Me skandalin “Pronto” ka përshëndetur në qëndrimin e tij ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, me tani këshilltarin e Kadri Veselit, Nijazi Kryeziun, në hyrje të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Grabovci e Kryeziu janë dy prej 11 të akuzuarve në rastin e njohur si afera “Pronto”, ku pas dështimit në tetor, këtë herë u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar.
Të akuzuarve nuk u është lexuar aktakuza, pasi një gjë e tillë u pa e panevojshme nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, e pavarësisht insistimit të Prokurores Drita Hajdari, një gjë e tillë nuk u lejua nga gjyqtari i këtij rasti, Shashivar Hoti.
Të gjithë të akuzuarit, mes tyre edhe Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, janë deklaruar të pafajshëm në akuzën që i rëndon.Avokati i Beqajt, Besnik Berisha, pas seancës tha se janë një sërë faktesh që do t’i paraqesin në kundërshtimet e tyre, duke nisur nga ligjshmëria e përgjimeve që përbëjnë thelbin e aktakuzës.
Sipas Berishës, Prokuroria ka qenë e ndikuar në këtë hetim dhe i njëjti ka shtuar se në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishte edhe Presidenti Hashim Thaçi.
Prokuroria Speciale, në prill të këtij viti, ngriti aktakuzën për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar për 21 dhjetor, përgatiti Koha. (b.an)