Forcat speciale afgane kanë arritur të qëllojnë për vdekje tre personat e armatosur të cilët sulmuan hotelin luksoz, Intercontinental Hotel në Kabul. Minstria e Brendshme bën të ditur se gjatë shkëmbimit të zjarrit mes terroristëve dhe forcave policore gjatë natës, janë shpëtuar rreth 150 persona të cilët mbaheshin si pengje nga tre agresorët. Ndërkohë automjete amerikane me artileri të rëndë rrethuan hotelin bashkë me njësitë e policisë afgane. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, deklaroi se 6 persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë sulmit që erdhi vetëm një ditë, pasi Ambasada Amerikane paralajmëroi sulmet e mundshme ndaj hoteleve në Kabul. Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e sulmit ndaj hotelit luksoz.
Së fundmi Kabuli është bërë shënjestër e një seri sulmesh që tregojnë pasigurinë në qytet dhe njëkohësisht aftësinë e militantëve terroristë për organizimin e operacioneve të profilit të lartë që synojnë të përmbysin besimin e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi. Hotel Intercontinental, një strukturë imponuese e viteve 1960 e vendosur në një kodër dhe e mbrojtur si shumica e ndërtesave publike në Kabul, ishte sulmuar edhe më parë nga terroristët talebanë në 2011. Sulmet e grupeve terroriste shënjestrojnë tubimet publike, objektet qeveritare, transportin, tregje dhe vende ku gjenden të huajt.