Strukturat paralele

Nga Ben Andoni

Fabula është e thjeshtë. Nëse nëpunësit që preferojnë aksh parti, mbeten në një institucion edhe në kohën e pushtetit të partisë kundërshtare, atëherë dije se i gjithë materiali, që përpunon institucioni ose pikat e ashtuquajtura të dobëta, në darkë i ke të depozituara te kreu i opozitës. Kjo është pedigree-ja e një burokrati militant, me anë të së cilës mundohet të manovrojë në të sotmen, por edhe përgatisë të nesërmen e vet. Nuk ka rëndësi domethënia, kodi i punës, nderi.

Administrata Berisha e kuptoi më së miri këtë fakt dhe kur erdhi në pushtet përzuri në masë stafin e ardhur nga koha e qeverisë socialiste. Anasjelltas, këta të fundit, vepruan në të njëjtën mënyrë por disi më të kursyer. Kjo e bën shtetin tonë të drobitur, që ashtu si paguan një vend pune për dy-tre veta, të paguajë dhe haraçet e burokratit shqiptar, që vlerën e vet, e mat me dobinë ndaj partisë. Dhe, ndodh siç po ndodh në muajt e fundit që ish-kryeministri Berisha di me saktësi për arrestime, për kanosje që zyrat e shtetit kinse nuk i dinë, që di mirë trafikun e drogës me aeroplanë, që shteti i mohon, ashtu si ndodhte në kohë të qeverisë së shkuar, që opozita e atëhershme socialiste dinte për ta gjithçka.

Kjo, pra, është merita e atyre të padukshmëve, burokratëve shqiptarë, që në vend të punojnë dhe të respektojnë punën e tyre, bëjnë shërbime gratis. Një sëmundje e vjetër kombëtare, por që referimet më të turpshme i pati në kohën e para-pushtimit fashist. Zyrtarët italianë dinin më mirë se kolegët e tyre shqiptarë të gjithë bagazhin e vendit dhe aftësinë mbrojtëse të tij, thjesht prej zyrtarëve shqiptarë, që ishin dorëzuar me kohë, duke pritur beneficet fashiste.

Në argumentin tonë këto përbëjnë të ashtuquajturat struktura paralele, të cilat partitë i kanë në lista të përcaktuara qartë dhe ata miklohen se do jenë nëpunësit e ardhshëm të karrierës, drejtorët dhe ministrat, varësisht kontributit, që mund ta kenë shumë teknicienë që gdhihen dhe ngrysen në zyra pa jetë. Nëse e ke kyçur gojën duke respektuar 8-orarëshin, ke punuar me profesionalizëm, ke parë punën tënde, në më të mirën e rasteve je budalla, leshko, ose ke pranuar që karriera jote do jetë e thjeshtë. Kurse pak vite më vonë, ai shoku yt, që ka servirur më së shumti dokumente, kur ato ende kanë qenë në përpunim, do jetë me patjetër shefi yt, drejtori, ministri, që do ta pësojë nga të tjerët!

Kjo është kriza morale e shoqërisë, që ka krijuar strukturat paralele me anë së të cilave drejtohet dhe një shtet tjetër, ai virtual, që përpiqet kinse të sensibilizojë, të frikësojë, por edhe të përgatisë udhën për pushtet. Dhe, sikur pak të lëvizësh ose të provosh të punosh i vetëm në të drejtën tënde, jashtë këtyre strukturave, atëherë je me patjetër i mallkuar. Je i pashpresë…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU