Sot i jepet lamtumira Dritëro Agollit, epitafi që la amanet t’i shkruhet mbi varr

Homazhet mortore për shkrimtarin Dritëro Agolli do të zhvillohen ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve, nga ora 10.30 në orën 13.00.

Këshilli i Ministrave krijoi Komisionin shtetëror bashkërendues të punës per ceremonitë, që përbëhet nga kerët më të lartë të shtetit.

Gjithashtu, nuk mungojnë figura të tjera të letërsisë shqiptare si Ismail Kadare, Bardhyl Londo dhe Xhevahir Spahiu, si dhe kompozitori Limoz Dizdari dhe akademikët Ali Aliu, Rexhep Ismajli, Luan Starova, etj.

Dritëro Agolli Ndërroi jetë të premten pasdite në moshën 85-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje në mushkëri.

Në poezitë e botuara në 85-vjetorin e lindjes, shkrimtari i madh Dritëro Agolli tallej me pleqërinë dhe vdekjen përmes vargjeve në vëllimin poetik “Më prit edhe pak.

Në poezitë e fundit, ai kishte shënuar edhe variantin për epitafin që donte t’i shkruanin mbi varr.

Epitaf për veten time

-variant-

Përjetësisht këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, por s’e lanë.

Prit edhe pak

Zhurmën pushoi rruga
Nuk lëviz një gjeth,
Fle veriu, hesht juga,
Hënë e lodhur zverdh.
Heshtin qiell e tokë,
Reja nuk derdh shi,
Prit edhe pak kohë,
Të pushosh edhe ti.

Testamenti
O toka ime që të lërova e të thura këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?
Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,
Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU