Skënder Gjinushi: Reforma do sjellë burgosjen e mëkatarëve politikë

Kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka komentuar zhvillimet e fundit politike për çështjet më të nxehta dhe delikate, reformën në drejtësi; divergjencat Rama-Meta dhe të ardhmen e koalicionit qeverisës pas reformës në drejtësi; çfarë pritet të ndodhë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe a po e çon SHBA-BE Shqipërinë drejt shembullit të Kroacisë dhe Rumanisë me arrestimet vip. Gjinushi, duke komentuar qëndrimin e LSI përkrah opozitës për reformën në drejtësi, ka këshilluar dyshen e koalicionit Rama-Meta të zgjidhin divergjencat brenda vetes dhe të dalin me qëndrime të unifikuara për reforma të mëdha. Kreu i PSD tha se LSI tentoi të mbronte Lulzim Bashën, duke cenuar reformën në drejtësi, në emër të konsensusit.

Kush tentoi ta bllokonte reformën në drejtësi gjatë negociatave të fundit dhe konsensusi që u dha, ishte një konsensus gjithëpërfshirës apo i imponuar?

Për këtë faktet flasin vetë; pas mbi një vit bashkëpunimi me Komisionin e Venecias, komisioni paraqiti raportin përfundimtar me konkluzionin se projekti plotësonte të gjitha standardet, PS tha ‘OK’ për projektin, ndërsa PD shprehu rezerva. Atëherë u riformuluan tre-katër variante nga EURALIUS dhe OPDAT, dhe përsëri shumica e shumicës tha ‘Po’, ndërsa PD ‘Jo’ dhe dha vetëm konsensusin, por doli me projekt alternativ. Pra, kush është bllokuesi? Kur palët porosisin një projekt-reformë pranë ekspertëve e përfaqësuesve ndërkombëtarë, siç bënë, kur deklarojnë se do pranojnë propozimin e rekomandimet e tyre, atëherë secili përgjigjet për qëndrimin e vet. Pra, secili përgjigjet për konsensusin e vet. Në këto kushte, kush thotë ‘Po’ i shërben konsensusit e kush thotë ‘JO’ quhet pengues e bllokues. Është e mirënjohur gjithashtu që, ndërkombëtarët në mbi tre herë u detyruan të deklarojnë se bllokues e pengues pa shkak janë lidershipi i PD dhe përkrahësit e tyre, të hapur a të fshehtë. Roli bllokues e anti-konsensus i PD kulmoi me kundërshtimin e formulës së kompromisit të afruar nga Nuland. Ky variant i kërkonte PS të lëshonte në kundërshtim me rekomandimin 88 dhe PD t’i qëndronte fjalës së dhënë për rolin e ndërkombëtarëve. PS tha përsëri ‘Po’, ndërsa PD tha përsëri ‘Jo’, dha konsensusin vetëm pasi sipas saj u hoq ndërhyrja ndërkombëtare në procesin e pastrimit të vetingut.

 Pse insistonte PD në heqjen e rolit të ndërkombëtarëve dhe çfarë roli kanë ata përfundimisht sipas ndryshimeve të votuara? 

 

Sepse PD nuk do pastrim real të drejtësisë, por, përsëri nuk arritën të prishin thelbin e reformës, kalimin e ndërkombëtarëve në rol vëzhgues. Duhet kuptuar se e reja e kësaj reforme është përfshirja në të e procesit të vetingut, d.m.th të një procesi kontrolli total e pastrimi në sistemin e drejtësisë, prokurori e gjykata. Duhet kuptuar se për reformat e mëdha, për çështjet thelbësore jepet konsensusi që në fillim. Dhe që në fillim u pranua që në reformën shqiptare duhej të kryej një proces vetingu me rol aktiv të ndërkombëtarëve. PD, këtë konsensus të dhënë të mbështetur totalisht nga Venecia e prishi në fund, sepse nuk e do dhe i trembet pastrimit real të drejtësisë, proces i cili sjell pastrimin e politikës, ku disa e përkthejnë si burgosje të mëkatarëve politikë. Kjo është arsyeja pse u bllokua reforma. Kjo është arsyeja pse PD i thoshte ‘Jp’ reformës. Me të drejtë pyetet: A arriti PD ta komprometonte procesin e vetingut pasi dha konsensusin për kompromisin e orëve të fundit që, sipas saj, të huajt i lamë tek dera dhe pastrimi do të bëhet me njerëz të emëruar nga partitë përgjegjëse të pisllëkut! Fatmirësisht jo! PD votoi një formulë ku ajo me votat e saj i kthen ndërkombëtarët në rekomandues, por nuk pengoi dot që rekomandimet e roli i ndërkombëtarëve të bëhet detyrues me votë të PS. Pra, shumica e shumicës i qëndroi bindjes së tyre, që vetingu bëhet vetëm me rol aktiv të ndërkombëtarëve, e një pjesë e PD e ortak të tyre i qëndruan kthimit të vetingut në formal.

A cenohet vërtet sovraniteti me rolin aktiv që do të kenë ndërkombëtarët në procesin e vetingut? 

Secila palë delegoi te ndërkombëtarët atë sovranitet që dëshironte. Ndërkombëtarët do kenë rol vendimmarrës me votë të PS, ndonëse ky rol nuk iu dha me votën e pakicës së PD e pakicës së shumicës. Meqenëse shumica e sovranit, popullit, është për rol aktiv të ndërkombëtarëve, atëherë kuptohet se shumica e deputetëve të PS e përkthyen drejt sovranitetin e popullit, ndërsa pakica e keqpërdori atë. Mbrojtja pas sovranitetit ishte mbrojtja më dëshpëruese e më e pajustifikuar, sepse sovranitetin e ushtron populli ose me referendum ose nëpërmjet të zgjedhurve. Përsa kohë s’ka referendum, atëherë sovranitetin e ushtron shumica. Dhe ashtu si populli i delegon shumicës sovranitetin e tij, edhe shumica delegon sovranitet me ligj. Pra, debati nuk ishte parimor por ishte punë zgjedhje e interesash. Njëra palë që për pastrim real me ndërkombëtarët, tjetra pastrim formal pa ndërkombëtarët. Atëherë, PS i delegoi me votën e saj ndërkombëtarëve rolin vendimmarrës, PD i delegoi rolin vëzhgues. Gjithkush e kupton diferencën dhe pse-në; gjithkush e kupton se kush e ka dëgjuar si duhet sovranin popull.

 

-Kujt i atribuohet merita për arritjen e konsensusit?

 

Së pari, kurrkush nuk mund t’i njohë merita vetes pse bindi veten të thotë ‘Po’. Së dyti, kurrkush s’mund të flasë për merita kur s’jep konsensusin pa shkak e kur së fundi e jep atë pasi sipas tij projekti përfundimtar është pa efekt. Shikoni kontrastin: PD jep konsensusin pasi reforma çlirohet nga ndërkombëtarë, sipas saj, e pastaj falënderon ndërkombëtarët që shpëtuan reformën nga Edi Rama? Më konkretisht Po- ja nga tërë palët u dha për variantin Nuland, pasi PS pranoi lëshimin që i kërkohej, ndërsa PD i tha ‘Jo’ lëshimit të saj, e detyroi një riformulim që shpjeguam më lart. Atëherë, si mund të ketë meritë një palë që s’bën asnjë lëshim e që konsensusin e kushtëzon me heqjen e thelbit?!

Gjatë ditëve të fundit është përfolur për një krisje të koalicionit PS-LSI pas këmbënguljes së Metës, që reforma të miratohej me konsensus. A mendoni se do e mbyllin mandatin dy forcat politike?

Çdo koalicion duhet të ketë qëndrim të unifikuar për reformat e mëdha. Së pari, koalicioni zgjidh divergjencat që ka brenda vetes, pastaj sheh diferencat me kundërshtarin, pra me palën tjetër. Është krejt e papranueshme që brenda koalicionit të ketë mospajtim për gjëra kaq thelbësore, dhe është akoma më e papranueshme të mos kuptohet ku është kontradikta. Bërtisnin të gjithë për Venecian. Projekti i Venecias ishte në tavolinë, dhe Venecia thotë që ky projekt është shumë i mirë. Tani u thotë partive politike jepni konsensusin se ju e porositët! Atëherë, si mundet që dikush brenda dhe jashtë koalicionit, aq më tepër brenda, thotë që nuk e japim ‘Po’ nëse nuk e jep opozita, ose të thotë që kur opozita nuk jep konsensusin, fajin e ka shumica?! Kur kërkohet konsensusi për një projekt gjithkush përgjigjet për ‘Po’ e vet. U tha që shkaku ishte neni 88. Nuk është e vërtetë! Pasi u bë debat një vit për shumicën e cilësuar, PD doli me projekt alternativ. Këtu përgjegjësia është e atij që thotë ‘Jo’. Ose të shpjegojë ‘Jo’-në. Pasi hoqi dorë nga projekti alternativ sepse u detyrua, atëherë doli dhe tha kam vetëm 88 si kusht. U plotësua edhe 88, dhe pastaj tha kam sovranitetin si kusht. Sovraniteti është problem konceptual. Është zgjedhje. Pra, PD nuk do të lëshojë sovranitetin te ndërkombëtarët për pastrimin. Ku është përgjegjësia e PS këtu? Kur u porosit me veting reforma, u ndanë këto gjëra. Të thoshte që në fillim jo, s’jam për veting. Meqenëse Luli mbeti dy-tre herë vetëm, meqenëse gishti u drejtua te ai si penguesi, meqenëse 94 u pranua, alarmi ishte jo hajde të shpëtojmë reformën, por të shpëtojmë Lulin… Nuland ishte kulmi i kompromisit. Megjithatë, PS lëshonte pe, ata ndërronin qëndrim. Konsensusi historik është nëse i qëndron konsensusit të parë. Kjo reformë duhet të ishte votuar një vit përpara, projekti ka qenë dhe më tej s’është bërë asnjë përmirësim i rëndësishëm, veçse keqësim teknik, formal. Këtu, pikërisht ndarja është në luftën ndaj korrupsionit. Qeveritë që nga 2005 janë ndëshkuar nga imazhi i korrupsionit. Mazhorancat në një pjesë të madhe të tyre e kanë pësuar. Disa votojnë për antikorrupsionin, disa votojnë haptas për korrupsionin. Shkojnë deri edhe në shit-blerje vote. Ata që e blejnë votën, e blejnë me korrupsion për ta kompensuar me dopio korrupsion! Kjo ndarje tashmë është shumë e qartë. Nuk është thjesht ndarje mes partive, por edhe brenda partive.

Çfarë prisni pas miratimit të reformës në drejtësi, çfarë pritet të ndodhë?

Atë që presin të gjithë qytetarët. Gjyqësori të fillojë të korrigjojë shumë gjëra në raport me qytetarin. Në gjykatë të fitojë i drejti. Duhet të ndëshkohen të fortët e politikës. Madje, politikanët duhet të jenë më vurnerabël, jo me ndëshkim penal pa tjetër, por të largohen me dorëheqje, me ndëshkim nga opinioni publik.

A pritet të rikthehet konflikti politik me miratimin e 7 projektligjeve, që janë pjesë e paketës për reformën në drejtësi?

Po të shohësh reagimin për projektligjet, e kupton se sa me dëshirë e kanë votuar reformën. Pse alarmohen për të votuar projektligjet? Ajo është paketë e ndryshimeve kushtetuese. Ligjet zbatojnë urdhërimet, kompetencat, çfarë frike kanë t’i miratojnë? Ligjet kanë qenë aty, i kanë lexuar dhe nëse nuk i kanë lexuar, t’i lexojnë. I gjithë shqetësimi duhet të jetë se si i lamë pa votuar?!

Së fundmi, reforma zgjedhore. U trumbetua se do të realizohej reforma zgjedhore, madje u ngrit edhe komisioni i posaçëm, por gjithçka është lënë në hije. A pritet që reforma zgjedhore të ketë fatin e reformës në drejtësi?

PD e lëshoi propozimin për reformën zgjedhore për të prishur prioritetin e reformës në drejtësi. Ishte një taktikë për të sfumuar reformën dhe gjithashtu ishte një taktikë për të thënë se unë kërcënoj dhe me zgjedhje të parakohshme. Dhe për të thënë që reformën do ta bëjmë ne, se kjo reformë nuk bëhet nga kjo mazhorancë. Reforma u bë nga mazhoranca dhe nga një pjesë nga opozita.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU