Si u bë Tirana kryeqytet dhe një rrëfim i veçantë i Kristo Frashërit

Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare për vendimet që mori, ndërkohë që qeveria e dalë nga ky kongres, zgjodhi në krye të saj patriotin Sulejman Delvina.

Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja iu bë asaj nga populli tiranas. Atë ditë në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.

***

Historiani i njohur prof. dr. Kristo Frashëri (që u nda para pak ditësh nga jeta), para katër vitesh, në 92-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, ka treguar në një rrëfim të veçantë që nis me historinë dhe përjetimin e tij personal sesi u bë Tirana kryeqytet.

kristo-3

“Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927. Në atë kohë, Tirana kishte vetëm puse, ujësjellës nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin ‘Tironë’, që ‘po pive 40 kova ujë je bërë tiranas’. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndiej veten tiranas. E bëj këtë për të thënë se e ndiej veten krenar që jam tiranas dhe ia kushtoj këtë dashuri punës që bëra për historinë e Tiranës. Tirana ka qenë një qytet i qetë, qytet i dashur me njerëzit që e vizitonin, qytet i thjeshtë, qytet me një sistem urbanistik të krijuar nga shekujt dhe pikërisht te ky sistem urbanistik i Tiranës unë mora fillin sesi është origjina e qytetit.

Tirana nuk është nga ato qytete që krijohen nga pozitat strategjike, apo nga ato qytete që krijohen nga pozita e trafikut, ekonomike. Tirana nuk është si gjithë ato qytete që i kanë krijuar njerëz të shquar, Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante. Tirana bregdetare është kryqëzim rrugësh nga Dalmacia, nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në Lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje. Kjo ishte rruga veriore, ishin dy rrugë të tjera pastaj horizontale, njëra nisej nga Durrësi, bregdeti, qyteti bregdetar, vinte në Tiranë dhe kalonte në rrugën e “Shën Gjergjit” e lidhte Malësinë me detin. Qe një rrugë tjetër që nisej nga Kavaja, që ishte një qytet tregtar, po aq i lulëzuar sa edhe Durrësi e vinte nga Kavaja e shkonte nëpër Ndroq, tek Urë e Beshirit në Tiranë e hynte në Rrugën e Dibrës e në Qafën e Tujanit, Qafë të Murizës, në Mat, në Dibër, në Maqedoni. Po t’i shikosh në hartë këto tre rrugë kryesore, të shikosh ato takohen në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, prandaj Tirana lindi si qytet, kur u gjallërua krahina, treva dhe treva u gjallërua, kur u krijuar stabiliteti.

Dy herë është krijuar stabiliteti në këtë zonë, një herë në antikitetin e vonë, atëherë shikoje Tiranën si gjë që del me një kala, që është zbuluar atje ku është pranë Akademisë dhe rruga “Murat Toptani”, pastaj erdhën dyndjet barbare, u zhduk Tirana, pastaj erdhën përsëri turqit, u vendos stabiliteti dhe në shekullin e 17-të, Tirana u ringjall përsëri, se e ringjalli treva. Prandaj, kjo vijë, këto rrugë janë edhe sot pak të deformuara, rruga e Shkodrës quhej qëmoti, sot është rruga “Mine Peza”, Rruga e Durrësit e ka ruajtur emrin, Rruga e Kavajës e ka ruajtur emrin, Rruga e Dibrës po ashtu, Rruga e Elbasanit po ashtu, Rruga e Shën Gjegjit, ajo është rruga që vazhdon edhe sot e kësaj dite, me gjithë dredhat që ka vazhdon të lidhë Malësinë.

Më 1912 Tirana ishte qytet, por ishte vetëm nënprefekturë, varej nga Prefektura e Durrësit, e cila kishte 3 mijë banorë, kurse Tirana kishte 12 mijë banorë dhe prapë varej nga një Prefekturë që ishte shumë më e vogël. Kur u bë kryeqytet Tirana, më 1920, Tirana ishte qytet, në kuptimin “ballkanik” të fjalës, ishte qytet sepse nuk merrej me bujqësi, me bujqësi merren fshatrat apo qytezat që janë ende fshatra, merrej me zejtari dhe me tregti, edhe me kopshtari, se kopshtaria ishte pjesë e pandarë e jetës qytetare.

Tirana në Kongresin e Lushnjës nuk ishte nga ato që u vendos menjëherë të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. Problemi ka qenë i tillë që kryeqyteti i Shqipërisë në atë kohë ishte Durrësi dhe ligjërisht ishte Durrësi dhe me statut ishte Durrësi, por Durrësin e kishin pushtuar italianët dhe ushtritë italiane lajmëruan qeverinë që u formua në Lushnjë, “po të afrohen në Lushnjë i pret mitralozi.”

Dhe këta nuk deshën gjakderdhje dhe vendosën ku të venë përkohësisht, si kryeqytet sa të liroheshe Durrësi. U hapën biseda, jo do venë në Shkodër, jo në Krujë, jo në Elbasan, jo në Vlorë, pika të forta kishte Vlora, se Vlora ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë, por Vlora thoshin ishte shumë larg Shqipërisë veriore, shumë larg Kosovës, shumë larg Maqedonisë, thanë Shkodra, por Shkodra ishte shumë afër Malit të Zi, ishte një qytet me shumë banesa, qyteti më i madh i Shqipërisë, por u vendos Tirana. Tirana u vendos, se kur u pyet atje: “Po Tirana ka banesa?” – e pyetën Abdi Toptanin, a ka banesa për zyra, do vejë Kryeministria, do vejë Parlamenti, do vejë qeveria, ministria, legatat, zyra, gjykata, a ka ndërtesa?

Dhe tiranasit u përgjigjën: “Ka dhe po të jetë nevoja ia krijojmë” dhe u vendosën në Tiranë përkohësisht. Tirana i mirëpriti, fotografia e hyrjes së organeve qeveritare shqiptare në Tiranë, ekziston fotografia kur hynë krerët e shtetit dhe u vendosën në Tiranë, u sistemua Tirana dhe kur u lirua Durrësi nga ushtritë, nuk deshën të shkonin më. Këtu qenka mirë, në mes të Shqipërisë, me lidhje gjithandej, me këto rrugë që lidhin rrugët e Tiranës, rrugët e lidhin Tiranën me gjithë viset e Shqipërisë, kështu që Tiranë u bë kryeqytet, megjithëse me statut është vendosur kryeqytet më 1925, sidoqoftë Tirana e meritoi të ishte kryeqytet i Shqipërisë, për historinë e saj të mëvonshme. Ajo, po e mbyll edhe njëherë, kur erdhëm ne më 1927 në Tiranë, Tirana ishte akoma një qytet, siç i thoshin “me baltë”, nuk kishte rrugë të shtruara, nuk kishte ujësjellës, nuk kishte korrent elektrik, por pastaj u zhvillua, eci përpara, u pajis me mjete moderne dhe lulëzoi me hapa, siç po lulëzon sot me hapa të paparë, ndaj në këtë rast unë përshëndes të gjithë banorët e Tiranës që kanë qenë kaq të ngrohtë dhe dashamirës, ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë”.

***

TIRANA-1

Historia e Tiranës

Për herë të parë emri Tiranë përmendet në vitin 1418, në një dokument venedikas për t’u kujtuar në shekullin e 15-të nga historiani dhe shkrimtari i madh Marin Barleti.

Si datë e themelimit të Tiranës si qytet në zemër të Shqipërisë merret viti 1614, kur me kujdesin e Sulejman pashë Bargjinit u ngrit bërthama e parë e qytetit  me një xhami, një banjë (hamam), një furrë dhe disa dyqane.

Tirana për gati dy shekuj qëndroi nën degën e familjes Toptani nga Kruja. Që nga mesi i shekullit XVII-të Tirana nisi të zhvillohej dhe në të u ndërtua një pazar i pajisur me zejtari të ndryshme.

Po aq të lashta sa edhe vetë qyteti janë edhe dy lagjet, ajo e Mujos dhe e Pazarit që ndodhen në zonën mes qendrës aktuale dhe rrugës së Elbasanit.

Në vitin 1789 nisi të ndërtohej xhamia e Et’hem Beut , në vitin 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, në gjysmën e parë të shekullit XIX-të mbi lumin Lanë u ndërtuan dy ura ajo e Tabakëve dhe ura e Terzijve. Çezmat në Tiranë megjithëse të pakta konsideroheshin si diçka e shenjtë. Mund të përmendim këtu kroin e Banes, çezmën e Kroit të Shëngjinit etj.

Tirana ndodhet 110 metra mbi nivelin e detit dhe ka një shtrirje gjeografike në të njëjtin paralel me Napolin, Madridin dhe Stambollin, si dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin.

Nga qendër modeste, u shndërrua në kryeqytet

“U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt”, thuhet në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Po si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendim të Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike-shoqërore?

Në dokumentet e shkruara të kohës janë fiksuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me planin rregullues të kryeqytetit të ardhshëm dhe godinat që do t’i rezistonin kohës akoma dhe për shumë vite të tjera. Të gjitha të dhënat do të hidheshin në pjesën idilike në një album shkruar nga Osman Myderizi, të cilat vazhdojnë të ruhen ende në një nga regjistrat e seksioneve të Bashkisë së Tiranës.

Në 1922, me urdhërin e Ministrit të Punëve të Brendshme u zhdukën varrezat që gjendeshin pranë çdo xhamie e pengonin jo vetëm rregullimin e tregut, por dhe atë të qytetit. Në këtë vit u hap dhe rruga e re e Durrësit, e cila u pagëzua me emrin “Nana Mbretneshë” që prishi shumë shtëpi dhe kopshte, mbasi ajo e vjetra që shkonte nga Hotel Durrësi, nuk lejonte të shihej nga larg qendra e qytetit, – thuhet në dokumentet e kohës. Sipas të dhënave, në fund të kësaj rruge që bashkonte Tiranën dhe Durrësin, në vitin 1930 italianët filluan punimet për ndërtimin e Hangarit madhështor (kështu u quajt aeroporti i Rinasit).

Tirana, 1926

Tirana, 1926

Sipas të dhënave, ai i përkiste shoqërisë italiane “Ala Littoria”, ndërtim krejt me skelet hekuri dhe i mbuluar nga llamarinat e hekurta, që mbulonte një sipërfaqe prej 5000 metra katrorësh dhe kishte një lartësi rreth 35 metra.

Në të njëjtin vit, – sipas buletinit të Bashkisë, – u zgjerua dhe rruga “28 Nëntori”, u prishën një varg dyqanesh të bukura dhe u formua e njëjta rrugë që vazhdon të jetë dhe sot.

Për herë të parë është hartuar një plan rregullues nga inxhinier Eshref Frashëri dhe qyteti vazhdoi të ndërtohej sipas një plani të studiuar.

Me shpalljen e Tiranës kryeqytet, pjesa më e madhe e nëpunësve filluan ndërtimin e shtëpive të reja, ndërsa bashkia do të vazhdonte projektet për hapjen e rrugëve të reja dhe rregullimin e atyre ekzistuese.

Në 1926-1927, sipas dokumenteve që sot ndodhen në Arkivën e Shtetit, u hap për herë të parë rruga “Mbretnore” (rruga e Barrikadave) që brenda një kohe tepër të shkurtër, do të bëhej një nga rrugët kryesore.

Pak më vonë, në vitin 1928-1929 u zgjerua dhe u sistemua bulevardi “Mussolini” (sot rruga e Kavajës), një nga arteriet më kryesore të kryeqytetit, i cili u asfaltua në vitet ’34-’37.

Në fillimin e këtij bulevardi u ndërtua Pallati Qendror i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i cili zinte një sipërfaqe prej 1500 metra katrorë dhe kishte kushtuar 600.000 franga ari. Sipas dokumenteve, në 1930 u ndërtua dhe ajo që do të quhej rruga më e bukur dhe më e rëndësishme e Tiranës bulevardi “Zogu i Parë”, që fillonte nga Kodra e Pashës deri në Brrakë. Të gjitha arteriet në pjesën më të madhe të tyre, ishin të shtruara me pllaka asfalti në mënyrën më moderne dhe ishin zbukuruar me drunj ekzotike. Gjithashtu u ndërtuan me mijëra shtëpi, të cilat i dhanë kryeqytetit të ri pamje shumë të mirë.

Projektet italiane

Në qendër të Bulevardit Zogu i Parë, në bazë të planit të projekteve të arkitektit italian, Florestano De Fausto, u ndërtuan gjashtë pallatet e ministrive në vitin 1931 dhe pallati i Bashkisë në 1929-1931, u sistemua sheshi Skënderbej në një park modern në 1936-1937, i cili do të shtrihej deri në lagjen e Tiranës së re, tek blloku i Shallvareve.

Tirana, 1937

Tirana, 1937

Sipas dokumenteve të shkruara të kohës, i gjithë qyteti kishte 7654 shtëpi dhe banohej prej 24.407 banorësh definitivë dhe 11. 693 banorëve provizorë. I gjithë qyteti përfshinte një sipërfaqe prej 8 kilometrash, kurse në 1912 ai ishte vetëm 3 kilometra katrorë. Në të njëjtën kohë janë ndërtuar dhe asfaltuar dhe shumë rrugë të tjera të kryeqytetit, të cilat vazhdojnë të kenë të njëjtën pamje dhe përmasa që kanë pasur që në vitin ’37.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU