SPECIALE / Kushtetuta e Shqipërisë e arnuar plot 17 herë në histori

Nga Ben Andoni / JAVAnews.al

Kakofonia e zërave që lidhen me Reformën në Drejtësi, masiviteti i burimeve që po merren me Reformën dhe investimi tërësor i politikës e ka bërë krejt të pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë fillimin e procesit të Drejtësisë, që ndjek miratimi 100% i draftit të saj në parlament. Ndërkohë që ka plotësuar historinë e ndryshimeve kushtetuese, që deri më tani, ka kapur numrin 17, një shifër që të frikëson për gjendjen aspak të qëndrueshme të pushtetarëve shqiptarë dhe përballjen e homos-albanicus me dokumentin themeltar të shtetit.

Nëse do kthehemi pak pas, gati një vit e gjysmë më parë, një projekt-draft i Komisionit të Venecias mbi projekt-amendamentet kushtetuese të reformës në sistemin e drejtësisë, tërhoqi të gjithë vëmendjen e specialistëve duke parashikuar atë që e priste ngrehinën e Drejtësisë shqiptare. Një përpjekje e re, por jo e panjohur për konstitucionalistët, që në pothuaj 30 faqe kishin marrë nga burokratët skrupulozë të Venecias piketat e reja bazë të reformës së fundit, të cilën duhet të fillonin. Të parët që e shqyrtuan atë ishin specialistët që ishin të lidhur me dy kampet për të bërë kalkulimet e tyre për partitë. Rezultati i parë dhe kryesor ishte votimi me 140 vota, që shihet njëkohësisht si problematik për cilësinë e vërtetë të tij. Në orët e fundit, teksa palët ndahen mes festimeve dhe dyshimeve, jemi që pa filluar implementimi në një si ngërç të ri për shkak të qëndrimit të Opozitës, e teksa kryetarit të Kuvendi i është dashur të ndërpresë vizitën e tij komode në SHBA, me rastin e Konventës së Demokratëve, duke iu gëzuar fitores që ia mveshën shumica e servilëve të tij.

Deri pak kohë më parë, d.m.th. para se të inincoheshin ndryshimet që do pësojë tashmë Kushtetuta, pretendohej se Dokumenti themeltar i vitit 1998 ishte një kushtetutë moderne dhe me bazën e mjaftueshme për konfigurimin e një Republike të re shqiptare në kushtet aktuale të zhvillimit politiko-ekonomiko-social-kulturor të vendit. Dokumenti i fundit themeltar i shtetit u përshtat përfundimisht, pas një udhe të gjatë më 12 shtator 1998 përmes një referendumi mbarëpopullor. Kjo kushtetutë e përcaktonte Shqipërinë si republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm, si dhe me qeverisje të bazuar “në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Nuk mund të zgjatemi me elementë të tjerë, pasi nuk janë qëllim i këtij shkrimi, kurse Preambula përcaktonte motivet e nxjerrjes së kushtetutës në atë kohë, ku në tetëmbëdhjetë pjesë vlerësohen parimet themelore, karta e të drejtave, degët e qeverisë, institucionet e pavarura etj. Dokumenti themeltar ka sjellë shumë amulli prej mosrespektimit të tij. Për hir të së vërtetës, Reforma në Drejtësi, njësoj si të gjithë reformat, janë në evoluim të vazhdueshëm, paçka se ndryshimet e fundit, janë kaq të mëdha, saqë na prezantojnë me gati themelimin e një Republike të re. Nga specialistët thuhet se këto ndryshime, lidhen me dobësinë e vetë strukturave tona të drejtësisë që e kanë pasur të pamundur të shkojnë në kahun e duhur të zhvillimit dhe ndihmës për funksionimin e shtetit, kur ato duhej të bëheshin në momentin kur institucionet kushtetuese s’janë më të afta të funksionojnë si duhet.

Princ VidiNë histori

Ndryshimet e tanishme kushtetuese s’janë të fundit, teksa në këto vite kemi pasur disa syresh. Çdo ndryshim në kushtetutë, quhet një kushtetutë e re sipas konstitucionalistëve. Dhe për të parë zallamahinë tonë, duhet kuptuar se ndryshimet përgjatë të 100 viteve të ekzistencës kanë arritur deri në plot 17 herë. Ç’ka do të thotë se politikbërësve kombëtare u është dashur ta arrnojnë shumë herë ligjin themeltar të shtetit, prej mosfunksionimit të tij.

“Nëse mendohet për ndryshime kushtetuese, kjo do të thotë se ndryshime të tilla duhen bërë. Çështja është se kush i mendon. Partitë? Nëse po, kjo duhet marrë me rezervat më të mëdha. Partitë gjithnjë, nga logjika e partisanship-it, zor se mund të kenë si parësore interesa të përgjithshme. Te ne aq më pak. Por kjo vihet re kudo nëpër botë. Nga grupi tek kombi, ka në mes anonimitet. Çfarë është, në thelb, një popull, një komb? Emra e mbiemra të përveçëm, të mbledhur së bashku? Nëse populli, kombi ekziston në vetvete, kjo është e mundur vetëm kur perceptohet si i tillë. Perceptuesi me efekte pushteti është vetëm politika, për shkak të një ligjësie që na vjen nga historia”, citohet Kristaq Traja i intervistuar për “Java”, në një intervistë të paradokohshme të tij.

regjencaDuket se ndryshimet më shumë se sa nevojë kanë qenë kërkesë e politikës shqiptare për t’u orientuar në xhunglën e saj. Dhe, ndryshimet më të mëdha kanë ndihur në demokraci.

Kushtetuta e sotme e Shqipërisë e plotë mban datën e 12 shtatorit 1998, që u bë përmes referendumit mbarëpopullor. Sipas kushtetutës, organi ligjvënës përbëhet nga një dhomë – Kuvendi – dhe ka 140 anëtarë, të cilët zgjedhin Presidentin e Republikës, si dhe Këshillin e Ministrave, të ngarkuar me pushtetin ekzekutiv.Asambleja1946

Po të shkojmë në invers, duhet sqarojmë se në vitin 1994 u zhvillua i pari referendum në historinë e shtetit shqiptar lidhur me ndryshimet kushtetuese. Konfigurimi i atëhershëm ishte dykahësh: PD që ishte pro dhe PS me aleatin e saj të atëhershëm PSD kundër, kurse abstenuan një pjesë e partive të djathta, që do i jepnin kahun përfundimtar fatit të këtij dokumenti. Pati një përqindje pjesëmarrje plot 80%: nga të cilat 53% votuan kundër dhe 41 % votuan pro. Rezultati ishte një nga goditjet më të mëdha që kishte marrë Berisha deri në atë kohë dhe fillimi i trandjes së tij. Ajo që erdhi më pas ishte katastrofë, kurse pas ngjarjeve të ’97 puna për kushtetutën e parë demokratike të Shqipërisë solli miratimin me votim direkt (referendum) më 21 tetor 1998.

1976 PPSH 35 vjetDeri më atëherë funksiononte një paketë kushtetuese, e cila rregullonte parimet e funksionimit të shtetit shqiptar në realitetet e reja me të cilët u gjend shteti ynë. Në fakt, që në vitin 1992-1993 ishin bërë disa ndryshime që falë konsensusit (kjo edhe se PD në atë kohë kishte maxhorancë) patën jetë. Dhe falë kësaj statusko-je ata provuan një draft kushtetues që rezultoi të ishte nul.

Pak më parë këtyre ndryshimeve, në vitin 1991, një komision kushtetues i ngritur nga ish PPSH, duke marrë parasysh stigmën që ishte me të nuk arriti të prodhojë dokument që do merrte miratimin e palëve. Anipse disa javë më vonë u arrit që të kishte dispozita që i shkonin anulimit të Kushtetutës së vitit 1976, e cila kishte drejtuar Shqipërinë në momentin më të vështirë të historisë së saj komuniste.

Por, le të kthehemi dhe njëherë në vitet ’90. Ndryshimet që do i bëhen Kushtetutës do jenë disa syresh. Që nga viti 1998, mandati kushtetues i qeverisjes vendore ishte 3 vjet, por parlamenti shqiptar do e ndryshonte sërish në 2007 kushtetutën duke e rritur mandatin në 4 vjet. Dhe, një vit më vonë, vinë ndryshimet më të mëdha. 2008 do mbahet mënd si viti që ka sjellë këtë realitet që jetojmë edhe sot. Dy elefantët e politikës shqiptare, PS dhe PD do angazhoheshin në një proces të shpejtë dhe bilateral, çuditërisht tejet bashkëpunues mesvete, të ndryshimit të kushtetutës në disa elementë thelbësor të saj. Procesi u mbyll me votim konsensual midis dy partive kryesore politike në prill 2008, ku LSI u investua e gjitha kundër saj, por pa sukses. Ndryshimet e këtij viti kanë qëlluar më radikalet sa i përket zhvillimeve të vendit sepse kryetarët e partive u bënë të plotfuqishëm. “Kjo sepse që këtej e tutje u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, KQZ u hoq tërësisht si institucion nga kushtetuta dhe u kalua me trajtimin një ligjin zgjedhor, u vendos mandat për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga tre në katër vjet. Ndryshimi thelbësor i paktës kushtetuese 2008 kishte të bënte me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mbi pozitën e Kryeministrit ndaj parlamentit.1991 qeveria betimi kryeministrit

Nga modeli i zgjedhje s së Presidentit me shumicë të cilësuar u kalua me zgjedhje me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit, duke e ulur ndjeshëm peshën dhe rolin e Presidentit në jetën politike dhe institucionale. Ndryshimi tjetër i dha mundësi kryeministrit të zgjerojë kontrollin mbi parlamentin përmes mocionit konstruktiv, sipas të cilit, kryeministri me mocion besimi mund të provokojë në çdo kohë zgjedhje të parakohshme dhe se shkarkimi me mocion mosbesimi bëhet teknikisht thuajse i pamundur”, citohet politologu Afrim Krasniqi.

Duket se kjo i dha shpejt mosfunksionimet e saj dhe  u pa se ishte e pamundur të flitej për parime kushtetuese transparente, ndarje dhe balancë të pushteteve. Jo më kot, jemi dëshmitarë të përplasjeve të vazhdueshme të gjithë presidentëve që kanë ardhur në vitet e fundit me institucionet e pavarura.

Ndryshimi tjetër nuk do zgjaste shumë. Ai ndodhi në 2012, kur si zakonisht palët kryesore politike, përsëri nën presion ndërkombëtar, arritën një konsensus tjetër për ndërhyrje në Kushtetutë, që kishte të bënte me kufizimin e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë. Këto mund të themi se ishin ndryshimet e post-demokracisë, por që sot e kësaj dite janë në tarim, sepse nuk kanë dhënë rezultatin e duhur të funksionimit të drejtë të gjithë hallkave të shtetit.

26-majiPara demokracisë

Më 1976, aprovohet një kushtetutë tjetër e plotë, që e stilizon Shqipërinë si “Republikë Popullore Socialiste”. Në preambul shënohet se Shqipëria është Republikë Popullore Socialiste. Në Nenin 2 preçizohet se: Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit, që shpreh e mbron interesat e të gjithë punonjësve. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë mbështetet në unitetin e popullit rreth Partisë së Punës të Shqipërisë dhe ka në themel aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste nën udhëheqjen e klasës punëtore. Neni 3 Partia e Punës e Shqipërisë, pararoja e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë. Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi. Në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist.

Sistemi monopartiak, bashkë me mungesën e lirive themelore të njeriut, si dhe prishjen me aleatin e asaj kohe Kinën, ka sjellë vështirësi të panumërta dhe pakënaqësi, që nuk arrijnë të artikulohen prej represionit politik-policor. Shqipëria do vuajë mungesën e largpamësisë së saj. Është e privuar nga marrja e borxheve, megjithëse vendi shkon në zgrip të urisë dhe Drejtësia është e kontrolluar nga Partia në fuqi.

Deri më atëherë, Shqipëria kishte ecur me një kushtetutë të vitit 1946, që sipas realiteteve nuk mund t’i përshtatej më ndryshimeve të kohë, por që gjithsesi në thelb ishte më e mirë se ajo e vitit 1976.

Ndërsa, 30 vjet më parë, komunistët më 11 janar të vitit 1946, vetëm 14 muaj pas ardhjes në pushtet, Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, me anë të një asambleje të përbërë nga 82 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Re-publikë Popullore, nga Monarkia që ishte e shpallur prej vitit 1928. Duhet thënë se kjo kushtetutë funksionoi deri në vitin 1976 dhe me këtë Shqipëria krahas me ndihmat arriti që të bënte një sistem që i shkonte zhvillimit të saj në realitetin e Lindjes.

Në këtë histori të shkurtër nuk janë marrë parasysh ndryshimet dhe mënyra e funksionimit të shtetit shqiptar në kohën e kolaboracionizmit. Shqipëria kishte një qeveri kuislinge dhe një Këshill Regjence, që kryente funksione legjislative. Vendi udhëhiqej nga disa dispozita speciale në funksion të shtetit, që kishte shpallur statusin neutral. Gjermanët u munduan ta respektonin dhe madje t’i asistonin por ky trup i huaj nuk funksionoi dot. Për të mos thënë se veproi turpshëm, kur probleme të Drejtësisë së brendshme, ajo i atashonte në administratën gjermane, që kishin shpallur mospërfshirjen dhe respektin për neutralitetin e vendit!!!

Ndryshimi më i plotë kushtetues i deri më atëherë ishte ai i vitit 1928, që ndjek dokumentin e vitit 1925, kur Shqipëria shpallet mbretëri demokratike e parlamentare. Dokumenti i këtij viti është po ashtu bazik. Organi ligjvënës përbëhej prej një dhome, ndërsa pushteti ekzekutiv i takon vetëm kreut të shtetit, Mbretit, që dekreton kabinetin e përbërë nga kryeministri dhe ministrat. Shqipëria, nën këtë ligj, do ketë disa qeveri dhe do bëhen përpjekjet e para që Shqipëria të funksionojë me kanonet e vërteta demokratike.

Kjo kuptohet zgjat deri nëpushtimin fashist dhe largimin e detyruar por edhe të turpshëm Mbretit Zog nga Shqipëria, kur edhe de facto kjo kushtetutë merr fund. Ata që kishin ëndërruar me mbretin, një grup i plotë ligjvënësish shqiptarë, bëhen menjëherë bashkëpunëtorët e pushtuesve dhe i dhurojnë në mënyrë ceremoniale kurorën shqiptare një shteti tjetër, në këtë rast Viktor Emanuelit III, mbret i Italisë, akt ky që dhunoi kushtetutën e Mbretërisë Shqiptare. Por, që filloi edhe një realitet të ri me ndryshimet e diktuara, tashmë si koloni e Italisë.

Dhe para, dokumentit të vitit 1928, dokumenti më i parë kushtetues është ai që vjen me të ashtuquajturin Triumf të Legalitetit, fitores së Ahmet Zogut ndaj qeverisë të udhëhequr nga Fan Noli. Më 1925 u shpall Ligji Themeltar i Republikës Shqiptare. Dhe, duam apo jo: Kjo republikë bazohet në modelin e Republikës së Tretë Franceze (1870-1940), ndërsa mund të quhet parlamentare, pasi në krye ka një president të fuqishëm, siç është Zogu që tashmë ka atributet e kreut suprem të shtetit, por edhe është shef i ekzekutivit. Pushteti ligjvënës ndahet ndërmjet dy dhomave të parlamentet, asaj të deputetëve dhe Senatit.

Dhe, akoma më e hershmja dhe ndoshta e para fare është ajo që Fuqitë e Mëdha servirin për Shqipërinë që të ketë një formë monarkike të qeverisjes. Sipas Statutit Organik, siç quhet dokumenti themeltar kushtetutës së atëhershme, Shqipëria ishte mbretëri kushtetuese me në krye Mbretin Vid, i cili nuk mund të jetojë as gjashtë muaj në Shqipëri.

Ashtu si ndodh në Shqipëri dërrmën do e marrë nga një fshatar i pashkollë që do të revokojë perandorinë osmane që sapo ka vdekur, e që falë dhe konjukturës së kohës Luftës së Madhe, e bën dokumentin e parë kushtetues të vendit krejt e të papërdorshëm.

E fundit, nëse do të shtyhemi deri në kohën e Pavarësisë lidhet me përpjekjet e Ismail Qemalit, babait të indipendencës shqiptare. Ai shkon deri në përpjekjen që të kryesojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që shpall Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Si kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Ai udhëheq me dekrete të jashtëzakonshme duke bërë kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Nuk mund të shkojë shumë me atë pozicion që ka shteti i tij, njohja e të cilit do bëhet më vonë. Gjëja më e madhe ishte Mbrojtja që bëri pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të të Drejtave të Ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit etj. Ashtu si pritej, edhe ai nuk mund të vazhdonte gjatë. Konjukturat dhe loja e tij jo aq e ndershme, sipas dëshmive të kohës, e bëjnë që të japë dorëheqjen.

Ky ishte një ekskursion i vogël në ndryshimet kushtetuese në vend, mu ato që po ndodhin sërish dhe që me këto të fundit e bëjnë ndryshimin e formës së funksionimit të shtetit shqiptar në plot 17 herë, një numër që është i denjë për historianët konstitucionalistë të shikojnë bashkë me sociologët prirjet e homos-albanicus të 100 viteve të fundit…

lsi greve 2008

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU