Si i normalizuan ‘kolonelët’ grekë marrëdhëniet me Enver Hoxhën

Nga Mark Brunga/

Nga viti 1963 kur Athina, e mbështetur nga Moska, Beogradi dhe Sofja, paraqiste pretendime tokësore deri te mirënjohja për “diplomacinë e shpëtimit” dhe heqja dorë nga “autonomia e Vorio-Epirit” në vitet 1969-1971. Fakte pak të njohura, rrëfime të jashtëzakonshme të ish-ambasadorit shqiptar në Paris Javer Malo dhe të një botuesi grek për afrimin midis dy vendeve fqinje dhe rrëmbimin e “Dakota-s” së kompanisë “Olimpic Airways”

Dëshmi pak të njohura për gushtin 1969 dhe ekzekutimin e një radikali që detyroi forcërisht një aeroplan civil të “Olimpic-ut” të ulej në Vlorë, ngjarje që bëri bujë botërore pas mediatizimit të saj me urdhër të Enver Hoxhës. Mirëtrajtimi i ekuipazhit dhe udhëtarëve, si dhe dëbimi i mjekut pengmarrës e familjes së tij, kundërshtar i “Kolonelëve të Zinj”, ndikoi që Athina të rivendoste marrrëdhënie diplomatike, dy vjet më vonë, në maj 1971. Fragmente kujtimesh të ish-ambasadorit shqiptar në Paris, gazetarit të njohur Javer Malo (1920-1997) mbi negociatat me diplomatë grekë në “Qytetin e Dritave” me ndërmjetësinë e ambasadës turke, si dhe një biografi të doktorit pirat grek të ajrit.

Ndërkohë në vitin 1964 u formua një kor antishqiptar i grekëve, sovjetikëve, jugosllavëve dhe bullgarëve në mbështetje të tezave antishqiptare të një shovinisti si Sofokli Venizellosi, i cili si kusht për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike kërkonte që Shqipëria të pranonte t’i jepte autonomi administrative pakicës greke në Shqipërinë e Jugut. Pas 7 vjetësh, kur diktatura ushtarake e Athinës do të hiqte dorë nga pretendimet territoriale dhe do të vendoste marrëdhënie diplomatike me diktattaurën komunsite të Tiranës, sikurse dëshmon ish-ambasadori shqiptar në Paris, Javer Malo, të parët që erdhën dhe uruna ishin ambasadorët bullgar dhe grek!

INTERVISTA

Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Greqi, Sofokli Venizellosi [(3 nëntor 1894 – 7 shkurt 1964) në atë kohë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë], disa herë me radhë, e në mënyrë provokuese, ka ngritur të ashtuquajturin problem të Vorio-Epirit. Më 17 dhjetor 1963, në një intervistë që i dha korrespondentit të gazetës “To Vima”, ai përsëri paraqiti kërkesa për koncesione territoriale e politike nga Shqipëria, duke thënë: “Ne do të merreshim vesh lehtë me Shqipërinë, në qoftë se ky vend do të pranonte t’i jepte autonomi administrative pakicës greke në Shqipërinë e Jugut”.

SOVJETIKËT

“Deklaratat dhe qëndrimet antishqiptare të këtij monarko-fashisti të tërbuar kanë gjetur mbështetje te revizionistët e ndryshëm”, shkruan Enver Hoxha. Dihet biseda që ai ka bërë, për minoritetin grek në Shqipëri, me Hrushovin (gjatë kësaj bisede në maj 1961, midis të tjerave, Hrushovi i ka thënë Sofokli Venizellosit se kishte parë në Korçë se si grekët dhe shqiptarët punonin si vëllezër, megjithëse në Korçë nuk ka fare minoritet grek) dhe sigurimi që ky i dha për t’ua transmetuar “shokëve shqiptarë” mendimet e pretendimet e tij shoviniste nga pozitat e megaliidhesë. Kohët e fundit në shtypin sovjetik nuk kanë munguar përshëndetjet drejtuar “aleatëve” grekë

JUGOSLLAVËT

Edhe organet zyrtare të propagandës jugosllave nuk kanë mbetur pas në këtë punë. Kështu, për shembull, agjencia Tanjug jo vetëm ritransmetoi intervistën e Sofokli Venizellosit me korrespondentin e gazetës “To Vima”, por shkoi edhe më tutje. Kërkesës “për autonomi administrative pakicës greke në Shqipërinë e Jugut” ajo i shtoi frazën “nën varësinë e Greqisë”. Kjo nuk është e rastit dhe me këtë jugosllavët vërtetuan edhe një herë se janë për copëtimin e Shqipërisë në mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Me këtë ata iu drejtuan edhe vetë Venizellosit (i cili nuk e shfaqi plotësisht ujdinë dhe aleancën e fshehtë në mes titistëve dhe reaksionit monarko-fashist grek për copëtimin e Shqipërisë) edhe i tërhoqën vërejtjen për këtë çështje duke e vënë qartë pikën mbi “i”.

BULLGARËT

Në këtë çështje e tha fjalën e vet edhe shtypi bullgar. Sigurisht shtypi i Hrushovit nuk mund të fliste vetë për këtë çështje pse është mbushur deri në brez, aq sa i ka kërcyer në fytyrë, prandaj, kësaj radhe për të foli shtypi bullgar. Ky u përpoq të korrigjonte Tanjug-un dhe të shprehte “korrektesën” e zotit Venizellos. Por edhe shtypi bullgar, në përpjekjet e tij që ta vinte “drejtë” qëndrimin e Hrushovit e marrëveshjen e tij me Venizellosin dhe të kënaqte njëkohësisht edhe titistët, me “një zgjuarsi të rrallë” shtoi diçka nga vetja e tij. Ai s’tha as më shumë e as më pak, veçse t’i jepet autonomi Shqipërisë së Jugut, ashtu siç kanë bërë jugosIlavët për shqiptarët e Kosovës.

Por, shtypi bullgar harronte krejt se në mes dy popujve e dy vendeve kishte një traktat aleance dhe dihet përse është nënshkruar ky traktat, kurse ai e gjen shumë normale e të drejtë pretendimin e Venizellosit. Përveç kësaj, shtypi bullgar i jep Shqipërisë edhe këshillën si duhet ta zgjidhë kjo një çështje të saj të brendshme. Me këtë rast, shtypit bullgar dhe gjithë atyre që e kanë shtyrë atë ta japë këtë mendim, Enver Hoxha u kujtonte sa vijon:

1) Jugosllavia çështjen e shqiptarëve të Jugosllavisë “e ka zgjidhur” me vrasje, me gjenocid, me shpërngulje, me dëbime etj.

2) Ne as jemi përzier dhe as përzihemi në punët e brendshme të Bullgarisë, por detyrohemi të vëmë pyetjen para revizionistëve bullgarë e shtypit të tyre: Më parë se të na jepnit neve këshilla e këtë mendim tuajin “të shkëlqyer” të bazuar edhe në “eksperiencën jugosllave”, pse nuk kërkoni të vihet në zbatim për minoritetin turk në Bullgari? Ju që nuk munguat të vinit në dukje me të shpejtë “idenë” e Venizellosit dhe propozimin e tij “të zgjuar”, a do ta vinit pikëpamjen shqiptare në faqet e gazetave tuaja që ta mësojë atë opinioni i popullit vëlla bullgar?

AKUJT “SHKRIHEN” NË AJËR

Më 16 gusht 1969, në mesditë, u ul forcërisht një aeroplan “Dakota” i linjave ajrore civile greke, me shumë udhëtarë grekë. E kishte marrë peng me pistoletë në dorë një mjek ushtarak grek, Vasilis Cironi, që ishte bashkë me gruan dhe me të birin. Ai i ktheu destinacionin avionit duke kërcënuar ekuipazhin. Me të mbërritur, pengmarrësi u deklaroi autoriteteve shqiptare se kërkonte strehim politik në Shqipëri. Natyrisht, për këtë ngjarje të pazakontë, u njoftua dhe diktatori Enver Hoxha. Ky i fundit dha urdhër që Radio Tirana të transmetonte lajmin për uljen e aeroplanit. Të nesërmen avioni u la i lirë të kthehej përsëri në Greqi. Për doktorin dhe familjen e tij, kreu i shtetit dha urdhër që të merrej në pyetje nga organet përkatëse. Pastaj mjeku dhe familja u larguan në shtetin që kishin zgjedhur, ku do të shkonin. “Ç’ta mbajmë këtu!”, kishte ngritur supet Enver Hoxha, që kishte marrë sinjale nga Athina për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Sigurisht, kjo mënyrë sjelljeje dhe mediatizimi i incidentit sensacional i shtoi pikët Tiranës në sy të opinionit publik dhe autoriteteve greke. Këtë gjë e konfirmon dhe ambasadori shqiptar në Francë Javer Malo.

BANESA SI… “SHTET I PAVARUR”!

Por historia e mëtejshme e pengmarrësit grek është tejet kureshtare. Pas dëbimit nga Shqipëria, dr. Cironis dhe familja e tij u strehua në Suedi, ku u mbajt i arrestuar deri në rrëzimin e juntës. Por aktet radikale i vazhdoi dhe në periudhën e rivendosjes së demokracisë, kur ai i shpalli luftë manjatit grek të medias dhe tipografisë, Lambrakis, lidhur me një implikim të mundëshëm të tij me “Kolonelët e Zinj”. Madje, pas krijimit të një organizate, të konsideruar si terroriste, Cironisi u konfliktua me qeverinë, derisa bëri një akt gati të pabesueshëm: shpalli banesën e vet si… “shtet të pavarur”! Ai u rrethua nga 28 komando të operacioneve speciale. Mjeku u gjet i vdekur. Policia pretendoi se Cironisi kishte bërë vetëvrasje, kurse bashkëshortja e konsideroi si vrasje të fashistëve. Historinë e jashtëzakonshme të mjekut e tregon një tjetër radikal grek, botuesi i famshëm Leonidas Hristakis (1928-2009).

Pirati, kështu u hodh hapi i parë drejt normalizimit

Kujtime të ambasadorit shqiptar në Paris Javer Malo për ngjarjet e vitive 1969 e 1971

Ato ditë të muajit gusht (1969), kur unë ndodhesha në Shqipëri, një pirat i ajrit, i quajtur Vasil Cironi, kishte detyruar aeroplanin grek të linjës Janinë-Korfuz të ulej në Vlorë. Autoritetet tona e kishin trajtuar mirë ekuipazhin dhe pasagjerët, i kishin lënë të dilnin në qytet, ta vizitonin atë dhe pastaj të niseshin përsëri për në Greqi. Piratin e ajrit e kishin lejuar të nisej në Evropë. Ç’qëndrim do të mbanin autoritet greke ndaj këtij akti të vullnetit të mirë të qeverisë sonë? Askush nuk mund ta dinte. Në Athinë atëherë sundonin kolonelët.

DIPLOMATË SHQIPTARË DHE GREKË TEK AMBASADA TURKE

Më 18 shtator këshilltari i ambasadës turke në Paris Tataragazi, që ishte caktuar ambasador në Tiranë, dha pritjen e lamtumirës. Ambasada turke, që ndodhet në rrugën e Ankarasë dhe që e mbyll atë, ishte një vend i dashur për mua. Sa herë shkoja atje, kujtoja Mopasanin. Në fundin e shekullit të kaluar [shek. XIX] në këtë kënd të Parisit të 16-të ishte një çmendinë ku shkrimtari i madh mbylli sytë në moshë të re. Godina e vjetër nuk ekziston më dhe ambasada turke sot është një godinë e bukur. Isha duke biseduar me dy diplomatë të tjerë, kur nga fundi i sallës vura re këshilltarin e ambasadës greke Dhimitër Velisaropulosi që po vinte drejt grupit tonë. Që kur në Athinë kishin ardhur kolonelët në fuqi, ne diplomatët shqiptarë nuk kishim asnjë kontakt me diplomatët grekë, as takoheshim, madje as flisnim me ta. Mbledhjet zhurmuese të “vorioepirotëve” në Janinë e kishin bërë më të rëndë atmosferën. Ç’të bëja? Të largohesha nga grupi dhe të shkoja në një grup tjetër? Po përse ta bëja këtë? Ne kishim urdhër nga Tirana që të mos bisedonim fare me diplomatët grekë. Një absurditet ky! Unë kisha mendimin se diplomatët duhet të punojnë e të mos lodhen për të gjetur rrugët që i afrojnë popujt e vendet me njëri-tjetrin.

Prandaj veprova me kokën time. Dukej sheshit se Velisaropulosi po vinte për mua. E kuptova këtë dhe nuk e lashë rastin të më ikte. Qëndrova në vend pa lëvizur, përballë tij.

ATHINA: FALEMINDERIT QË EKUIPAZHI DHE PASAGJERËT U LANË TË LIRË

Këshilltari grek erdhi, u takua me ne dhe menjëherë m’u drejtua mua:

– Për fat të mirë, zoti ambasador, incidenti midis nesh u zgjidh në mënyrë të kënaqshme. Qeveria greke ka marrë, gjithashtu, shënim që ekuipazhi dhe pasagjerët u lanë të lirë të shetitin në Vlorë.

Për mua u bë menjëherë e qartë se këshilltari grek kishte direktivë nga Ministria e Jashtme që të ma bënte këtë komunikim. Prandaj e ftova të shkonim në bufe, të pinim një gotë. Atje ai më foli se grekët patën shumë përshtypje të mira jo vetëm nga trajtimi, por edhe nga përparimet që panë në Vlorë. Unë i fola atij për Greqinë dhe biseda vazhdoi me një predispozicion dashamirës nga të dyja palët. Velisaropulosi ishte një diplomat me përvojë dhe kishte kohë që mbi shpatullat e tij rëndonte gjithë puna e ambasadës së Parisit. Në këtë mënyrë në ambasadën turke nisën hapat e parë, që do të përfundonin me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.

FAQE RE MIDIS DY VENDEVE FQINJË

Në javën e parë të majit (1971) u shpall komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Hapi që bëri i ngarkuari me punë i Greqisë në Paris, Velisaropulos në ambasadën turke nuk ishte kot dhe ai i dha frytet e tij.

Një faqe re do të hapej midis dy vendeve fqinjë, aq të afërt me njëri-tjetrin, por që qarqet reaksionare dhe shoviniste të Athinës kishin bërë çmos për t’i mbajtur larg për një kohë të gjatë, me pretekstin e rremë të së ashtuquajturës gjendje lufte midis dy vendeve. Unë që kisha qenë në Konferencën e Paqes në Paris, ku kisha parë Caldarisin të ngjitej disa herë në tribunë dhe të derdhte një lumë gënjeshtrash kundër vendit tonë, e ndieja veten të gëzuar për gjendjen e re të krijuar. Qeveria e kolonelëve, të cilët sundonin në Athinë, ishte një diktaturë ushtarake reaksionare, por në ndryshim nga ajo e Caldarisit, kjo qeveri nuk kishte për mision të zhdukte rezistencën greke, e cila ishte thyer me kohë. Ajo kishte ardhur në fuqi sipas e luftës midis fraksioneve të vetë borgjezisë greke, të krahut të saj monarkik dhe atij liberal. Kolonelët kishin përfituar nga kjo situatë dhe kishin vendosur diktaturën e tyre. Ata arritën të dëbonin edhe mbretin nga Greqia dhe donin të bëheshin të pranueshëm në skenën ndërkombëtare e në radhë të parë, në skenën e diplomacisë evropiane, duke ndërmarrë një sërë institucionesh në politikën e jashtme. Por kjo ishte çështje e brendshme, i përkiste popullit grek për ta zgjedhur. Ne po normalizonim marrëdhëniet me një vend që shpeshherë në këta dhjetëvjeçarët e fundit ishte bërë një rrezik për vendin tonë. Kjo ishte kryesorja.

PËRGËZIME NGA BULLGARI, JUGOSLLAVI DHE FRANCEZI

Ato ditë u ndodha në qendër të vëmendjes së trupit diplomatik dhe të inteligjencies pariziane. I pari që më takoi ishte ambasadori bullgar Vladimir Topençarovi, i cili më përgëzoi për këtë hap duke më thënë: “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë është një politikë realiste”. Ndërsa ambasadori jugosllav Ivo Vejvoda shkoi më tutje duke më thënë: “Ky është një sukses për Shqipërinë, pasi Greqia u detyrua të heqë dorë nga Epiri i Veriut”. Profesor Andre Simonari, njohës i mirë i çështjeve shqiptare, më shfaqi të njëjtin mendim duke më thënë: “Në fakt ana greke heq dorë nga rivendikimet mbi tokat shqiptare”. Ky ishte edhe opinioni i Fernand Rujonit [Rouillon] të MPJ [të Francës], i cili më tha: “Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike është e qartë se qeveria greke hoqi dorë nga pretendimet mbi Epirin e Veriut”.

SHTYPI GREK PËRKTHEHET NË PARIS E ÇOHET NË TIRANË

Ambasada jonë në Paris ndiqte prej vitesh qëndrimin e shtypit grek ndaj Shqipërisë. Në kohën kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike, ne transmetuam në Tiranë gjithë komentet e shtypit të Athinës dhe të qyteteve të tjera të Greqisë për këtë ngjarje. Çdo pasdreke një shok i ambasadës shkonte dhe blinte gazetat e ditës që vinin nga Greqia, i shpinte ato të një grek që ne e kishim mik, i cili i përkthente në frëngjishte, e më pas ato i përkthenim në shqip. Radisti i ambasadës mbante lidhje me Tiranën dhe i transmetonte këto komente duke qëndruar në punë deri në mesnatë. Vazhduam kështu për një javë të tërë. Besim Kaiku, ky djalë tiranas, kishte punuar si radist në disa ambasada dhe ishte bërë një mjeshtër në teknikën e radio-ndërlidhjes.

ILUZIONI

Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike filluan kontaktet me diplomatët e ambasadës greke. Të dyja ambasadat ndodheshin në një lagje dhe jo shumë larg njëra-tjetrës. Ambasada greke ndodhet në një rrugë, që del në “Aveny Kleber”, afër Harkut të Triumfit, dhe gati përballë hotelit “Rafael”, ku qëndronte delegacioni grek në kohën e Konferencës së Paqes në vitin 1946. Kisha qenë në këtë hotel në ato kohë kur njëri nga anëtarët e delegacionit bëri një konferencë shtypi për të drejtat e Greqisë mbi të ashtuquajturin Epir të Veriut. Kur shkova për t’i bërë vizitë ambasadorit të Greqisë, m’u kujtuan ngjarjet me aq shumë peripecira të atyre viteve kur unë, diplomat në moshë fare të re, mendoja atëherë se armiqësia midis dy vendeve do të vazhdonte derisa edhe në Greqi të vendosej socializmi, të cilin e prisja të shpejtë, siç e prisja të vendosej edhe në Francë e në Itali dhe në gjithë Evropën.

“LES APPARANCES SONT TROMPEUSES”

Ambasadori i Greqisë në vitin 1971 ishte një oficer që kishte punuar pranë NATO-s dhe nuk dinte frëngjisht. Ishte e para herë në historinë e marrëdhënieve franko-greke që qeveria e Athinës dërgonte në Francë një përfaqësues të sajin që dinte si gjuhë të huaj vetëm anglishten. Kisha vënë re se kjo i kishte dëshpëruar francezët, të cilët janë shumë të ndjeshëm në punë të gjuhës dhe kanë xhelozi për gjuhën angleze. Por kolonelët e Athinës nuk e vrisnin mendjen për gjëra të tilla. Ambasadori grek Markopolitis ishte një tip i ashpër në fytyrë dhe duke e parë në pritjet e ndryshme, unë kisha formuar mendimin se ai ishte epirot, të cilët me fantazinë time i imagjinoja trima, por pak të egër. Në të vërtetë, amabasadori ishte një burrë i sjellshëm dhe në bisedë e sipër mora vesh se ai ishte nga Athina e jo nga Epiri. “Les apparances sont trompeuses” ( “pamja të gënjen”), thonë francezët. Këtë proverb do të më binte rasti të provoja edhe tjetër herë.

AMBASADOR GREK ME ORIGJINË ARVANITASE

Një tjetër ambasador i ri kishte ardhur gjatë kësaj kohe (në vitin 1972) nga Ballkani dhe ky ishte përfaqësues i Greqisë, Jani Kambiotis. Ai kishte qenë ambasador në Bukuresht dhe ndryshe nga ambasadori i mëpërshëm, ai e fliste frëngjishten me një theks parizian. Pandeha se ishte nga Korfuzi, që tradicionalisht i kishte dhënë Greqisë një varg të tërë diplomatësh, ose nga Athina. Por u zhgënjeva kur më tha se ai ishte nga fshatrat e Janinës, bile nga Suli, se nëna e tij ishte arvanitase nga ishulli Paros dhe fliste shqip, se ai vetë kishte qenë drejtor në Ministrinë e Jashtme, në kohën kur Cirimokua ishte ministër, kishte bërë një raport të favorshëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, por nuk i shkoi më tej vetëm që të mos armiqësohej me deputetët epirotë. “Çështja e rivendikimeve territoriale është një gjë anakronike, – shtoi Kambiotisi, – dhe sot s’krijojnë asgjë tjetër veçse telashe”. Këto fjalë vërtetuan atë që më kishin thënë një sërë personalitetesh në kohën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Greqia kishte hequr dorë nga rivendikimet për Epirin e Veriut. E kisha njohur Cirimokuan në vitin 1948 ose 1949, kur ai ishte emigrant politik në Paris. Takohesha me të në një zyrë modeste që kishte atëherë përfaqësuesi i EAM-it në Francë, Vaso Gjeorgjiu. Cirimokua, si socialist, i majtë, ishte kundër monarkofashistëve, kundër despotëve, kundër atyre që kërkonin aneksimin e atij që e quanin Vorio-Epir. Por ndjenjat e një emigranti politik ndryshuan shumë kur ai u bë Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Një simpati e ndërsjellë lindi midis meje dhe Kambiotisit, simpati që u kthye shpejt në miqësi gjatë kohës së shkurtër që ai qëndroi si amabasador në Paris.

NGA SEKRETAR AMBASADE NË ZËVENDËSMINISTËR

Gjatë kësaj kohe në Paris kishte ardhur në Paris me detyrën e sekretarit të ambasadës greke një djalë i ri, i hollë dhe pak si i turpshëm. Sa herë që shkoja në ambasadën greke, ai dilte e më priste te porta, më ngjiste në sallon dhe qëndronte pak me mua derisa vinte ambasadori. Kur u bë mbledhja e zëvendësministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit në Tiranë në janar 1989, u takova me shefin e delegacionit grek, Gjeorgjian. Ishte ai sekretar i parë i dikurshëm, i cili tani ishte njeriu i dytë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë.

Kush është?

Javer Malo

Javer Malo ka lindur në vitin 1920 në Delvinë. Pas përfundimit të viteve të para të shkollës, u regjistrua në gjimnazin e Gjirokastrës, kurse më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit. Studimet e larta i kreu në degën gjuhë-letërsi. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar. Në vitet 1946-1950 ka qenë atashe shtypi në ambasadën e Shqipërisë në Paris. Në vitin 1986 botoi vëllimin me kujtime nga kjo periudhë e parë e punës në Paris. Me dekret Nr. 4297, datë 31.7.1967, me propozimin e Qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë e emëroi ambasador të jashtëzakonëshëm dhe fuqiplotë në Republikën Franceze. Këtu punoi nga vitet 1967-1975 dhe ku pati një veprimtari të pasur, takime me personalitete të larta shtetërore franceze që nga De Goli etj, figura të shquara akademike, letrare, artistike të “Marianës”, por edhe të huaja. Kontribuoi për njohjen e Shqipërisë në Francë dhe me gjerë, krijimin e shoqatave të miqësisë, botimin e autorëve shqiptarë, si dhe ideoi ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj” etj. Ndërkaq, është dërguar me misione diplomatike në OKB, ka mbajtur kontaktet e para me ambasadën greke në Paris para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këto dhe fakte të tjera i ka pasqyruar në vëllimin me shënime e mbresa me titull “Paris ‘67- ‘75” (Albin, 1994), prej të cilit kemi shkëputur për botim dy fragmente. Pas kthimit në atdhe ka drejtuar me vite me radhë Komitetin e Marrëdhënieve Miqësore e Kulturore me Botën e Jadshtme. Njihet si autor i një numri të madh reportazhesh e artikujsh. Ka shkruar reportazhe nga Italia, Bullgaria, Hungaria, Bashkimi Sovjetik, Tunizia, Egjipti, Siria, Kuba etj. Vdiq më 29 gusht 1997.

Radikali i vrarë në apartamentin e tij në vitin 1978 nga forcat speciale greke pas shpalljes së banesës si “shtet të pavarur”

Cironisi duke folur me turmat nga apartamenti i tij i kthyer në barrikadë.

Vasilis Cironis u lind në Athinë më 15 gusht 1929 në një familje refugjatësh nga Azia e Vogël që kishin ikur në brigjet e Turqisë pas disfatës së Greqisë në luftën e vitit 1922. Në kulmin e luftës civile, Cironisi hyri në Shkollën Mjekësore të Athinës më 1947, në kundërshtim me dëshirën e familjes së tij për t’u bërë oficer ushtrie.

KAMPI FAMËKEQ STRATIS AGIOS

Më 1958 Kryqi i Kuq Grek e caktoi mjek të të internuarve komunistë në kampin famëkeq të brendshëm të Stratis Agios. Nuk iu bind urdhrave të eprorëve për të lënë pas dore të internuarit, punonte haptazi për mirëqenien dhe shëndetin e të burgosurve në kamp, ​​ndërkaq denonconte publikisht qeverinë për “vrasje me dashje” dhe Kryqin e Kuq Grek për “kolaboracionizëm dhe nënshtrim”, dërgoi në shtypin e huaj dokumente konfidenciale dhe udhëzime sekrete të Ministrisë së Sigurisë, duke vërtetuar kështu deklarimet e tij.

GREVË URIE QË ZGJATI 50 DITË

Qeveria dhe Pallati shpifnin ndaj tij për shkak të demaskimit që u bënte ai kushteve në Agios Stratis. Më 1962, gjatë periudhës së shkurtër të liberalizimit, mjeku Cironis themeloi “Partinë e të Pavarurve”, e cila, megjithatë nuk u lejua të funksionojë nga regjimi drakonian politik i kohës. Gjatë qeverisjes së Jorgo Papandreu (Plakut) bëri grevë urie që zgjati 50 ditë duke kërkuar kthimin e menjëhershëm të të internuarve të majtë në Bllokun Lindor.

PIRATI

Ardhja në pushtet e juntës së kolonelëve në prill 1967 dhe spastrimet e pastajme kundër të majtëve ia bënë jetën veçanërisht të vështirë Cironisit. Junta e arrestoi menjëherë, dhe kur në mesin e gushtit 1969 arriti të marrë disa ditë leje nga burgjet e regjimit, mjeku 40-vjeçar shfrytëzoi sezonin turistik kaotik, hipi me familjen në një avion DC-3 të “Olympic Airways” në drejtim të qytetin grek të Agrinios. Me dy armë dhe dy thika familja mori peng avionin duke detyruar pilotin ta ulte në Shqipëri. Autoritetet shqiptare arrestuan fillimisht Cironisin duke e pandehur për spiun, por pastaj organizuan një banket për familjen, ekuipazhin dhe pasagjerët, që piloti e përshkroi më vonë si gosti që shihet vetëm në filma. E ballafaquar me regjimin stalinist në Shqipëri, megjithatë, familja Cironis vendosi shpejt të kërkonte strehim në Suedi, destinacioni i qindra refugjatëve politikë në atë kohë, ku, sipas nekrologjisë së botuar pas vdekjes së tij, autoritetet suedeze burgosën mjekun deri kur u rrëzua junta.

Pengmarrja e avionit sipas tre versioneve.

Gjithsesi, është tejet intrigues fakti i treguar nga tre personazhe të kohës. Enver Hoxha, në ditarin e vet shkruan se avioni grek u ul forcërisht në Rinas. Sipas ambasadorit shqiptar Javer Malo dhe botuesit grek Leonidas Hristakis, “Dakota” zbarkoi në Vlorë. Ka dhe një kontradiktë tjetër. Enver Hoxha thotë se pasi organet përkatëse do ta merrnin doktorin në pyetje, do ta degdisnin jashtë kudo që të dëshirojë. Enverit nuk i pëlqente të acarohej me juntën: “Ç’ta mbajmë këtu!”. Kurse Hristakis shkruan se “e ballafaquar me regjimin stalinist në Shqipëri, familja Cironis vendosi shpejt të kërkonte strehim në Suedi”. Udhëheqësi shqiptar shprehej me ironi: “një doktor “demokrat” i ushtrisë greke”. Botuesi grek, Hristakis, një veteran i Rezistencës antifashiste, shkruan se “junta e arrestoi menjëherë, dhe kur në mesin e gushtit 1969 arriti të marrë disa ditë leje nga burgjet e regjimit, mjeku 40-vjeçar shfrytëzoi sezonin turistik kaotik, hipi me familjen në një avion DC-3 të “Olympic Airways””.

ENVER HOXHA:

“VLORË, E SHTUNË. 16 GUSHT 1969. NJË AEROPLAN GREK ULET NË RINAS

Më njoftuan se afër drekës, në Aerodromin e Rinasit zbriti një aeroplan “Dakota” i linjave ajrore civile greke, me shumë pasagjerë grekë, i kthyer nga rruga me zor e me kobure nga një doktor “demokrat” i ushtrisë greke. Ai ishte tok me gruan dhe me djalin dhe kërkoi strehim politik te ne. Radioja jonë lajmëroi uljen e aeroplanit dhe nesër e lëmë të lirë të kthehet përsëri nga erdhi, pa doktorin dhe familjen e tij. Organet përkatëse do ta marrin doktorin në pyetje, pastaj ta degdisin jashtë kudo që të dëshirojë. Ç’ta mbajmë këtu!”

JAVER MALO:

“Ato ditë të muajit gusht, kur unë ndodhesha në Shqipëri, një pirat i ajrit, i quajtur Vasil Cironi, kishte detyruar aeroplanin grek të linjës Janinë-Korfuz të ulej në Vlorë. Autoritetet tona e kishin trajtuar mirë ekuipazhin dhe pasagjerët, i kishin lënë të dilnin në qytet, ta vizitonin atë dhe pastaj të niseshin përsëri për në Greqi. Piratin e ajrit e kishin lejuar të nisej në Evropë. Ç’qëndrim do të mbanin autoritet greke ndaj këtij akti të vullnetit të mirë të qeverisë sonë? Askush nuk mund ta dinte. Në Athinë atëherë sundonin kolonelët.

Më 18 shtator këshilltari i ambasadës turke në Paris… dha pritjen e lamtumirës… nga fundi i sallës vura re këshilltarin e ambasadës greke Dhimitër Velisaropulosi që po vinte drejt grupit tonë… dhe menjëherë m’u drejtua mua:

– Për fat të mirë, zoti ambasador, incidenti midis nesh u zgjidh në mënyrë të kënaqshme. Qeveria greke ka marrë, gjithashtu, shënim që ekuipazhi dhe pasagjerët u lanë të lirë të shetitin në Vlorë”.

LEONIDAS HRISTAKIS:

“Ardhja në pushtet e juntës së kolonelëve në prill 1967 dhe spastrimet e pastajme kundër të majtëve ia bënë jetën veçanërisht të vështirë Cironisit. Junta e arrestoi menjëherë, dhe kur në mesin e gushtit 1969 arriti të marrë disa ditë leje nga burgjet e regjimit, mjeku 40-vjeçar shfrytëzoi sezonin turistik kaotik, hipi me familjen në një avion DC-3 të “Olympic Airways” në drejtim të qytetin grek të Agrinios. Me dy armë dhe dy thika familja mori peng avionin duke detyruar pilotin ta ulte në Shqipëri. Autoritetet shqiptare arrestuan fillimisht Cironisin duke e pandehur për spiun, por pastaj organizuan një banket për familjen, ekuipazhin dhe pasagjerët, që piloti e përshkroi më vonë si gosti që shihet vetëm në filma. E ballafaquar me regjimin stalinist në Shqipëri, megjithatë, familja Cironis vendosi shpejt të kërkonte strehim në Suedi, destinacioni i qindra refugjatëve politikë në atë kohë, ku, sipas nekrologjisë së botuar pas vdekjes së tij, autoritetet suedeze burgosën mjekun deri kur u rrëzua junta”.

Dossier nr 2

1973. Junta Greke: S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri

Enver Hoxha Në mesin e kuadrove dhe kooperativistëve të minoritetit etnik grek të Dropullit mars 1978, (djathtas ) kryetarja e Kuvendit Popullor Vitori Çurri.

Komandanti Suprem i Fuqive të Armatosura, Gjeneral Armate Enver Hoxha, viziton ushtarët që janë plagosur në kufi gjatë provokacioneve greke në gusht 1849.

Anëtarët e juntës diktaturës ushtarake greke (1967-1973) ose “Kolonelët e Zinj”, që në vitin 1971 normalizuan marrëdhëniet me Shqipërinë dhe nuk njohën Vorio Epirin

Teksa autorët e grushtit të shtetit në Greqi deklaronin se “S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri”, Enver Hoxha dekonspiron ëndrrën sovjetike për të pushtuar Greqinë. Janë puqur ekstremet: normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës e realizuan në maj të vitit 1971 diktatura e djathtë greke dhe diktatura komuniste shqiptare. Të dy palët e kanë parë këtë problem në prizmin pragmatik, pasi “Kolonelët e Zinj” kishin përkrahjen e SHBA-së (vetëm në vitin 1999 ish-Presidenti Bill Klinton ka kërkuar ndjesë në emër të Uashingtonit për mbështetjen e juntës në Greqi, në kontekstin e taktikave të Luftës së Ftohtë). Është interesante se kreu i regjimit shqiptar shfrytëzonte dhe “lobistin” shqiptar, Vasil Zhapa, nip i të famshmit pasanik Vangjel Zhapa, që ishte martuar me vajzën e kreut të diktaturës greke, Papadhopullos. Dhe ka një përkim intrigues: dhëndri i shefit të Juntës kishte qenë nxnës i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës.

KUR AMBASADORI GREK LAVDËRONTE SHQIPËRINË

10 muaj pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Greqi, më 2 shkurt 1972, Hoxhën e informuan për bisedën dhe kërkesat që kishte bërë ambasadori grek në Tiranë (në vitet 1971-1973), Denis Karajanis, në takimin e fundit me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ambasadori grek paraqitej “shumë dashamirës” për përmirësimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë.

Karajanis pretendonte se tok me Pallamasin ( në atë kohë zëvendësministër i Jashtëm) kanë qenë pionierët dhe shtytësit pranë qeverisë greke për likuidimin e mbishtresave absurde që kishte vënë Greqia për të penguar realizimin e këtyre lidhjeve. Ai pra, si “pionier”, ka pas kërkuar po ashtu nga qeveria e tij që të jetë i pari ambasador i Greqisë në Shqipëri. Karajanis fliste “mirë dhe me simpati” për gjendjen në Shqipëri, pohon se habitet që këtu kudo që shkon e me këdo që piqet gjen kaq bujari dhe mirësjellje për personin e tij si ambasador i Greqisë. Në Greqi, për shkak të propagandës jo të drejtë që është zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk mund ta imagjinonin kurrë një gjë të tillë, thoshte ai. Kjo, për fat të keq, vazhdonte ai më tutje, ka lënë akoma mbresa, që ne duhet të bëjmë çmos t’i zhdukim. Ai fliste “me simpati” për sukseset që Shqipëria ka bërë në çdo drejtim dhe, në bisedimet që bënte me përfaqësuesit e ambasadave të vendeve lindore në Tiranë, ai i kundërshtonte, pse deformonin situatën shqiptare, që ishte e qartë. Ai thoshte se ata gënjejnë dhe përçmojnë gjithçka shihet me sy se është e mirë. Shqipërinë duhet ta gjykosh si ka qenë dhe si është bërë tash, pavarësisht se je ose nuk je dakord me regjimin aktual. Ne dëshirojmë, deklaroi në Ministrinë e Jashtme ambasadori grek, të rrojmë në fqinjësi të mirë. Çështjes së pretendimeve territoriale nuk i beson njeri në Greqi dhe “gjendja e luftës” ishte një absurditet, pse sulmi italian vërtet erdhi nga territori shqiptar, por Shqipëria vetë qe pushtuar nga italianët dhe luftoi kundër tyre. Kur ne u bindëm se Shqipëria i rezistoi ndërhyrjes sovjetike dhe nuk përbënte më rrezik për Greqinë, tha ai, bashkë me këtë u zhdukën ,edhe të gjitha arsyet e tjera..

VASILI ZHAPA

Në Ditar Enver Hoxha shkruan: “23 janar 1973. Për çështjen e “Vorio-Epirit”, në popull e në gazeta, nuk flitet më në Greqi, vetëm nganjëherë dhe në ndonjë gazetë thellësisht ultrashoviniste. Shumë njerëz i janë shprehur ambasadorit tonë duke i thënë se ky problem është absurd, reaksionar. Bile nga ana greke u shkua edhe më tej. Ambasadori ynë këto javët e fundit u takua në një pritje me dhëndrin e kryeministrit Papadhopullos. Ky na qenka shqiptar, nga Labova e Gjirokastrës, quhet Vasili Zhapa, nga familja e famshme pasanike e Zhapajve. Vasili paskësh qenë nxënësi im në Liceun e Korçës dhe ka ikur në Greqi më 1945 me pasaportë të rregullt. Natyrisht, ai i foli ambasadorit tonë me shumë dashuri dhe simpati për Shqipërinë. Në mes të tjerash ai i deklaroi ambasadorit tonë se ato që thuhen për “Vorio Epirin” janë një absurditet i madh, janë gjepura të reaksionit grek. S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri, grekët atje janë një minoritet shumë i vogël dhe trajtohen në më nyrë të kënaqshme saqë s’ka ku vete më mirë. Në qoftë se shtrohet çështja për rivendikime është Shqipëria ajo që, me të drejtë, mund të bëjë, si për Kosovën etj. Për këto konsiderata të dhëndrit të Papadhopullosit, pavarësisht se është shqiptar, ne nuk mund të mendojmë se nuk është ngarkuar të na i thotë si përgjigje me gojë të fjalimit tim të Vlorës, ose mund të jenë edhe mendime që shkëmbehen me Papadhopullosin dhe rrethin e tij familjar.

ENVERI: E DJATHTA GREKE MË E MIRË SE E MAJTA

… Në situatat aktuale qeveria e Papadhopullosit, një qeveri e djathtë, braktisi politikën e shovinistëve grekë dhe atë po aq shoviniste të ashtuquajtur të majtë të Papandreut me shokë dhe zuri përballë vendit tonë pozita më realiste. Kolonelët grekë u treguan më realistë, pse gjykuan drejt se Shqipëria socialiste, por edhe ajo e paraçlirimit, asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një rrezik për Greqinë, e cila në asnjë rast nuk është sulmuar nga ne, asnjë rivendikim tokësor nuk kemi shprehur ne (dhe që mund ta shprehnim, po të mendonim si ata që rivendikojnë tokat tona), kurdoherë kemi dashur të rrojmë në paqe me njëri-tjetrin.”.

Diplomacia e shpëtimit

Gjeste domethënëse në ajër dhe det të Enver Hoxhës ndaj Greqisë, që janë parë me “me sy shumë dashamirës” nga “Kolonelët e Zinj,” parakusht për vendosje marrëdhëniesh diplomatike. Më 14 dhjetor 1970, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Sami Baholli, njoftonte Ministrinë e Jashtme se përfaqësuesi i qeverisë greke i kishte thënë që “qeveria e tij e ka ngarkuar t’i lutet që t’i transmetohet Qeverisë Shqiptare, se ajo (qeveria greke) i ka parë me sy shumë dashamirës gjestet e Qeverisë Shqiptare, si lirimin e avionit (i referohet një avioni të linjave ajrore civile greke “Dakota” të rrugëve i rrëmbyer dhe të detyruar të ulej në aeroportin e Tiranës më 16 gusht, 1969.), të varkave etj., dhe do të bëjë përpjekje të përmirësojë marrëdhëniet deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. Enver Hoxha e konsideron këtë “pozitive”, si dhe do ta studionte dhe t’i përgjigjej pozitivisht

MIQËSIA VJEN NGA AJRI

I djathtë që kërkon strehim politik në shtetin komunist, një mjek grek rrëmben avion udhëtarësh dhe e detyron të ulet në territorin shqiptar, dhe pse të dy shtetet nuk kishin marrëdhënie diplomatike. Ngjarja e rrallë, kaq e dendur në ditët tona, ka ndodhur 42 vjet më parë. Më 16 gusht 1969, në mesditë, në Rinas u ul forcërisht një aeroplan “Dakota” i linjave ajrore civile greke, me shumë udhëtarë grekë. E kishte marrë peng me pistoletë në dorë një mjek ushtarak grek, që ishte bashkë me gruan dhe me të birin. Ai i ktheu destinacionin avionin duke kërcënuar ekuipazhin. Me të mbërritur në Rinas, pengmarrësi u deklaroi autoriteteve shqiptare se kërkonte strehim politik në Shqipëri. Natyrisht, për këtë ngjarje të pazakontë, u njoftua dhe diktatori Enver Hoxha. Ky i fundit dha urdhër që Radio Tirana të transmetonte lajmin për uljen e aeroplanit. Të nesërmen avioni u la i lirë të kthehej përsëri në Greqi. Për doktorin dhe familjen e tij, kreu i shtetit dha urdhër që të merrej në pyetje nga organet përkatëse. Pastaj mjeku dhe familja u larguan në shtetin që kishin zgjedhur, ku do të shkonin. “Ç’ta mbajmë këtu!”, kishte ngritur supet Enver Hoxha, që kishte marrë sinjale nga Athina për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Sigurisht, kjo mënyrë sjelljeje dhe mediatizimi i incidentit sensacional i shtoi pikët Tiranës në sy të opinionit publik dhe autoriteteve greke.

EDHE NGA DETI

Nga ajri në det, një gjest tjetër domethënës miqësor i Shqipërisë ndaj Greqisë, pas 7 muajsh. Athina ka falënderuar qeverinë shqiptare për shpëtimin e jetës së 8 grekëve. Më 19 shkurt 1970, flota luftarake detare shqiptare, pas një sinjali SOS, ka diktuar rënien e zjarrit në një anije tregtare greke që po lundronte në Adriatik, bri brigjeve shqiptare. Menjëherë u ngritën në alarm luftarak mjetet e shpëtimit. Gjithsesi u arrit që të shmangej rreziku i viktimave në ekuipazhin prej 8 vetash. Ata u nxorën në portin e Durrësit dhe iu dha një ndihmë e menjëhershme mjekësore dhe materiale. Ekuipazhi i tronditur ka shprehur mirënjohjen për marinën shqiptare për gatishmërinë, shpejtësinë dhe trajtimin human. Qeveria e Tiranës i kërkoi qeverisë greke të dërgonte t’i merrte sa më parë. Athina falënderoi. Dy vjet më pas, më 5 shtator 1972, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për mbytjen në ujërat territoriale shqiptare të një vapori grek. Mbytja mund të ishte aksidentale, por ndodh që pronarët e tyre i mbytin edhe vetë sepse janë anije të vjetra dhe janë të siguruara. Autoritetet ushtarake u shkuan menjëherë në ndihmë marinarëve grekë.

Diplomacia tregtare

14 vjet para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, qysh në vitin 1957, firma tregtare greke i kanë shkruar Tiranës se donin të bënin tregti me shtetin shqiptar. Këtë e bën të ditur Enver Hoxha më 18 dhjetor 1957, në një intervistë dhënë në Moskë heroit legjendar Manolis Glezos për gazetën “Avgji”, Enver Hoxha ka deklaruar se kishte ardhur koha që marrëdhëniet në mes të RP të Shqipërisë dhe Greqisë të normalizoheshin: “Të dy vendet tona, pavarësisht nga forma e regjimeve të tyre të ndryshme, duhet të rrojnë në fqinjësi të mirë, të vendosin marrëdhënie diplomatike, të fillojnë shkëmbimet tregtare në mes tyre, të krijojnë gjithashtu mundësitë për marrëdhënie kulturore”.

1957, SHESIM E BLEJMË, RRUGA DREJT NORMALIZIMIT

Lideri shqiptar i thotë Glezosit se “ mund dhe duhet të fillojmë me Greqinë shkëmbime tregtare. Unë mund të them se, pavarësisht se ne s’kemi marrëdhënie diplomatike, një gjë e tillë mund të fillojë, ashtu siç ekzistojnë këto marrëdhënie në mes Greqisë dhe vendeve me të cilat ajo s’ka marrëdhënie diplomatike. Unë mund të them se firma tregtare greke na kanë shkruar se duan të bëjnë tregti me ne. Organet tona tregtare u janë përgjigjur pozitivisht. Ne mund t’u shesim grekëve naftë, bitum, krom e shumë sende të tjera industriale dhe të blejmë nga grekët prodhime industriale, blegtorale etj. Sigurisht kontaktet më të ngushta në mes të firmave tregtare do të hapin perspektiva të mira dhe të leverdishme për tregtinë në mes të dy vendeve tona”.

1970, MARRËVESHJA E PARË

Do të kalonin 12 vjet që Athina të shihte mundësinë për marrëdhënie tregtare. Në tetor 1969, Shqipëria ra dakord me propozimin që përfaqësuesi i Greqisë në OKB i bëri Halim Budos për të zhvilluar tregti. Por Enver Hoxha urdhëroi Budon që Athinës t’i vihet në dukje se e rëndësishme është që qeveria greke të heqë vendimin absurd të “gjendjes së luftës me Shqipërinë” dhe të lidhë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Kjo dha fryte Tre muaj e ca më vonë, më 20 janar 1970, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë mori kontakt me përfaqësuesin e Dhomës së Tregtisë Greke në Paris, sipas marrëveshjes që pati Halim Budoja në Nju-Jork me përfaqësuesin grek. Bisedimet shkuan mirë. Greku, Kanelopulos, u tregua “shumë i sjellshëm e miqësor”. Të nesërmen, më 21 janar në Paris, u nënshkrua një marrëveshje mes Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo parashikonte eksporte greke drejt Shqipërisë me vlerë 800 mijë dollarë, kryesisht prodhime industriale dhe lëndë të para, si dhe eksporte shqiptare drejt Greqisë me vlerë rreth 700 mijë dollarë, që përfshinte furnizime me naftë. Marrëveshja zgjaste për një vit, me klauzolën për rinovim nëse deri në tetor 1970 nuk tërhiqej ndonjëra nga palët.

PËRTEJ MALLRAVE

Në muajin shkurt 1970, shtypi grek fliste në mënyrë të ndryshme, sipas rrymave politike që përfaqësonin, për marrëveshjen e shkëmbimeve tregtare në mes Dhomës së Tregtisë Greke me atë shqiptare. Të parët ishin grekët që e kërkuan këtë marrëveshje dhe shqiptarët nuk e refuzuan. Sigurisht diçka lëvizte në Greqi, që kërkonin të bënin tregti me Shqipërinë. Tregtia nuk ishte kryesorja, as për grekët, as për shqiptarët. Në datën 11 shkurt, gazeta qeveritare greke e Juntës “Eleftheros kosmos”, mes të tjerash, shkruante për çështjet e marrëdhënieve me Shqipërinë. Pasi flet për marrëveshjen tregtare në fjalë, gazeta jep arsye të ndryshme që, sipas saj, flasin në favor “të domosdoshmërisë për ta konsideruar Shqipërinë ashtu siç është… Shqipëria nuk është nën ndikimin e asnjë vendi ballkanik ose evropian që mund të përdoret kundër nesh”. Lidhur me të ashtuquajturat rivendikime tokësore, gazeta shkruante se “Greqia nuk e ngre këtë çështje, por nuk e ka lënë atë pas dore dhe ka të drejtë t’i kërkojë Tiranës që të marrë masa të efektshme mbrojtëse për grekët që banojnë atje”.

NGA DHOMAT NË QEVERI

Me porosi të Enver Hoxhës, gazeta “Bashkimi” e 17 shkurtit 1970 botoi artikullin me titull “Një marrëveshje tregtare në dobinë reciproke të popujve shqiptar e grek”, shkrim i shkurtër dhe jopolemik. Ishte koment konciz për shkëmbimet tregtare me idenë se marrëveshja ishte një veprim i arsyeshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dy popujt. Dhe nga niveli i Dhomave të Tregtisë u kalua në nivel dikasterial. Më 2 qershor 1970 u nënshkrua në Athinë një marrëveshje për shkëmbime tregtare midis Greqisë dhe Shqipërisë, i pari kontakt zyrtar mes dy vendeve në mbi 30 vjet. Marrëveshja u nënshkrua në fund të një vizite 12-ditore që bëri në Greqi një delegacion tregtar shqiptar. Kjo marrëveshje që parashikonte porosi deri në 300 mijë dollarë nga secila palë. “Parathënie” për aktin historik të majit 1971.

Kronika e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike

– Më 25 mars 1966, Qeveria greke, me anë të ambasadorit të saj në Rumani, kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.

– Më 27 mars 1966, lajmërohet përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Halim Budo, të merrej me propozimin e qeverisë greke për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.

– Më 8 janar 1971, përfaqësuesi shqiptar në OKB, Sami Baholli, që pasoi Halim Budon. pati një takim tjetër me përfaqësuesin e Greqisë në këtë organizatë, Bicios. Në vazhdim të propozimit të këtij të fundit, i komunikoi se Qeveria Shqiptare, si kurdoherë, është e gatshme të vendosë marrëdhënie diplomatike me Greqinë, të cilat, sipas mendimit shqiptar, të jenë në rang ambasadash dhe të shkëmbehen ambasadorë. Bicios iu përgjigj se do t’ia komunikonte menjëherë qeverisë së tij këtë propozim të Qeverisë Shqiptare. Ai shtoi se qeveria greke “ka konstatuar me kënaqësi se minoriteti grek në Shqipëri ruan dhe zhvillon gjuhën e tij amtare (greke) dhe e mëson atë edhe në shkolla. Po do të ishte mirë, dhe kjo do ta ndihmonte qeverinë greke në veprimet e saj, në rast se Qeveria Shqiptare bën një deklaratë me anë të së cilës të shpallë se i lejon minoritarët të ushtrojnë edhe fenë ortodokse”.

Më 25 mars 1971, Qeveria greke, nëpërmjet përfaqësuesit të saj të përhershëm në OKB, Bicios, i komunikoi Sami Bahollit formulën e vet për lidhjet diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Ja teksti:

“Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe qeveria mbretërore e Greqisë, duke dëshiruar të normalizojnë gjendjen që ekziston tani midis dy vendeve dhe të përgatitin terrenin për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre, ranë dakord që të vendosin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe të këmbejnë përfaqësues diplomatikë në rang ambasadorësh”.

– Më 2 prill 1971, u porosit Sami Baholli të mos i bënte asnjë lëshim përfaqësuesit grek në OKB, Bicios. Grekët do ta pranonin propozimin dhe formulimin shqiptar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

– Më 29 prill 1971, Qeveria greke pranoi të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Njoftimi për këtë do të bëhej respektivisht në Tiranë dhe në Athinë në datën 6 maj, ora 16. Këtë e komunikoi përfaqësuesi grek në OKB, Bicios.

– Më 6 maj 1971, në Tiranë dhe në Athinë u shpall njëkohësisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë.

– Më 14 maj 1971, u botua në gazetën “Zëri i popullit” artikulli me titull “Një ngjarje e shënuar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë”. për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, i shkurtër, konciz, politik, pa hyrë as në hollësitë e mosmarrëveshjeve, autori i të cilave ka qenë vetë pala greke dhe as të procedurave që çuan në përfundimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Greqisë.

– Më 23 maj 1971, Ministria e Jashtme shpejtoi kthimin e Lik Seitit nga Beogradi, se duhej të përgatitej për në Athinë, ku ishte caktuar ambasador.

“Deklasifikimi”. Hrushovi: Nëndetëse në Butrint kundër Greqisë e NATO-s

Hrushovi dhe Enver Hoxha gjatë vizitës në Butrint, maj 1959. Para ardhjes së Hrushovit, u helmuan gjarpërinjtë. Mareshali Malinovski, ministri i Mbrojtjes i BS, i tha Hrushovit në Butrint: “Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mrekullueshme nëndetësesh e atëherë edhe Greqia do të bëhej jona”.

Një detaj fjalimi që hyn në histori dhe letërsi, Enver Hoxha zbulon pas 13 vjetësh idenë sovjetike për bazë nëndetësesh në Butrint e atëherë edhe Greqia do të bëhej ruse. “Deklasifikimi” i faktit në një mbledhje publike, ku u citua nga shtypi ndërkombëtar dhe ai grek, i shërbeu edhe Ismail Kadaresë në romanin “Dimri i madh”. Çka ka treguar Hoxha para vlonjatëve ditën e përkujtimit të Pavarësisë, ka hyrë dhe në studimet e sotme historike amerikane, ruse etj, duke shërbyer dhe si burim dokumentar. Njëkohësisht deklarimi ishte dhe një hakmarrje ndaj marrëveshjes Hrushov-Sofokli Venizellos. Ishte mesazh domethënës për Greqinë e Kolonelëve dhe NATO-n

NË KURRIZ TË SHQIPËRISË

Sipas radios amerikane “Evropa e Lirë”, lideri liberal grek, Sofokli Venizellos, kishte takuar Hrushovin në fund të muajit maj 1960 dhe i kishte paraqitur, ndër të tjera, çështjen e popullsisë greke në Epirin e Veriut. Venizellosi tha se Hrushovi i kishte premtuar ta trajtonte çështjen e autonomisë së zonës në Shqipëri kur të takonte Emver Hoxhën në Bukuresht. Hoxha mund të jetë zemëruar nga ky lajm. Kombinuar me përkëdheljet ndaj Jugosllavisë, Hrushovi tani po forconte miqësinë me grekët – të gjitha në kurriz të Shqipërisë. Këto konsiderata shumë të rëndësishme kombëtare kurrë nuk mund t’ua heqësh nga mendja ndonjë udhëheqësi shqiptar. Në rastin e Hoxhës ato janë një nga shkaqet kryesore të kundërshtimit të tij ndaj politikës së Hrushovit. Ishte hipokrizi ndaj Greqisë, pasi një vit më parë, gjatë vizitës në Shqipëri, kishte kërcënuar me raketa Greqinë dhe planifikonte të ndërtonte bazë nëndetësesh.

MALINOVSKI

Dhe ja tani i erdhi rasti t’ia kthente Hrushovit hipokrizinë, si me shqiptarët ashtu dhe me grekët. Më 28 nëntor 1972, Enver Hoxha, në fjalën e mbajtur në pritjen e dhënë në qytetin e Vlorës me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 28-vjetorit të Çlirimit, tregoi mes të tjerash: “… kjo Vlorë heroike pa edhe Hrushovin (maj 1959). Kur ky renegat i marksizëm-leninizmit u gjend përpara gjirit të mrekullueshëm të Vlorës, u mahnit dhe në një rast dëgjova bashkëpunëtorin e tij Malinovski (mareshal, ministër i Mbrojtjes i BRSS – M. B.) që i pëshpëriste: “E kupton, Nikita Sergejeviç? Me raketat nga Berlini dhe Gjermania Lindore ne tani mund të godasim Gjibraltarin, kurse nga gjiri i Vlorës kemi në grusht gjithë Mesdheun”. Në grusht ata patën erën, pasi Partia dhe Qeveria jonë ua shkatërruan planet. Kurrë Vlora nuk do të gjendet në duart e të huajve. Po ky Malinovski i tha përsëri Hrushovit në Butrint: “Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mrekullueshme nëndetësesh e atëherë edhe Greqia do të bëhej jona”. Më shkuan dridhma në trup dhe m’u kujtua ajo natë e errët në Tiranë, ku tok me Vasil Shanton shkruam në mure parullat “Poshtë fashizmi italian! Rroftë populli vëlla grek që lufton për liri!”. Jo, Partia dhe Qeveria jonë nuk do të lejonin kurrë që nga vendi i ullinjve t’i vinte e keqja popullit vëlla grek”!

SHTYPI GREK

Ndërkaq Enver Hoxha është nxehur me dikasterin e diplomacisë, më 23 janar 1973: “për sa i përket thellimit mbi fjalimin tim, kolegjiumi i ministrisë (së Jashtme) këtë as që e ka bërë çështje”.

Kurse shtypi grek, në përgjithësi, i ka bërë jehonë të madhe dhe pozitive atyre që kishte thënë Hoxha për Greqinë, në fjalimin e Vlorës. Ai i ka quajtur deklaratat e Hoxhës si një siguri nga ana shqiptare që asgjë e keqe nuk do t’i vijë popullit grek nga Tirana. Ato gazeta që përpara shanin flisnin ndryshe, shkruanin për gjendjen ekonomike, politike dhe turistike herë mirë, herë çka. Sidoqoftë, opinioni grek ka filluar të dëgjojë kështu një kambanë tjetër për ne dhe kjo është pozitive

Heqja e gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë

Më 3 shator 1987 radio amerikane Evropa e Lirë/ Liria përgatitën studimin “Heqja e gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë (Lifting of the greek-albanian state of war)” nga Louis Zanga. Po botojmë disa fragmente.

PËRMBLEDHJE

“Gjendja e luftës”, që ka ekzistuar mes Greqisë dhe Shqipërisë që nga viti 1940 më në fund u shfuqizua nga një akt i qeverisë greke. Ky formalitet tani hap rrugën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve fqinje, proces që filloi në vitin 1971 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës.

Vendimi i Athinës për t’i dhënë fund de jure “gjendjes së luftës” së saj me Shqipërinë është pengesë e fundit në rrugën e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Vendimi është sukses i madh për diplomacinë shqiptare dhe hap i rëndësishëm në hapjen e Tiranës nga periudha e gjatë e vetizolimit të saj. Gjendja e luftës midis dy vendeve ishte anakronizëm nga Lufta e Dytë Botërore dhe ishte simbolike duke qenë se të dy palët rivendosën marrëdhënie diplomatike më 1971 dhe kanë përmirësuar shumë marrëdhëniet në përgjithësi, veçanërisht vitet e fundit. Megjithatë, hapi i ndërmarrë nga qeveria greke është vendim i rëndësishëm që tashmë është mirëpritur nga të dyja palët.

NJË FAQE E RE

Një faqe e re në marrëdhëniet greko-shqiptar mund të jetë kthyer me heqjen e gjendjes së luftës. Për disa vjet ka qenë evident një përmirësim i qëndrueshëm në marrëdhëniet. Ky përmirësim ka përfshirë tregtinë, bashkëpunimin në bujqësi, arsim, kulturë, turizëm, si dhe kontaktet mes zyrtarëve të lartë qeveritarë. Tashmë është përshëndetur si zhvillim i ri i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës një vizitë pesë-ditore në Greqi, e zëvendësministrit shqiptar të punëve të jashtme Sokrat Plaka, vizitë që nis më 4 shtator.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU