Skeda/ Prokurori i ‘peshqve të mëdhenj’, si e rriti me 28 herë pasurinë Ramadan Troçi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i është rikthyer listës prioritare të vetingut me thirrjen në seancë dëgjimore të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci të premten. Troci është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë- institucion që pret përfundimin e tre kandidatëve të fundit për t’u ngritur.

Hetimi administrativ për Ramadan Trocin është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Pamela Qirko dhe me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Suela Zhegun.

Ramadan Troci njihet ndryshe edhe si prokurori që goditi ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët më pas u shpëtuan nga gjykatat. Ramadan Troci ka firmosur arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e bankës. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u prangos mbrëmjen e 5-shtatorit 2014, në zyrën e tij, në selinë qendrore të Bankës.

Prokurori Troci e ka nisur karrierën në institucionin e akuzës në vitin 2000 dhe përgjatë një dekade ka punuar si prokuror në Bulqizë dhe në Dibër. Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Ramadan Troci nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Skeda e pasurisë së deklaruar e prokurorit Ramadan Troci, kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurori Troci zotëronte vetëm një makinë me vlerë 300 mijë lekë në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Troci është rritur me 28 herë, duke kapur vlerën e 8.5 milionë lekëve. Të dhënat e siguruara tregojnë se pasuria familjare e prokurorit Troci përbëhet nga një shtëpi e deklaruar në vlerën 5.4 milionë lekë, likujditete prej 2.1 milionë lekësh në bankë, 900 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 300 mijë lekë.

Të ardhurat familjare të Trocit kapin vlerën e 25.5 milionë lekëve për periudhën 2003-2017. Rreth 99 për qind e të ardhurave kanë si burim pagën e tij dhe të familjarëve, ndërkohë që 1 për qind përbëhet nga të ardhurat nga qiraja dhe interesat bankare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të prokurorit Ramadan Troci dhe të gjitha deklaratat e pasurisë rezultojnë pa probleme.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU