Sindroma e të padukshmit

    Papunësia është një nga problemet më serioze me të cilat përballet një shoqëri. Situata rëndohet më shumë nga faktorë të tjerë negativë socialë të instaluar më parë të cilët i varen si gurë në qafë një shoqërie që me zor mundohet të notojë në ujërat e trazuara ndërkombëtare

    Nga Erion Hiluku

    Papunësi përkufizohet situata në të cilën një grup personash në moshë për të punuar dhe që aktualisht gjenden të gatshëm për punë, nuk kanë kufizime fizike dhe mendore për ta realiazuar atë, dhe që kanë kërkuar punë gjatë një periudhe të caktuar. Afërsisht ky është përkufizimi i pranuar gjerësisht nga vendet “e zhvilluara”.

    Efektet e papunësisë janë padyshim shkatërruese për ekonominë. Por përtej kësaj, efektet e saj negative mbi personin dhe familjen janë të papërmbajtshëm. Arsyetimi i të papunëve, përgjejgjës për ekonominë familjare, luhatet dalë nga dalë dhe stresi i hedh shpesh herë në krahët e alkoolit e të drogës. Papunësia ia shkatërron statusin social duke ulur edhe autostimën e tij. Nëse zgjat, kjo gjendje mund të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore si depresioni dhe stresi e deri te infarkti i miokardit. Po studjohet kohët e fundit edhe lidhja e stresit me kancerin. Dëshpërimi i detyron njerëzit të vënë në dyshim dinjitetin e tyre. Në këtë shoqëri një i papunë nuk ka asnjë kuptim, nëse nuk prodhon nuk ekziston. Në momente të caktuara historike dhe në nevojë ekstreme i drejtoheshin familjarëve madje edhe fqinjëve. Por me sa duket përsa i përket egoizmit social dhe mungesës së solidaritetit kemi arritur standartet e shoqërive të zhvilluara. Dhe kështu kur askush s’të dëgjon e as të ndihmon, i papuni vuan një sëmundje moderne e cila quhet “sindroma e të padukshmit”.

    Vendet fqinje evropiane aktualisht e konsiderojnë papunësinë, më së paku, një dramë sociale. Për rrjedhojë ata dedikojnë burime të mëdha ekonomike e njerëzore për të radiografuar këtë problem nga pikëpamja sociale, ekonomike, psikologjike, shëndetësore, edukative, politike, kulturale e madje vëzhgojnë edhe mortalitetin e popullsisë në lidhje me rritjen e papunësisë.

    Ndërkohë në vendin tonë të vogël e të varfër, ju kërkoj ndjesë për brutalitetin e të shprehurit me këtë fillim fjalie politikisht jokorrekt, mjafton të përdorim urtësinë e popullit tonë: fshati që duket s’do kallauz. Situata është më së paku, tragjike. Nuk ka vend për relativizim të problemit apo për penelata optimizmi nga ndonjë ambasador apo ministër në deklarata direkte nga sallat e hoteleve luksozë të Tiranës. Në të njëjtën linjë pozojnë përkrah politikanëve, përfaqësuesit e institucioneve botërore dhe ndërkombëtare më prestigjoze, duke cituar investimet shumë milionëshe dhe arritjet e mëdha, por pa përmendur fare dështimin historik të njëzet e pesë viteve papunësie në rritje. Kujdes zotërinj, në të ardhmen këto foto mund të jenë dëshmi e një historie tragjike ku ju do të keni dhënë kontributin tuaj duke u bërë pjesë e asaj që quhet, korrupsion i organizuar. Mbase përfaqësuesve të huaj apo ministrave tanë dikush duhet të iu kujtojë se “rritja” në këtë rast është negative. Nuk ka vend për buzëqeshje të grimuara zotërinj.

    Ajo që në vendet tuaja quhet “brain waste” dhe që është situata në të cilën të rinjtë e papunë humbin motivimin për rendiment dhe ku njohuritë dhe aftësitë e tyre bien nga mungesa e përdorimit është realitet edhe këtu. Ajo që në vendet tuaja quhet “brain drain” dhe është humbja e kapitalit njerëzor, te ne është pika e fundit e gjakut të mbetur pas njëzet e pesë vitesh hemorragji. Po ikin edhe teknikët e fundit, inxhinierët dhe mjekët me lehtësira të veçanta këta të fundit, sigurisht. S’ka gjë se vendi ynë i varfër iu ka paguar studimet e gjata e të mundimshme për më shumë se njëzet e pesë vjet.

    Ky emigracion intelektualësh i inkurajuar (mjekët mirë se të vijnë, të tjerët jo) e redukton potencialisht rritjen ekonomike. Shteti humbet taksat kontributive, sigurimet shoqërore po ashtu dhe këto pasoja po i vuajmë qytetarët shqiptarë që tani. Nëse e kuptojnë qartë konceptin atëherë janë të ftuar të shpjegojnë masat e vërteta të marra ndër vite dhe ku kanë shkuar miljonat, sepse rezultatet e tyre janë katastrofike. Ndërkohë që këto para duhen kthyer një më një, apo jo, dhe po i kthejmë, se janë borxhe.

    Fjalë pas fjale e ndjej se po shkruaj një histori të trishtuar, gri dhe me fund të pambaruar. Në mes të fushatës elektorale dëgjohen nga larg akoma premtime për vende të reja pune, bashkë me premtimet “old style” si njëzet e katër orë ujë e drita apo asfaltime rrugësh, kësaj here të sigurta. Askush nuk pretendon një zgjidhje magjike të një problemi me këto përmasa, por, minimalisht të ndiqen Udhëzimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Kjo do të ofronte një zgjidhje reale, sic është vërtetuar në vendet që i kanë ndjekur që nga 2012, vecanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka një rënie drastike të papunësisë. Fotot dhe videoklipet në mini industritë e periferisë nuk tregojnë zhvillim përtej asaj që vëzhgohet në fytyrat e skllavëruara të punonjësve të tyre. Dinjiteti njerëzor nuk është parashikuar në planet e evropianizimit. Megjithatë jemi të hapur për emigracion të organizuar: Mirëpresim punëtorë të specializuar nga BE me 150 euro në muaj, se nuk thonë kot italianët: gli negozzi si fanno in Albania.

    Ndërkohë ju lutemi të gjithë aktorëve që të mos këmbëngulin me përralla interneti e konkurse televizive të tipit: Mos ju besoni syve tuaj. Situata është dukshëm rëndë dhe historia e afërt mund të ju zbulojë pjesëmarrës të një “tragedy show” korruptiv me përmasa ndërkombëtare të tipit: Mos e beso po deshe.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU