Spiropali: Kush tenton t’i vërë zjarrin këtij vendi, arrin vetëm të digjet vetë

“Dje u dogj edhe keq shpresa e të paktëve se Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi luftojnë trimërisht për interesat e popullit, dhe jo për pushtetin e tyre të humbur”, theksoi në një reagim ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali.

Sipas saj, protesta nokturne e opozitës nuk na mësoi kurrgjë, përveçse na përsëriti atë që dinim qysh prej ditës së parë: Kush tenton t’i vërë zjarrin këtij vendi, arrin vetëm të digjet vetë!

“Pa asnjë ide tjetër përveç shkatërrimit dhe asnjë qëllim tjetër përveç shantazhimit të shumicës me ura zjarri në gjuhë dhe në duar, këta udhëheqës të diskredituar,  me një çetë punonjësish të bashkive të djathta e me një grusht të rinjsh të qorruar nga propaganda e tyre e sherrit dhe e dhunës, lanë kokrrën e namit në atë që e trumbetuan si ditën e ikjes së Edi Ramës e të qeverisë!”, tha Spiropali.

“Mësynë bulevardin, Kryeministrinë dhe Parlamentin e Shqipërisë, si një trup pa kokë dhe  pa sy, lëshuan piskamat e ngjirura nga fyti i liderit që lider kurrë nuk bëhet dhe e mbyllën me turp, duke dhunuar policinë dhe duke i vënë zjarrin pronës publike dhe private. Për disa orë rresht forcat e policisë  u sulmuan me kapsolla, zjarri e benzinë dhe u plagosën pabesisht nga këta të çoroditur që vejevinin tek ura e tabakëve, në kërkim të sherrit, konfliktit, rrëmujës e hatasë që kanë në kokat e tyre boshe”, vuri në dukje ajo.

Spiropali u uroi shërim të shpejtë efektivëve që “u ra taksirati i përballjes me këta udhëhumbur në theqafjen e tyre politike e morale”.  Respekte për vetpërmbajtjen dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit, që bëri edhe njëherë diferencën mes shtetit e antishtetit; qytetarisë e barbarisë; dinjitetit e pabesisë””, tha ajo.

Por, theksoi Spiropali, ashtu siç do dramë ka gjithmonë një nënshtresë humori për ta bërë të durueshme, edhe post-protestës të orëve të vona nuk mund t’i mungonin qyfyrexhinjtë.

“Ca prapashtojca politike dhe mediatike të asaj që nisi si protestë e përfundoi si vandalizëm, u lëshuan gojështhurrur e mendjehumbur, për të komentuar si normalitet demokratik, atë që e është një dështim politik, moral, po edhe thjesht logjik, i një opozite që s’ka asgjë përveç ankthit të të mbyturit që kërkon të të mbysë”, theksoi Spiropali.

“Mbështetje e plotë për Policinë e Shtetit dhe organet e drejtësisë që duhet t’u tregojnë vendin nxitësëve dhe ekzekutuesve të dhunës. Nje thirrje per çdo njeri normal ndër ata që kanë të gjithë të drejtat e botës të mos e kenë votuar e as te mos e duan këtë qeveri, por duhet ta kuptojnë se alternativa e dhunës dhe e rremujës dëmton vetë atë, njeriun normal; dëmton ekonomine e tij, dëmton perspektivën e familjes së tij, të fëmijëve të tij, dëmton Shqipërinë që ka nevojë për më shumë ide e projekte, jo për më shumë piskama e kapsolla”, tha ajo.

“Vetëm një humbës pa fantazi si Lulzim Basha, mund të mendojë se do te rikthehet në qeverinë e çadrës së diellit duke shumëzuar çadrat e shiut!  Sidoqoftë një gjë të mos e harrojë askush.  Me kapsolla e me zjarre nuk merret pushteti, po vetëm damka e të paaftit për të parë, dëgjuar dhe menduar. Nga ana tjeter, me këta pa këta, hyjnë në zgjedhje, s’hyjnë në zgjedhje, ne do te vazhdojmë drejt dhe do të fitojmë përsëri, jo për vete po për Shqipërine që duam”, përfundoi ministrja dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU