Sot është dita e shenjtërimit të “Nënë Terezës”. Krerët e shtetit kanë dhënë mesazhe për këtë ditë të veçantë.
Presidenti Ilir Meta shkruan se “Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore”.
“Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë. Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Edhe kryeminsitri Rama ka shpërndarë një mesazh përmes faqes së tij në Facebook.
“Në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj, është fjala që më ndihmon shpesh në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime, ‘Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën’ Ditë të paqme”, shkruan Rama teksa shpërndan një video të një familjeje të varfër që jetonte në mjerim, e cila është strehuar në një banesë normale./a.m.