Sot, Teodor Keko 60 vjeç

REDAKSIA JAVANEWS / Ka njerëz të cilët e kalojnë të gjithë jetën në anonimat. Ka njerëz të cilët njihen me emër dhe mbiemër. Ka të tjerë për të cilët mjafton edhe shkurtimi i emrit për të dëshmuar nje qënie të veçantë njerëzore. Për të shenjuar një njeri përtej të zakonshmes; për të dëshmuar prani edhe me mungesën e tyre.

Teodor Keko ose ‘Dori i Vogël’ ishte një njeri i madh. Shkrimtar dhe publicist. Publicist dhe qytetar. Qytetar dhe shkrimtar i angazhuar, Dori që iku 16 vite më parë nga ne, sot do të ishte 60 vjeç.

Është pothuajse e pamundur që të bëhet një portret fjalësh për ‘Dorin e Vogël’.

Sepse Dori ishte vetë një mjeshtër fjale dhe si i tillë ai do të zgjidhte të tallej me fjalët e çdokujt për veten e tij.

Në jetën e tij të parë, Dori ishte gazetari dhe shkrimtari. Mbas viteve `90 Dori shtoi një përmasë më shumë në biografinë e tij, politikën.

Dori u bë politikani atipik i fillimit të pluralizmit shqiptar, shpirt i dhembsur dhe vizionar. Luftëtar në opozitë me të keqen dhe ëndërrues për një Shqipëri tjetër, për një Shqipëri më të mirë.

Dori, ky qytetar evropian nga Tirana, mungon sot në praninë e tij dhe është i pranishëm me mungesën e tij. Sepse Dori është një fenomen nga ata për të cilët nuk pritet vdekja për t’i thënë se e kanë dashur të gjithë. E kanë dashur miqtë dhe e kanë respektuar edhe kundërshtarët. Sepse njerëz si Dori, armiq të të ligës, nuk kanë pasur kurrë armiq vetjakë.

Sepse e tillë është jeta e një shkrimtari, sepse i tillë ishte Dori që sot bashkëshortja dhe fëmijët, vëllai i tij i përkushtuar dhe një pafundësi njerëzish që ende e kujtojnë të qeshurën e tij kumbuese i urojnë 60-vjetorin. Me dhimbje. Me kuriozitetin e pafundëm për të ditur se çfarë do të kishte bërë në këto 16 vjet pranie-mungesë Teodor Keko’, miku i mirë i shqiptareve që i deshi aq shume, Dori i Vogël, ky njeri i rrallë dhe i madh në thjeshtësinë e tij sublime!

Gezuar Dor, edhe 100 vjet të tjerë kujtesë për ty!

JavaNews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU