Sikur “esadistët” dhe “enveristët” të apelonin si klerikët për Brukselin!

Nga Ben Andoni

Politikanët tanë të shekullit XXI e kanë kaluar anti-shqiptarizmin jo të pakët, që ekzistonte gati 110 vjet më parë. Në kujtimet e tij, në një dhimbje të thellë për pengesat e panumërta dhe pazotësinë e tij për të drejtuar shqiptarët, Princ Vidi do të shkruante se kish kuptuar mënyrën sesi mund të drejtohej vendi i vogël. Mjaftonte të largoheshin dy ngatërrestarët e mëdhenj, Ismail Qemali dhe Esad Pasha dhe gjithçka ishte më e lehtë, sipas tij. Kjo nuk ndodhi, por ndërsa i pari është lënë në mugëtirë prej peshës së tij, nga komunistët dhe të gjithë pas tyre; Esad Pasha është qerthulluar në simbolin e tradhtarit të kombit, gati në unision prej shqiptarëve.

Shumë dekada më vonë teksa Shqipëria ka përshtatur një sistem të ri-ekonomiko-shoqëror, politika shqiptare është rikthyer në origjinë. Baltosje dhe ofendime pafund me çmimin e vetëm për të marrë pushtetin. Një dekadë më parë, ishte radha e PS-së, që asokohe ishte në opozitë të bënte çmos për të ulur kredencialet e vendit; ndërsa ajo që po ndodh së fundmi me PD-në e ka tejkaluar çdo imagjinatë. Zyrtarët e saj, në mungesë të alternativave për qeverisje, kanë fiksuar në retorikën e tyre vetëm dy gjëra: Edi Rama mafioz dhe Shqipëria, vendi i krimit dhe i drogës. Në këtë retorikë, politikanët shqiptarë në opozitë u mbështetën te lloj-lloj personazhesh hipotetikë për baltosje;, në rastin e ashtuquajtur “Xhafa”, që ua përcollën të gjithë zyrave të mundshme të Brukselit për të treguar nivelin e kriminalizimit të vendit; neveritën shtetin; dhe e barazuan të gjithë përpjekjen e Shqipërisë (që paradoksalisht ishte dhe e tyre) në nul.

Mu në këtë hov, kur të gjithë bënin garë të ofendonin Shqipërinë, mu pikërisht ata që janë simboli i një Shqipërie ndryshe, i drejtuan një letër të ndjerë, presidentëve Macron dhe kancelares Merkel. Krerët e bashkësive fetarë në Shqipëri apeluan sëbashku pa asnjë kusht të mbështetej hapja e negociatave me Shqipërinë. “Jemi të bindur se rruga drejt bashkimit evropian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore” . Dhe më poshtë shpjeguan sensin e tyre: “Rruga drejt Bashkimit Evropian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre evropianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, më këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto”.

Fjalë të ndjera dhe ashtu si ndodh rëndom politikanët dhe duhet t’i kenë qesendisur. Krerët e politikës shqiptare teksa me gjysmë zëri pohonin për hapjen e negociatave bënë çmos dhe gëzuan si fëmijë inatçorë, kur erdhi momenti i shtyrjes së negociatave për vitin e ardhshëm. “E turpshme, -do të thoshte një nga ambasadorët e vendeve të Vishegradit në Tiranë,- që ka pasur kaq kundërshti nga vetë Ju, në vend që të ishit ju vetë që të promovonit vendin tuaj pa asnjë kusht!”

Në këtë vazhdë, apeli i krerëve fetarë ishte dhe mbetet një apel i vërtetë për politikanët shqiptarë dhe për dashurinë e vërtetë ndaj Shqipërisë. Një e vetmja rrugë e tillë do ta ndihte Shqipërinë për vitin e ardhshëm, ku krerët e politikës tonë duhet të bashkonin firmat e tyre dhe të kërkonin hapjen e negociatave. Një sinjal real, që Hapjen e Negociatave e duan vetë shqiptarët. Nuk është aq e vështirë, por është vetëm një vit armëpushim prej baltosjes së vendit, ku politikanët shqiptarë u takon të bashkëpunojnë për interesa madhore. Është për Shqipërinë dhe jo për Drogën, krimin dhe fyerjet e panumërta. Këtë herë të ashtuquajturit “esadistë” mund të bashkëpunojnë me të ashtuquajturit “enveristë” për Shqipërinë. Klerikët që vuajtën qoftë nga Esad Pasha por edhe nga Enver Hoxha e dhanë verdiktin duke na treguar të civilizuar, po politikanët pse nuk munden vallë? A mos vallë jemi më pas tyre edhe tani në shekullin XXI?!(Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU