“Shqiptari’ i Ndriçim Kullës

Ndriçim Kulla di t’i shtjellojë të gjitha tezat e veta duke përdorur të gjithë punën dhe kërkimin e tij me mendimtarët shqiptarë të viteve ‘30 në këtë Vështrim historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik mbi kombin shqiptar, ku ai na shkruan qartë për çkado që mendon dhe logjikon me një sintezë të kujdesshme për shqiptarin. ..

“Shqiptari” nën optikën e Ndriçim Kullës

Prej pak kohësh për publikun shqiptar është duke qarkulluar libri i ri i publicistit Ndriçim Kulla me argumentin, që lidhet me karakterizimin e individit shqiptar.

I angazhuar prej vitesh me përkushtim në mendimin filozofik-politik-sociologjik të mendimtarëve shqiptarëve të para Luftës së Madhe, ai na ka dhënë një vështrim interesant të argumentit historik-sociologjik-psikologjik sa i përket karakterit të homos albanicus. Falë një kërkimi të gjatë, që justifikohet dhe me punën e tij të madhe të bërë në lëmin e zbulimit të  mendimtarëve vendas dhe të huaj (në më të shumën me objekt albanologjinë), ai ka përcjell edhe vështrimin e tij. Duhet thënë se ka anuar disi nga aspekti historik dhe njohës, kjo edhe si rezultat i angazhimit të madh personal që bën prej vitesh sa i përket studimeve të personaliteteve që janë marrë me shqiptarët.

Duhet të theksojmë se na ka kaluar mirë në një grup temash, që fillojnë me raportin e shqiptarëve me të shkuarën; rëndësinë e krahasimit në përgjigjen e pyetjes : Cilët jemi ne shqiptarët”; Karakterin e njeriut shqiptar; vetitë e këqia të karakterit të shqiptarëve; kafenenë shqiptare si shkollë e formimit të karakterit të keq të shqiptarëve; individualizmin destruktiv, vetitë të mira dhe të këqija të shqiptarëve; harmonizimin fetar, por edhe atë që ka përbërë përpjekjen e vetë Kullës në vitet e fundit tezën se: “Kush jemi ne shqiptarët? që na çon nga Mendimi Shqiptar te Filozofia e sotme e jetës shqiptare.

Interesant është teza e tij që hedh se shqiptarët kanë një individualizëm tejet të skajshëm që është bërë edhe shkak për shumë konflikte mes vete, “por që në kohën e duhur ka pasur një rol pozitiv në bashkimin e tyre. Dhe, kuptimi është i lehtë: ky individualizëm i skajshëm ka pasur rol për t’i bashkuar në momentin kur gjendeshin para një rreziku të pushtimit të huaj, të rëndë dhe të padurueshëm që  iu kufizonte liritë e tyre individuale primitive”, thotë për lexuesin e vet.

Dhe, teza tjetër që është sërish interesante lidhet me faktin se shqiptarët kanë nevojë për të shndërruar individualizmin fisnor në një individualizëm të vërtetë shoqëror dhe që nuk arrijnë ende ta bëjnë dot. Një citim i këndshëm i Branko Merxhanit i shkon së tepërmi faktit që shpjegon më poshtë. “Sot e kësaj dite shqiptarët nuk e kuptojnë edhe sot tetë dekada pasi Branko Merxhani e ka shkruar këtë fjali”.

Në një lexim të kujdesshëm që i ushtrohet librit mund të kuptosh se në këtë analizë që bën mund të gjesh mësime, tepër konstatime, e më së shumti faktin se libri ka karakter dhe shumë edukues. Kjo bëhet kur ai vendos direkt gishtin në plagët shoqërore dhe flet realisht:

“Kur shqiptarët mblidhen në turma të tilla destruktive, sigurisht që ka disa nxitës, disa organizatorë, dhe të tillë janë ata që i përkasin asaj që është bërthama e turmës, sipas tezës së Canneti-t. Por sidoqoftë të bën përshtypje fakti se me sa lehtësi shqiptarët iu bashkohen turmave të tilla destruktive, të cilat pastaj shpërndahen, po aq në mënyrë të papritur se ç’janë mbledhur, pasi kanë lënë pas rrënime të mëdha. Në njëfarë mënyre edhe këtu shqiptarët shprehin individualizmin e tyre destruktiv dhe papjekurinë e tyre si individë shoqërorë”.

Një shikim interesant është mospërfillja  dhe refuzimi i shqiptarit ndaj ligjit. Te kjo e fundit ke sërish një tezë shumë interesante se shqiptarët kundërshtinë ndaj shtetit e kanë pasur qysh shumë kohë më parë, nga pasojat e perandorisë osmane, e cila shpesh i rëndonte me angari.

Por vallë a është e arsyeshme që edhe pas plot 103 vjetësh ekzistence, si shtet i pavarur, ne të mendojmë sërish se mbetemi kaq kaotikë. Arsyetimi komplikohet sërish dhe kjo vjen prej vetë kastës intelektuale të shqiptarëve që duke dashur të tregojnë një përmasë tjetër e kanë tepruar në të dy anët: qoftë me anët e mira të cilat i kanë trajtuar me panegjirizëm për të huajt por edhe anën e këqija që i servirin për vendasit. Në fakt stereotipi për shqiptarët duket se është krijuar qysh para krijimit të shtetit shqiptar. Kurse vëzhgimet episodike së të huajve janë bërë bazë për shikime të shqiptarëve.

Në këtë vazhdë shkojmë sërish te autori që thotë se cilët ishin vetitë më të mira të shqiptarëve, e mbi të gjitha mbetet idealizmi: “Akoma dhe sot ideali nuk mund të shënohet në vetitë e mira të shqiptarëve.”

Është reale se një nga vetitë e mira është besa kurse pastaj vjen mikpritja, por autori na vë përballë një kapitull shumë interesant sa i përket shoqërisë në përballje me to. Anipse edhe këtu dominon shtjellimi i pasojave që lindin nga interesi vetjak, apo si thotë ai shqiptari: “ishte mësuar historikisht që edhe kur ndërmerrte veprime të përbashkëta me njerëz të fiseve të tjera, të bajraqeve të tjerë, apo të krahinës së tij, jashtë fshatit, apo lagjes së qytetit, me njerëz të krahinave të tjerë, ta bënte këtë për të shmangur një të keqe që prekte drejtpërdrejt familjen, fisin, fshatin, mëhallën, atë vetë si pjesëtar të tyre”.

Duhet të theksojmë se një kah i pamundur për njohjen e shqiptarëve ka të bëjë edhe me faktin se një pjesë e literaturës u shkrua nga studiues të huaj që i drejtoheshin realisht lexuesve shumë të kultivuar, të cilët kishin njohuri specifike por që edhe kishin interesa të gjera për arkeologjinë, gjuhësinë, të drejtën zakonore, etnografinë, dhe pothuaj të gjithë literaturën…

Ndriçim Kulla di t’i shtjellojë të gjitha tezat e veta duke përdorur të gjithë punën e tij në këtë Vështrim historik, kulturor, sociologjik dhe psikologjik mbi kombin shqiptar, ku ai na shkruan qartë por edhe pa u ndalur për çkado që mendon dhe logjikon me një sintezë të kujdesshme.

Po cilët jemi ne vallë?! Jemi një popull vërtetë i kontrasteve, e përfundon ai. Këto kontraste ekzistojnë edhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar, por individualistë, bujarë, por vuajmë nga kotësia, mikpritës, por edhe hakmarrës, e mbajmë fjalën, por jemi dhe dyshues…Këta jemi ne dhe për këtë jemi realisht krenarë.    b.an

Titulli: Kush jemi ne shqiptarët

Autor: Ndriçim Kulla

Botues: Plejad

Gjinia: Esse filozofike-sociologjike

Çmimi 1.000Lek

Faqe: 374

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU