Pacific Rim

Nga Sokol Balla

Rim Spahiu është një ish-bankier dhe i njeh mirë politikat e riskut. Ai e di shumë mirë sa mundësi ka, që të fitojë përballë Ilir Metës. Ndërkohë të gjithë ne e dimë, përfshirë edhe atë vetë, se çfarë do të thotë t’i dalësh përballë Liderit pa leje. Deri tani e kanë bërë pak veta. Shumica me leje. Por Rim Spahiu nuk është Dritan Prifti. Dhe as Luan Rama.

Rimi është njeri paqësor (pacific Rim), por ama ashtu si tek filmi i Hollivudit, me të njëjtin emër por me përmbajtje tjetër (Pacific Rim), ai është në fakt shembëlltyra ekselente e situatës mes dy partive të koalicionit dhe e monstrave që fshihen nën ujë, por pa fshehur dot konfliktin mes tyre. Ai është me prindër socialistë (ndonjëherë e shohin vëngër për këtë), por në LSI kjo nuk ka si të jetë mëkat, sa kohë edhe Meta dikur vetë, ishte një socialist i thekur. E megjithatë, kur foli kundër reformës në drejtësi, segmentit të misionit të huaj monitorues, e pa veten të përzënë në çast. Atë ditë e pashë të hutuar dhe të zemëruar. Nuk kishte thënë asgjë më shumë sesa krerët e tij parlamentarë, ministrat e partisë së tij dhe deri diku edhe vetë Meta. Sesa diskutonte edhe partia e tij, e cila çdo ditë që kalon e sheh veten gjithnjë e më në luftë të heshtur me PS.

Por LSI, perceptohet sot jo si parti, por si garnizon ushtarak, që duhet t’i bindet humorit të Liderit, i cili sa herë paqtohet me Liderin tjetër Maksimus, kërkon që e gjithë partia, përfshirë dhe Rimin, të mendojnë njëlloj me të.

Meta është pa diskutim sundues autoritar i partisë së tij. Shezai Rrokaj për shembull mund t’i kishte kursyer vetes frazën “Unë fitoj të gjitha betejat ku futem”, pasi ndonjëherë jeta e shkëlqyer akademike nuk është komardare për spektakle humori politik. Rimi nuk ka thënë se do të fitojë. Ai thotë se do ngrejë Platformën e Pakënaqësisë ndaj Qeverisjes. Dhe Meta e di, se këto pakënaqësi, mund të shtohen një ditë, nëse perceptimi se ushtarët duhet të “vdesin” për lavdinë e liderit, zë rrënjë edhe brenda partisë së tij. Ilir Meta e di, se një ditë këto pakënaqësi, që ai herë i stimulon, e herë i shuan me forcën e Unit, mund të dalin jashtë kontrollit. Dhe se në situata të turbullta e të paqarta, lideri udhëheq me shembullin e tij dhe jo me forcë.

Sigurisht në një vështrim të parë skema duket e thjeshtë, bile edhe infantile: të sajosh një garë dyfish falso: një për kreun e LSI dhe tjetra për të ngritur një kartë sasiore dhe cilësore pakënaqësie e për t’ja tundur Edi Ramës e marrë më shumë në negociatat për një marrëveshje të re pë 2017, të cilën Meta në Top Story e paralajmëroi: jo si të pamundur, por si të vështirë.

Por ndërsa nga e djathta po fillojnë të dalin zërat e para se Basha për të patur LSI me vete, është gati t’i lërë atij edhe postin e kryeministrit, deklarata e Metës po atë të enjte se në fushatë do futet si kryetar i LSI, është sinjali më i fortë deri tani, se përballë ofertës së Ramës për ta bërë president, kjo e Selisë Blu duket më intriguese. Dhe nëse PS nuk i përgjigjet realitetit të ri,  dhe do të kërkojë të heqë vetullat me Idrizin, ajo do nxjerrë sytë, përballë Inatit të Lëvizjes, që tashmë nuk është vetëm e Skraparllinjve, por ama vazhdon të mbetet streha e të Inatosurve me të majtën.

Inat i cili tashmë në LSI, ka një përfaqësues zyrtar. Jo Ilir Metën dhe ambicjen e tij për President apo Kryeministër. As një Dritan Prift jashtë kontrollit, por Rim Spahiun, të besueshmin, dibranin e mërzitur, çunin e mirë e të papërlyer, njeriun e bazës dhe të terrenit, “socialistin” DOC, paqësorin.

Pacific Rim.

Spahiu nuk është presioni i shtuar ndaj Ramës, sesa lëshimi që Meta i bën LSI. Një mea culpa spektakolare ndaj Partisë që identifikohet jo si parti, por si ushtri e ambicjeve të tij publike për majën e pushtetit. Dhe padyshim alibia e tij më e mirë nesër, kur të marrë vendimin e “vështirë” e të zgjedhë mes kryeministrit dhe presidentit. javanews

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU