Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg sot vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko të dyshuarit kryesorë për sulmin me armë ndaj policisë më 24 qershor në Lazarat me pasojë vrasjen e efektivit të RENEA, Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Në seancën e sotme, Gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për dy vëllezërit. Në fakt seanca e sotme u ndërpre përkohësisht pasi avokati i Alban Alikos, shtroi kërkesën për psikolog për klientin e tij pasi është vetëm 17 vjeç.
Por seanca ka rifilluar pas disa orësh, ku gjykata vendosi të lërë në qeli dy vëllezërit deri në përfundim të hetimeve. Nga ana e tij avokati mbrojtës i dy vëllezërve, Neshat Fana u shpreh pas seancës se Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë që të vërtetojë se vëllezërit Aliko kanë qëlluar ndaj forcave të policisë dhe nuk është gjetur asnjë snajper siç është pretenduar.
Sipas avokatit Fana, vëllezërit Aliko nuk janë autorë të vrasjes së efektivit Basha dhe se të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë janë me dhjetëra.
Vëllezërit Aliko u arrestuan pas disa ditësh në arrati pas një operacioni ku morën pjesë 500 efektivë dhe helikopterë të ushtrisë.