë vepre penale”.

Në fjalën e tij, Saimir Tahiri ironizoi masën e dhënë. “Ju keni thënë për mua arrest shtëpiak po për mua është njësoj si arrest shtëpiak e si arrest me burg”, mësohet të ketë thënë ish ministri i Brendshëm.

Prokuroria kërkon masën arrest me burg, ndërsa këmbëngul se Tahiri është takuar Artan Habilajn, por ish-ministri e mohon. Sipas prokurorisë, ish-ministri duhet të qëndrojë në burg, pasi mund të ndikojë te dëshmitarët sikur ndodhi me Liperin. Ish-ministri është ngritur në këmbë duke ironizuar ‘Meqë qenkam kaq i rrezikshëm, fusni të gjitha grupet kriminale në burg dhe faturojani Saimir Tahirit. Më vendosi në arrest në burg, pasi masa që kemi vendosur është e papërshtatshme me akuzat’.

Ai kundërshtoi argumentimet në vendimin e zbardhur të gjyqtares Liliana Baku.

Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë Prokurori Besim Hajdarmataj tha se janë dërguar letërporosi të reja, dy në Itali dhe një në Mal të Zi.

Na rezulton e provuar se është zhdoganuar një skaf i blere nga Orges Liperi. U ble 15 mijë euro. Na rezulton e provuar që Saimir Tahiri ka drekuar në Greqi me Artan Habilajt. Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU