Si mund t’a kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Korçën, Himarën, Vlorën, apo Durrësin ! 

Nga Artan Fuga

(Natyra magjepëse dhe rindërtimi i qytetit)

Mëngjesi ka çelur. Nga ana e gjolit vjen një aromë e mirë barishtesh të tretura në ujra të ëmbëla.

Në Pogradec, të nisesh nga Tushemishti, ekzaktësisht nga hotel Pogradeci 2, një hotel që futur në kontekstin e vet gjeografik do ta kishin zili me qindra qytete europiane, për të vajtur deri te ngrehina «Kapri» në qendër të qytetit, është një shëtitje mrekullie.

Një pasqyrë uji gjigande në anën tënde të djathtë, kurse majtas fusha me të mbjella, atje jeshilja duket sikur shpërthen. Thith ajrin e pastër, përthith me sy e lëkurë diellin që të bën bronx, por nuk të djeg aspak, kënaqesh me atë pejsazh gjysëm liqenor, gjysëm rural. Kthen kokën djtahtas, je në liqen, e kthen majtas je në një fushë plot gjelbërim. Gjithçka të duket si një parajsë e paqtë, e qartë, plot ndriçim, që nuk do kurrsesi ta braktisësh. Në mënyrë kokëforte dëshiron t’a zbrapsësh një mendim që të vjen nga poshtë e nga thellë vetes dhe të thotë cinikisht në vesh : « Sa të mjerë janë ata që nuk kanë arritur ta shijojnë një mëngjes si ky, krejt pogradecar, kur e gjithë sipërfaqja e liqenit kthehet në ar e flori ! »

Ik mendim egoist !

Ka pak njerëz, megjithatë, që shëtisin mëngjezeve në pjesën nga restoranti gërmadhë «Dashnorja e fundit» deri te lulishtja 1 Maji. Rruga buzë liqenit pothuajse është bosh. Disa gra ecin duke bërë muhabet vendshe me njera tjetrën. Diçka tregojnë për vjehrrat e tyre. Burrat, më të vetmuar, ecin si me hap ushtarak. Heq bluzën dhe e lë diellin të më përfshijë trupin. Ndonjë veturë e rrallë kalon në drejtimin Pogradec – Tushemisht sepse në anën tjetër është ndalim-kalimi. Dy grupe të rinjsh, ndarë në dy vetura, bëjnë garë me njeri tjetrin krejt sikur të ishin të çmendur. Hidhem në hendek për t’u mbrojtur. Eh, rini, thuaj !
Përpara meje, burrat që shëtisin me hap të vendosur dhe me ritëm herë pas here zhduken sikur i përpijnë gropat e xhadesë plot me bëlldunga. Pas një copë here që ecja fjetur me sy hapur konstatova që nuk po i shihja dot më kurrizet që pak më parë i kisha pasur disa hapa përpara meje. Vendos të jem i vëmendshëm këtej e tutje për t’a zgjidhur enigmën.

Kush i përpin këta njerëz ? Ndjek kurrizin e një mesoburri dhe nuk i ndaj sytë asnjë çast prej tij. Fillim gushti është, por ai ka veshur një xhaketë, ndonëse gjithë rudha. Pas nja pesëqind metrash ndalet dhe nis të hyjë në arën e mbjellë majtas nesh. Ecën si somnabul në atë orë mëngjezi, çan përpara gjithë nxitim në mes domatesh. Fillimisht pyes veten : Ku shkon ky ? Pastaj diçka kuptoj. Pres veprimin e tij që do të vërtetonte hamendjen time. Ai çon dorën në « dyqanin » e pantallonave, dhe zbërthen me të shpejtë kopsat e tij. Njerën këmbë nuk e di se përse e tund si me padurim. Pastaj një ujëvarë lëngu del nga trupi i tij, aty sipër mes-shalëve dhe e shoh që pasi shkëlqen disa çaste në diell lëshohet drejt tokës ! Me shëndet !

Nuk ka wc në këtë rrugë plazhi ! Në të vërtetë është një rrugë që le shumë për të dëshiruar. Ibret! Mund të jetë një nga segmentet rrugore më panoramiket në Shqipëri. Jam i bindur se mund krahasohet me ato më me famë në Europë. Kurse poqese investohet atje me siguri do të ishte një mrekulli turistike. Por, këtu, bukuroshen, rrugën, e trajtojnë sikurse bënte me Hirushen, njerka e saj. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përzënë turistë nga një zonë sesa braktisja e mjedisit, sidomos turistët më histerikë që jo rastësisht janë edhe ata që kanë më shumë parà për të harxhuar.

Anash rrugës kanë mbetur të gremisur pjerrtasi bunkerë ushtarakë të kohës të Luftës të Ftohtë. Pritej sulm nga Maqedonia. Ndofta, pse jo ?, nuk di ta them. Por, këta bunkerë këtu tanimë nuk kanë më asnjë funksion sepse kanë dalë jashtë përdorimit. Vetëm të kallin datën dhe të sjellin neveri e panik përballë këtij liqeni që me valët e veta të qeta përshëndet gjithkënd me miqësi si valëvitje duarsh plotme shamicka të argjenda, dallgët.

Anash rrugës hendeqet me barishte të rralluara si qime qensh me zgjebe ! Vende vende të rjepura. Buzët e rrugës të bëra si gëzhdalla të ngrëna nga ujq që presin të kafshojnë natën qingat e braktisurr nga bariu dhe qeni i vet. Kur ecën me këmbë nuk i ndjen shumë gropat e rrugës. Por, udhëtimi me veturë është tepër i vështirë atje. Vetura valëzon sikurse të ishte një motobarkë në një liqen të zemëruar në dimër. Dallgëzon rruga. Veturat përballë teje më tutje rrezikojnë të përplasen me tënden sepse duke evituar gropat kalojnë në anën e kundërt sikur duan të grinden me ty. Natën gjendja është fare katastrofike.

Hirushja ima, rruga buzë liqenit, si të kanë lënë ashtu që nga Tushemishti deri te Lulishte 1 maji ?

Ti që je si një vajzë jetime mes motrash prej gjasme, të përdala, që kërkojnë burrë me pagesë e që i quajnë autostrada ? Ti miqësorja, e buta, e mira, e arta !
E kanë lënë anash me plehra, shishe plastike, qese, mbeturina ushqimesh. Si është e mundur që nuk sheh askënd të pastrojë e të mirëmbajë këtë pjesë të qytetit ? Pa dyshim një nga rrugët më panoramike të kontinentit. Nuk e lë njerka ta shohi princi i kaltërt !

Kërkoj në media ndonjë reklamë turistike për Pogradecin. Asnjê për be ndërkohë që ka televizione që janë non stop duke transmetuar lloj lloj vanitetesh nga Jugu i vendit, një tjetër perlë turistike jona, por jo më e vlefshme sesa Pogradeci, Hirushja e përbuzur. Shoh ministrin e turizmit që me pantallona të shkurtra jep intervistë në një televizion kombëtar nga një fshat turistik andej nga Jugu, Jala, a Vunoi, a ku e di unë se cfarë zgëqi tjetër.

«Zoti ministër, je duke bërë reklamë të padrejtë, favorizuese për disa operatorë dhe denigruese për të tjerët ! Po të kishte një institucion si duhet për monitorimin e mediave do të kishit marrë një gjobë për reklamë të fshehur ! Nuk ka nevojë të jesh specialist i komunikimit masiv për ta kuptuar atë. Ju jeni, sipas meje, një njeri i mirë, pranojeni gabimin, dhe mos e përsërisni më se do t’ju hedhin në gjyq për favoritizëm ! Aq më shumë me pantallona të shkurtra. Pantallonat tuaja bërtasin : «Unë ministtri i kaloj në Jug pushimet !» Po, po, edhe pantallonet tuaja flasin më sinqerisht sesa ju!»

Qenër të shtrirë e të pisët në rrugët e Pogradecit. Ndriçon me shkëlqimin e vet vetëm një rrugë, nga Lulishte 1 Maji e deri te Hotel turizmi i vjetër, aty te kryqëzimi ku duhet të jesh shumë i sjellshëm në atë kaos veturash që krijohet për të mos u fërkuar me vetura të tjera. Rrumpallë qarkullimi i veturave në qytet. Më me rregull lëvizin larvat e peshqëve në bregun e cekët të liqenit. A mund të mbahet një qytet turistik me një segment të vetëm rrugor jo më shumë se 500 metra ?
Eshtë e vërtetë se po shkon drejt përfundimit rruga paralele që fillon në hyrje të qytetit dhe ngrihet një kuotë më lart sesa rruga hyrëse ekzistuese. Shumë e mirë duket. E çliron disi qarkullimin e veturave në atë segmentin qendror që është jo më shumë se 500 metra buzë gjolit. Te sheshi ku mbaron rruga Rinia, e cila ngrihet perpendikularisht nga liqeni drejt kodrave jugore të qytetit, po përfundon riparimi i një rruge. Më parë ajo rrugë ishte si në një qytet të bombardur nga marsianët në filmat aksion. E bëja dikur zhgrap zhdrap me veturë për të shkuar te fizioterapistja, besoj nga më të aftat që kam njohur në Europë, Nexhi, që qyteti nuk diti ta mbante ! Iku në Amerikë. Po lëre, hesap tjetër ky ! Nuk e di qyteti se çfarë ka humbur me ikjen në emigrim të Nexhit dhe të familjes të saj. Ne edhe qingjat i eksportojmë dhe marrim si shkëmbim lopë të plakura që duhet t’i zjesh mirë e mirë përpara sesa t’i pjekësh !

E mira na ikën, e keqja na vjen !

Rrugët e tjera veç asaj në qendër, buzë gjolit, 500 metra e shumta, janë për ibret. Dhera, gurë, xhade të rrënuara nga koha. Te ardhurit nga Tirana preferojnë të blejnë apartamente të bukur me fytyrë nga liqeni. Dhe bëjnë shumë mirë. Në një apartament në ato ndërtesa të bukura e solide të brezit të parë të rrugës ke qef të banosh. Nga dritaret dhe ballkonet syri ikën larg e zhytet në liqen, tutje andej nga Struga e më tej nga Ohri. Një ekran i vërtetë pamjesh ku malet i shërbejnë si kurorë liqenit. Qytet mbret !

Te ardhurit që banojnë gjatë verës sikur i kanë kthyer kurrizin pjesës tjetër të qytetit. Duket se mjaftohen me lulishtet e gjëra që kanë përpara syve, liqenin, kafenetë e shumta buzë trotuareve, dhe kaq. Nuk dinë se çfarë humbasin kur dihet si është gjendja e qytetit pas kurrizit të tyre. Fasada pallatesh të shëmtuara dhe të dala boje, njësi tregtimi që nuk mund t’i shohësh veçse në qytete orientale periferike të dorës të fundit.
E gjithë bukuria mahnitëse e natyrës fshihet sapo kthehesh me fytyrë nga qyteti. Tërësisht i braktisur.

Ku ka turist të huaj që vjen në këto kushte ? Kur përballë ka Strugën, Ohrin, Shën Naumin ! I njejti liqen, përse duhet të vijë turisti në një qytet që të jep fajësi e brejtje ndërgjegjeje ? Ti pushon sikur të kishe qenë josip brozi dhe pas kurrizit tënd, një popullsi e tërë jeton në kushte urbane nënjerëzore !
Më kujtohet një studim i Engelsit, «Gjendja e klasës puntore në Angli», kur autori i ri thuajse as te 25 vjetët, ende nuk ishte ideologjizuar. Bir fabrikanti, atje ai shpjegon imtësisht sesi urbanizimi dhe higjenizimi i qyteteve u interesonte më shumë të pasurve dhe të fuqishmëve sesa popullsive të varfëra. Të pasurit dëshironin higjenizimin dhe zbukurimin e qyteteve sepse pasojat e varfërisë, papastërtive, i paguanin ata njësoj ose edhe më tepër sesa të varfërit.
Edhe në rrugën e privilegjuar të qytetit, ato 500 metrat e shkreta ku është investuar gjithçka, dikush ka shpikur depo grumbullimi plehrash që është nëntokësore, poshtë trotuarit ku shëtisin pushuesit. Një aromë e ndyrë plehrash të kalbëzuara vjen që andej. Uron të kesh një kundragaz për të shëtitur. Vërtet përse nuk shpërndan bashkia kundragaze sëpaku ! Mund të përdoren edhe për zhytje në liqen.

Dikur pogradecarët lëshonin për dy muaj vere me qira dhoma dhe banesa të tyre. Por, sot kjo duket si e pamundur me gjendjen e qytetit pas rrugës kryesore buzë liqenit. Kush pranon të shkojë në qytetin e mrekullive natyrore dhe njerëzore dhe të banojë në apartamente që ndodhen në banesa pallatesh që nga pamja dhe cilësia i gjen vetëm në periferitë e varfëra të qyteteve të Amerikës Latine, ca si biçim favellash, dhe të shijojë bukuritë natyrore të qytetit në këto kushte? Imagjinoni një çast nëse banorët do të hapnin dyert e banesave të tyre për t’i marrë ato masivisht me qira turistët ? Sa të ardhura do të gjeneroheshin !

Shërbim urban publik me autobuze nuk të ze syri. As stacione autobuzash urbanë. Nga hyrja e qytetit deri te dogana në lindje të tij nuk qarkullojnë veçse disa mikrobuza privatë që drejtohen nga shoferë të mirësjellë, ata ndalojnë në mes të rrugës kur ua bën me dorë për të qendruar çdo kalimtar !

Të ardhurit thonë se qyteti është prishur ngaqë pogradecarët e vjetër kanë ikur në Amerikë. Janë bërë amerikanë, duke marrë nënshtetësinë e gjyshërve të tyre të emigruar atje një shekull më parë. Kanë qenë puntorë pogradecarët ! Edhe janë ! Më kujtohen në vitet ’60, kishin kulturë perëndimore në jetën e tyre të përditshme.
Tani thuhet nën zë se kanë ikur pogradecarët dhe kanë zbritur mokrarët ! Dakord, si kudo !

Qendrat urbane janë populluar me flukse demografie rurale dhe kjo ka sjellë sigurisht edhe një lloj ruralzimi të qyteteve tona. E pastaj ! Pse nuk ndodhi kështu në pasluftën e dytë botërore ? Mos u ankoni ju që shumica po t’ju gërvishin pak, jo fort por nja tre breza, do të dilni me rrênjë fshatare të ngulur thellë në këto troje.
Qyteti e edukon atë që vjen atje. Ky ka qenë historikisht roli i qyteteve në histori. Eshtë e vërtetë se shumica e kësaj popullsie nuk njeh me rrënjë zanate urbane. Dikur dikush ka qenë minator, dikush bari, dikush bujk, dikush druvar. Aktualisht jetojmë në një epokë transformimesh të shpejta në botën e zanateve. Të kapesh pas zanateve të vjetra nuk vlen edhe aq. Këto popullsi të ardhura rishtazi në qytete duhen ndihmuar për t’u integruar sa më shpejt, sepse janë popullsi shumë punëtore, me vullnet të hekurt, me tradita, me vlera morale.

« Cfarë bëjnë kaq shumë burra nëpër kafene ? » – më pyet një grua e huaj. Përgjigjem si mundem.
Mund të bëhen peshkatarë ! Po ku ka më në qytet peshkatarë ?

Mund të bëhen zdrukthtarë ! Po ku ka vajtur industria e famëshme e prodhimit të objekteve dhe e mobiljeve të drurit e Pogradecit ?
Si është e mundur që një numur tepër i rritur familjesh, të cilat duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, e marrin paranë e pakët pa punuar, ndërkohë qyteti që ka nevojë për t’u pastruar, ndërkohÊ qendron i papastër ?

Unë nuk di se çfarë projektesh ka për të kryer transformimin profesional të popullsive rurale që kanë ardhur në qytet. Në qytetin e tyre, ku më parë nuk lejoheshin të vinin për të jetuar e punuar, dhe ku sundonte një formë getoizimi. Por, kjo gjendje është një krizë që duhet zgjidhur. Qyteti ka nevojë për punë që prodhon të ardhura dhe nga ana tjetër popullsi që nuk integrohet në tregun e punës. Pogradecarët e mirë duhet ta zgjidhin këtë kontradiktë nëse dëshirojnë t’a lulëzojnë qytetin e tyre, këtë margaritar ndër vatrat e kulturës urbane shqiptare, këtë pikë rivaliteti turistik mes nesh dhe maqedonasve, grekëve, bullgarëve, këtë zonë turistike që mund të krahasohet vetëm me perlat e turizmit shqiptar.

Dikur Pogradec nuk ka qenë thjesht qytet. Por ka qenë kulturë civilizimi urban. Duket se ai u zbukurua sepse atje vinte për pushime kreu i diktaturës. Në fakt qyteti pastrohej kur vinte ai. Pemët afër vilave qeveritare, lotuset, mbaheshin mirë, bëhej kujdes për lulet, por qyteti e pagoi shumëfish dashurinë e shtënë në të.
Qytetërimi pogradecar pësoi një goditje të rëndë në infrastrukturën e tij, në habitatin e tij. Si ?

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU