SPECIALE / Hidrologu Kolaneci: Si shpëtoi lumi Radika falë elementit mjedisor

Moli fotoEdhe njëherë për Radikën dhe luftën për të mbrojtur atë. Hidrologu Molnar Kolaneci shpjegon të gjithë kalvarin për Javanews, por edhe punën e madhe dhe rëndësinë e kauzës, ku është bashkuar interesi ekonomik kombëtar me atë mjedisor. Libri i fundit që mban si bashkautorë tre studiues, Jegeni, Kolaneci dhe Shatku hedh dritë për problemin ndërkufitar me Lumin e Radikës në Maqedoni, të Drejtën Ndërkombëtare që është shkelur për të, dhe si ia doli që të ndalojë realisht projekti që dëmton mjedisin…

 Intervistoi Ben Andoni

Janë disa kauza që kërkojnë realisht bashkim. Një e tillë ka qenë ajo, e cila lidhet me Lumin Radika dhe që u ngrit si shqetësim nga komuniteti shqiptar i Maqedonisë se do të devijohej. Menjëherë u futën në aksion disa linja, ku veç studiuesve shqiptarë të hidrologjisë u bashkuan dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe mbi të gjitha komuniteti lokal. I gjithë ky bashkim bëri që BERZH-i, të pranojë se nuk do e financonte projektin maqedon…Problemi i Radikës kishte të bënte  me disa projekte hidroenergjetike të vendit fqinj që kërkonin të tjetërsonin rrjedhën natyrale të lumit që aktualisht rrjedh drejt Drinit të Zi në Shqipëri dhe me tej në detin Adriatik, që të kalonte në të ardhmen në lumin Vardar dhe më tej në Greqi dhe të derdhej në detin Egje. “Kjo është në kundërshtim me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Këto projekte cenojnë ndjeshëm edhe mjedisin”, thotë hidrologu i njohur Molnar Kolaneci, një nga aktivistët që ofroi ekspertizën e hidrologjisë. Së fundmi, ai me dy kolegë të tij inxhinierë, kanë përgatitur një libër me titull “Dibra e Madhe dhe Radika”, ku tregohet në mënyrë të detajuar e gjithë kjo përpjekje në aspektin hidrologjik, dokumentor  dhe ekonomik…

  

Cili është thelbi i problemit në librin, që lidhet me lumin Radika dhe pellgun e tij ujëmbledhës?

“Libri, i përgatitur së fundi, është historik dhe mjedisor (shkencor). Shtysa ishte problemi i devijimit të lumit Radika që u ngrit për herë të parë nga komuniteti dibran në Maqedoni. Mbas përfshirjes edhe të komunitetit shqiptar si organizata mjedisore dhe shoqata e dibraneve, problemi filloi të ndërkombëtarizohej dhe pas kësaj lindi ideja për të gjetur materiale për librin për Radikën dhe vetë Dibrën e Madhe”.

Çfarë ecurie ka në ditët tona sa i përket si zhvillim?

“Problemi i Radikës është që kërkohet nëpërmjet disa projekteve hidroenergjetike të tjetërsohet rrjedha natyrale e lumit të Radikes, që është drejt Drinit të Zi në Shqipëri dhe me tej në detin Adriatik dhe të kalojë në lumin Vardar dhe më tej në Greqi dhe të derdhet në detin Egje. Kjo është në kundërshtim me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Këto projekte cënojnë ndjeshëm edhe mjedisin”.

A është e përgatitur Shqipëria sa i përket të Drejtës Ndërkombëtare të mbrojë interesat e saj në lidhje me këtë lum?

“Në libër është thënë se gjate kohës që materiali ishte në fazën e botimit, Komiteti Drejtues i Konventës së Bernës vendosi ti rekomandojë qeverisë së Maqedonisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) e organizatave të tjera financiare të mos vazhdojnë me projektet e Lukovo Pole dhe Boskov Most duke cituar një nga arsyet kryesore dëmin që këto mund t’i shkaktojnë gjitarit të famshëm të Parkut Kombëtar të Mavrovës: rrëqebullit të Ballkanit. Më 9 Dhjetor 2015, BERZH vendosi ta pranojë plotësisht rekomandimin e Komitetit Drejtues të Konventës së Bernës për të mos financuar projektet hidrologjike në parkun e Mavrovës për rreziqet ekologjike që paraqesin. Pra përpjekjet për të ndaluar devijimin e lumit Radika ia dolën me sukses në sajë të bashkimit të argumenteve ku predominoi argumenti mjedisor.

Mendoj se Shqipëria i ka kapacitetet të mbrojë interesat duke u bazuar te e Drejta Ndërkombëtare. Po vë në dukje se edhe në marrëveshjen me Jugosllavinë për ujërat e viteve 1956 dhe 1962 një nga parimet kryesore të këtyre marrëveshjeve ishte e Drejta Ndërkombëtare për ujërat”.

Cila është përqasja juaj në libër dhe si e keni trajtuar?

“Në libër flitet për pasuritë ujore të trevës se Dibrës duke u fokusuar të lumi Radika dhe problemet që e kërcënojnë këtë pellg ujor si në aspektin ujor ashtu dhe atë mjedisor. Një vëmendje i është kushtuar dhe paraqitjes se konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Njëkohësisht është argumentuar në baze të marrëveshjes që ka mbetur ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë se pse ajo marrëveshje është tashmë e ezauruar dhe pse nuk mund të aplikohet në kushtet e sotme”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU