Stoltenberg: Pas zgjidhjes së emrit, Maqedonia do marrë ftesë për NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Aleanca Veriatlantike do ta ftoj Maqedoninë për anëtarësim pas një marrëveshje të përbashkët për zgjidhjen e emrit në kornizat e OKB-së.

Ai ka theksuar se, NATO mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Maqedonisë në rrugën e saj për anëtarësim  dhe se duan që vendi të ketë sukses në këtë drejtim.

“Jam i lumtur që e kam vizituar Shkupin këtë muaj. Mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe dëshirojmë që të ketë sukses në këtë drejtim. Kjo është në pajtim me vendimin e sjellë në Samitin në Bukuresht në vitin 2008 dhe është përsëritur në deklaratat tona në Uells dhe Varshavë. Aleatët u pajtuan se NATO do të dërgojë ftesë për anëtarësim në Aleancë pas zgjidhjes së dakorduar bashkërisht për kontestin për emrin në kuadër të KB-së. Edhe para ca kohësh pamë impuls pozitiv për çështjen e emrit”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg thotë se angazhimi i Qeverisë për reformat është gjithashtu i rëndësishëm për NATO-n.

“Nga formimi i Qeverisë së re vitin e kaluar, pamë angazhime të ripërtëritura në reformat. Gjatë vizitës time, e inkurajova Qeverinë për të vazhduar me zbatimin e reformave të cilat do ta përforcojnë qeverisjen e së drejtës dhe institucionet demokratike. Gjithashtu i kam inkurajuar të gjitha partitë politike dhe palët e tjera të involvuara në vend që të kyçen në dialog të hapur dhe konstruktiv”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg është shprehur i kënaqur nga vizita në Shkup, duke paralajmëruar se në pajtim me vendimin e sjellur në Bukuresht në vitin 2008, NATO do të dërgoj ftesë për anëtarësim në Aleancë, pas marrëveshjes për emrin.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU