“Sot të rinjtë më kërkojnë selfie”. Rrëfimi i plotë i Fatos Nanos

Ish-kryeministri Fatos Nano ka rrëfyer në një bisedë me gazetarin Blendi Fevziu ndjeshmëritë e një politikani, i cili pas një kohe të gjatë në pushtet, përballet me mosmirënjohjen e atyre që vetë ka promovuar.

Nano tregoi edhe një herë ndjeshmëritë e largimit nga politika dhe raportet me bashkëpunëtorët dhe miqësitë e ruajtura.

Është e vështirë të jesh i pari?

Pyetja doli me shumë kuptim. Është e vështirë të jesh i pari? Për të mos folur për një filozofi popullore që fshatarët e periudhës së luftës në zonën e Pezës, kur i përcillnin djemtë partizanë, u thoshin djemve: Bir mos rri në krye, se ha ndonjë plumb qorr, por edhe në fund mos rri, se të kapin rob.

Kështu që duhet të jesh gjithmonë diku nga mesi?

I pari në të gjithë spektrin që ju e përmendët nuk ka të bëjë vetëm me radhën e shfaqjes, por ndoshta edhe me fenomenet dhe problemet që janë shtuar. Është e vështirë të jesh i pari, sidomos në Shqipëri, sepse politikanët shqiptarë dolën nga një periudhë e gjatë komunizmi dhe, mesa duket, në mendjet dominante, edhe të klasës politike, vazhdonin të ishin të pranishme konceptet e Luftës së Ftohtë. Bardhezi. Cilido që është përballë dhe kërkon pushtetin për të cilin po luftoj vetë, është armik. Nga kjo pikëpamje, pjesa dominante e politikës dhe e politikanëve shqiptarë e 20 viteve që po flasin, kanë qenë shumë konvencionalë. Ju falënderoj që ju e keni shënuar faktin që unë nuk isha përgjithë- sisht konvencional dhe, mesa duket, mënyra e veçantë me të cilën i kam ushtruar gjërat, kam kërkuar partneritet, nuk është gëlltitur dot nga mjedisi i madh i politikës postkomuniste. Prandaj edhe i pari shpesh ngelet edhe vetëm (qesh).

Ngelet vetëm, por qëllon të ngelet në fund?

Në kuptimin kur në fund vjen ëmbëlsira, pse jo.

Prej 20 vjetësh ke qenë në “Opinion”. Kë mendoni si emisionin më të vështirë dhe deklaratën më të sikletshme? Të gjithë do mendonin debatin me Berishën. Kam përshtypjen që nuk do të jetë ai?

Ai meriton të gjithë vlerësimin, sepse është një emision që jo thjesht nga emocionet që takoheshin dy njerëz që i kishte ndarë burgu, por që ndodhte për herë të parë një takim publik i dy drejtuesve të kampeve politike në Shqipëri. Po vazhdojmë të flasim me logjikën e Luftës së Ftohtë. Por ndoshta nuk gabohem të them që intervista më e vështirë, por edhe më e arrirë, ka qenë ajo e 2001-shit në prag të katarsisit.

Ishte një gjest në atë kohë që mori shumë vëmendje, të ndaheshe nga gruaja dhe të deklaroje një lidhje tjetër live në TV, ishte njëlloj risie. Si e more vendimin?

Nuk më mbetet vetëm të përsëris ato që thashë atëherë. Mora një vendim që erdhi natyrshëm nga, për fat të keq, i konsumimit të martesës së parë, shumë i vështirë për shkak të një familjeje shumë të shëndetshme që kishim krijuar bashkë me bashkëshorten, Rexhina. Dhe që për fat të mirë më në fund, pavarësisht nga një zgjidhje me sëpatën e dardarit, siç ndodhin fundet e bashkëjetesës në Shqipëri, e kemi menaxhuar me shumë kujdes dhe sot kemi një gjendje me dy familje sigurisht, të cilat edhe janë shtuar, krejtësisht normale, dhe që na lejon të marrim frymë shumë më lirisht.

Je penduar që je marrë me politikë?

Jo, nuk mund ta them këtë gjë, sepse është vonë për të pyetur veten çfarë mund të bëja tjetër dhe herë pas here i kthehem arkivit dhe më del se nuk e kam bërë keq punën. E kam bërë me shumë dashuri.

Ka qenë një kohë që politika ka pasur pasion më të madh, jo vetëm nga ju, por edhe nga kundërshtarët tuaj, pra të gjithë ata që angazhoheshin në politikë…

Me keqardhje më duhet ta pranoj këtë gjë. Sot jemi larg parametrave të përjetimit jetim të ngjarjeve dhe ballafaqimeve politike.

Në atë kohë ishte pasion, sot është edhe pak biznes kam përshtypjen politika?

Nëse e bëjmë kompromisin që biznesi s’ka pasione fare, atëherë është krejtësisht biznes.

Keni qenë 4 vite në burg, ndërkohë keni qenë disa herë Kryeministër i Shqipërisë. Po ta marrësh nga kohëzgjatja, ndoshta jeni më jetëgjatët në Shqipëri. Keni humbur apo fituar më shumë nga ky angazhim?

Kam fituar formim. Kam fituar në rreth shoqëror. Kam fituar në marrëdhëniet reciproke, vlerësimin e madh që më japin njerëzit kudo, jo vetëm në Shqipëri. Dhe sigurisht kam humbur disa nga vitet më të mëdha të jetës, që mund të kishin kaluar ndryshe, por nuk jam i përgatitur të arsyetoj se çfarë lloj fitimi do të kishin pa politikën.

Ju keni qenë nga njerëzit më të fuqishëm të këtij vendi. Keni marrë njerëz që i keni ngritur menjëherë në pozita të larta, u keni dhënë pushtet. Në momentin që nuk e ke fuqinë e parë dhe shkëputesh, jep dorëheqjen, sipas një deklarate që kishe bërë që do të largohesh. Pasi je larguar, në jetën tënde, njerëzit që ke ndihmuar të braktisin kur nuk e ke më fuqinë?

Është një sjellje ciklike në Shqipëri. Unë që kam avancuar jo vetëm në moshë, por edhe në distancë nga politika aktive. U bënë 10 vjet, edhe më shumë, jam në gjendje të dalloj këtë lloj zhvillimi ciklik. Shfaqja e parë e këtij raporti është mungesa e mirënjohjes. Kthimi i kokës në anën tjetër.

Është evidente? Ndihet?

Ndjeshëm. Ndjehet në mënyrë të tillë që duhet të kesh përgatitjen për ta përballuar. Më pas kur davariten edhe emocionet e atyre që adoptojnë këtë sjellje, sepse sigurisht reagimi i parë bëhet në funksion të një karriere që duhet të vazhdojë në parti. Kur pastaj davariten edhe tymnajat që kanë errësuar gjykimin mbi figurën time në këtë rast, njerëzit kthehen. Dhe kthehen jo thjesht duke kërkuar ndjesë, qoftë edhe nëpërmjet mënyrës së reagimit dhe sjelljes, por edhe duke rivlerësuar se përse vallë janë bjerrë një numër vlerash dhe arritjesh që i bëmë së bashku atëherë. Ky është një kompensim shumë i madh.

Po njerëz mirënjohës, ka?

Ka, por janë specie e rrallë dhe natyrisht janë nga miqtë e mi më të patundur.

Është e vështirë për një njeri shumë të fuqishëm, që befas një ditë mos ta ketë këtë fuqi, të paktën vizivisht, pra përmes postit, se fuqia e njeriut jo gjithmonë njihet nga posti? A të mungon pushteti?

Nëse pushtetin do ta quajmë fuqinë për të vendosur për fatet e të tjerëve, jo. Nuk më mungon, sepse ka qenë një përjetim shpesh në zgrip. Duhet të kishe përgjegjësinë dhe kthjellësinë maksimale që çdo vendim të merrej të paktën në dobi të shumicës së qytetarëve dhe pastaj të kishe një mekanizëm për të rikuperuar dëmet që mund t’i bëje pakicës. Në këtë pikëpamje, jo. Por, nëse pranojmë se pushtet do të thotë edhe emër i mirë, edhe vazhdim i shfaqjes së admirimit. Sepse shumë të rinj nuk kishin lindur në atë kohë dhe që vijnë natyrshëm edhe kërkojnë një foto, unë prej tyre po mësoj edhe “selfie”-n, sepse duan provë që dëshmitë familjare kanë qenë të vërteta.

Çfarë nuk e duron fare në emisionin tim?

Po shikoja një pjesë të intervistave tona. Duhet ta them, jemi bërë të dy vitalë. Kemi qenë të dy më të bukur, më të vërtetë dhe më të thellë. Kemi qenë edhe shumë më seriozë. Por ndoshta, sepse profesioni juaj ka shumë ritëm, ndoshta për të mbajtur këtë ritëm, sepse nuk e ke fajin vetëm ti, nuk të lë të mendohesh thellë për të reaguar. Një këshillë do ta jepja si partner, gjej kohë dhe shikoje veten tënde në intervistat më të mira që ke bërë. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU