Denoncohet një tjetër skandal në radhët e KLD-së. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi gjatë një konference për shtyp se në mbledhjen e fundit, KLD, nën drejtimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ka miratuar një vendim jashtë rendit të ditës dhe i panjoftuar më parë, duke i dhënë leje prindërore në mënyrë të fshehtë gjyqtarit Gjin Gjoni, me argumentin se është bërë baba dhe i duhet të udhëtojë drejt Gjermanisë atje ku jeton bashkëshortja e tij.
Leja prindërore e dhënë nga KLD për Gjin Gjonin është dy vite. Sipas argumenteve të KLD, ai është bërë babai i një vajze në Gjermani dhe për këtë arsye do kryejë vizita të shpeshta drejt këtij shtetit. Por sipas Etilda Gjonajt, ajo që ngre dyshime mbi KLD është mbajtja e fshehtë e këtij vendimi, pasi kërkessa është futur rishtazi në rendin e ditës të KLD, si dhe nuk është publikuar krahas vendimeve të tjera në faqen e KLD, por është zbuluar nga zbardhja e procesverbalit të mbledhjes.
“Në mbledhjen KLD të datës 11.10.2018, në rendin e ditës kishte dy çështje delegimi i një gjyqtari në Korçë dhe delegimin e disa gjyqtarëve sipas kërkesave të gjykatave të ndryshme. Pas zbardhjes së procesverbalit, u vura në dijeni se gjatë mbledhjes ën rendin e ditës është shtuar edhe një çështje e panjoftuar më parë, për një kërkesë të gjyqtarit Gjin Gjoni, për leje prindërore për një periudhë 2-vjeçare. Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është votuar nga anëtarët prezent në KLD, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme. Duke përfshirë në rendin e ditës në fund të mbledhje shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj me argumentimin se është bërë baba dhe do t’i duhet të bëjë shpesh udhëtime dhe vizita në shtetin gjerman ku jeton familja e tij. KLD është riaformuar edhe njëherë si mëshirim i drejtësisë së vjetër klienteliste dhe të korruptuar. Këto veprime janë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale.
Ky akt administrativ i KLD, si një akt i ndërmarrë me procedurë të parregullt është i paligjshëm. Në këtë mbledhje kërkesa është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes, për më tepër bazuar në parashikimet ligjore, KLD mund të marrë çështje të papërfshira në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të të gjtithë anëtarëve. Në kundërshitm të hapur me këtë dispozitë, në mungesë të kuorumit të nevojshëm dhe duke përfshirë edhe votën e Gjin Gjonit, i cili ka votuar për veten si kurrë më parë në historinë e saj, KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave. Vendimi haptazi i paligjshëm i KLD konstatohet edhe gjatë mbledhjes, pasi nuk i është nënshtruar asnjë diskutimi lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore, procedurale dhe përmbajtësore për pranimin e kërkesës. KLD publikoi në dy faqen e saj vetëm dy vendime, duke mbajtur të fshehtë vendimin e marrë për gjyqtarin Gjin Gjoni, ndërsa në procesverbaline publikuar e tregon mjaft mirë lejen prindërore të Gjin Gjonit”, tha Gjonaj, ministre e Drejtësisë.
Javanews disponon procesverbalin e kësaj mbledhje ku kërkesën në emër të Gjin Gjonit e ka sjellë në vëmendje të KLD anëtari Gerd Hoxha pasi presidenti Ilir Meta ka bërë pyetjen. “Po, çfarë çështje kishit Gerdi”? Pasi Gerd Hoxha ka prezantuar kërkesën e Gjin Gjonit si të bazuar në ligj presidenti Meta ka thënë: “Po! Dakord, atëherë! Japim leje. Të të rrojë vajza dhe tjetër herë me djalë”, ka uruar presidenti Meta i cili është kreu KLD.
Proceverbali