Speciale / Si po ia dorëzon opozita drejtësinë Ramës dhe Metës, duke mos votuar reformën

 

Nga Ben Andoni/

A mund të vazhdojë të rinovohet sistemi i drejtësisë në të ardhmen me vetëm 36 vota?! Në një hulli të tillë duket se po na fut rezistenca kaotike e PD-së për mosmiratimin e Reformës në Drejtësi. Pra, me mosmarrjen e përgjegjësive të duhura nga PD-ja, që do të thotë miratimin në këtë sesion parlamentar të Reformës, do përballim një realitet e cila do të thotë se një super-mazhorancë do marrë nën kontroll shumë shpejt të gjitha institucionet e shtetit. Në këtë kuptim po prodhohet një konfuzion i ri politik, që duket se do të jetë edhe më i madh se ai i deritanishmi, që ia kishim veshur institucioneve që i kontrollonte Berisha apo PD. Përplasjet historike të Berishës me presidentin Topi, dhe të sotmet të kryeministrit aktual Rama me presidentin Nishani, po prodhojnë një ngërç që mund të përkthehet në të ardhmen me kapjen e të gjithë kupolës së shtetit prej të Majtëve.

Aktualisht janë gjashtë mandate të mbaruara në strukturën e lartë të Drejtësisë shqiptare. Është ai i nënkryetarit të KLD-së, të shkarkuar nga parlamenti; janë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që u ka mbaruar mandati dhe janë dhe tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, kandidaturat e reja të të cilëve janë përcjellë nga presidenti në parlamentin shqiptar, por që nuk janë shqyrtuar. Me vakuumin e krijuar, këto mungesa duket se do mbarten dhe më tej, për të lënë në dorë zgjidhje që do jenë afër maxhorancës.

Që pas ndryshimeve konsensuale të dy partive më të mëdha në vend, ato të vitit 2008, mazhoranca (aktuale) i ka tashmë të gjitha atributet që ka pasur dhe kryer dikur qeveria Berisha. Pra, pas një viti, me zgjedhjet që do sjellin presidentin e ri (me shumë gjasë propozim i të majtës), maxhoranca aktuale, me forcën e numrave do mundet që fare lehtë të ndryshojë me dekretimin e saj krerët e SHISH-it dhe Prokurorisë, ndërsa sa i përket anëtarëve të KLD-së, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, mazhorancës i mjaftojnë vetëm votat e 1/2 të pranishmëve (lexo: edhe në rast bojkoti të opozitës mjafton gjysma e 70 (pra 35+1) e pak votat e të majtës) të rrëzojë ose pranojë dekretet e presidentit.

Deri më tash, problemi më i madh i maxhorancës aktuale me presidentin, ka qenë përplasja për kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika dekretuar nga presidenti Nishani më 9 gushtin e vitit 2012, menjëherë pas shkarkimit të Bahri Shaqirit. Me këtë rezistencë pakuptim të PD-së, i bie që presidenti i ri të dekretojë menjëherë dy krerët e SHISH dhe Prokurorisë nga propozimet e të Majtës.

Gati tre vjet më parë, kur Ilir Meta bëri divorcin në koalicionin me qeverinë Berisha, një nga sloganet që parashtroi si justifikim ishte: duhet “ një ekuilibër i ri politik”. Edhe pse për maxhorancën e asokohe nuk ishte bindës, kjo përbënte një arsye për pjesën tjetër, pasi si rezultat i një rotacioni natyror, ku dominonte roli i kryeministrit Berisha të gjitha institucionet e pavarura, lexo: mandatet e kryetarëve u vunë nën kontrollin e PD. Që nga

nga Presidenti i Republikës dhe deri te nënkryetari i KLD. Media u bë protagoniste e trajtimit të debatit për Nishanin, pastaj Zana Xhukës, çështja që përsëritet vazhdimisht e mandatit të Visho Ajazit dhe kryeprokurorit e deri te çështja proceduriale për kreun e AMA-s, Endira Bushati. Përveç origjinës së përbashkët PD, këto emra përcollën përplasje mes mazhorancës aktuale me pjesën e shtetit të trashëguar nga qeverisja e mëparshme.

Larg këtyre, disa prej tyre vazhdojnë të jenë krerë të institucioneve të pavarura, kurse sistemi shqiptar shtetëror i ka zgjedhur në vende, ku duhet të garantojnë vetë sistemin, që frenojnë dhe kontrollojnë super-mazhorancën aktuale.

Në argumentin tonë, çështja shtrohet ndryshe: A po rrëshqet Opozita në një gafë të pafalshme për të ardhmen e Demokracisë shqiptare. Përvoja e hidhur me presidentin aktual Nishani, dhe para tij e Bamir Topit do ta bëjë të majtën, që mezi pret largimin e tij në afrimin e një emri shumë të lidhur me të Majtën. Kjo do të bëjë që në një reaksion zinxhir, presidentit të ri, t’i shkojnë propozimet për shkarkimin e dy pikave më nevralgjike të shtetit, funksionarit të SHISH-it dhe atij të Prokurorisë së Përgjithshme, më së pari. Këto janë pikat kryesore, kurse anëtarët e rinj të KLD-së, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese çdo mazhorance me pëlqimin (1/2 të pranishmeve) se ka problem ta rrëzoje ose pranojë dekretet e presidentit, sqaron Sokol Hazizaj, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, që shton edhe se “sa i përket Reformës kam deklaruar dhe them sërish që të gjitha palët jo vetëm nuk duan por dhe në mënyrën se si e kanë nisur nuk mund ta bëjnë, pasi në thelb idetë e hedhura në treg nuk kanë të bëjnë as më sistemin dhe as me të drejtat materiale apo procedurale, elementë të cilat ndryshojne kohën dhe cilësinë e gjykimit. ndryshe do ishte vërtet reformë”.

 

E majta

Me pak fjalë, edhe pse E majta ka marrë mbështetje totale nga publiku është e pakuptimtë, madje krejt në dëm të demokracisë që Republika të çrregullohet më tej. Pra, me mosmarrjen e përgjegjësive të duhura nga PD-ja kemi një realitet që do të thotë se një super-mazhorancë të ketë nën kontroll edhe të gjitha institucionet e shtetit. Në këtë kuptim po prodhohet një konfuzion i ri politik, që duket se do të jetë edhe më i madh se ai i deritanishmi, që ia kishim veshur institucioneve që i kontrollonte Berisha apo PD. Shqetësuese është lufta e të gjithë strukturave politike me Institucionet e pavarura, ku identifikohet koncepti i shtetit me mënyrën e administrimit të tij.

Shqipëria që si formë regjimi ka zgjedhur Republikën Parlamentare ka të precizuar në kushtetutën e saj se ka ndarje pushtetesh dhe mu kjo krijon ekuilibrin e funksionimit të shtetit. Institucionet e Pavarura janë garantët e sistemin demokratik dhe tregues të performancës së shtetit. Qeveria aktuale jo vetëm i ka numrat, por i ka edhe të të gjitha mundësitë që për mbarëvajtjen e punëve  dhe shtjellën e ideve të veta të marrë të gjithë institucionet e pavarura, nëse PD do ta shtyjë këtë Reformë për kalenda. Në një farë mënyre ato do krijonin një ndjesi sundimi pushteti, mu ajo që i ndodhi Berishës dhe e bëri aq të urryer madje edhe mes elektoratit të vet.

Drafti i lidhur për Drejtësinë përbëhet nga 58 nene, të cilat prekin të gjitha dispozitat kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, pra prej institucioneve më të larta: Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, KLD-ja, Prokuroria etj.  Kushtetuta e deritanishme, pa ndryshimet, përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.

Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës dhe anëtarët e KLD-së zgjedhin, me propozim të Presidentit, një Zëvendëskryetar prej rradhëve të veta, për të organizuar veprimtarinë dhe për të kryesuar në mungesë të Presidentit, i cili me reformën e re, zhvishet nga shumë atribute.

Të gjithë ndryshimet, që këtej e tutje, maxhoranca aktuale mund t’i bëjë me vetëm 36 vota, që do të thotë një shtet, ku maxhoranca do sundojë dhe nuk do drejtojë, kjo paradoksalisht për fajin e opozitës së tanishme, që po tregon se nuk është fare konsekuente në propozimet e saj, por edhe në mbarëvajtjen e të gjithë procesit.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU