Skemat e reja të ujësjellësve, përfitojnë 88 mijë banorë të fshatrave

Rreth 88,000 banorë të më shumë se 70 fshatrave në të gjithë Shqipërinë do të furnizohen me ujë në kuadër të skemave të reja të ujësjellësve ruralë.

Gjatë 5 viteve të ardhshme në të gjithë vendin do të ndërtohen 20 skema ujësjellësish ruralë, në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (FUZR III).

Ky program zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare, qeveria gjermane përmes KFW-së, si dhe nga Bashkimi Europian.

Sipas FSHZH-së, programi ka si qëllim kryesor furnizimin e popullsisë në zonat rurale me ujë të pijshëm 24 orë/ditë.

Programi synon të furnizojë popullsinë e zonave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjenikisht, mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.

E gjithë kjo mundësohet përmes ndërhyrjeve në shkallë të mesme dhe të vogël në ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë.

I ndarë në disa projekte të veçanta ky program përbën një nga iniciativat më serioze të këtyre viteve të fundit për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm të zonave rurale.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU