Shqiptarët festojnë ndërrimin e viteve, vërshojnë në sheshe nga Tirana në Preshevë

Miliona shqiptarë kanë festuar mesnatën e 31 dhjetorit ndërrimin e viteve ndërsa shumica e tyre kanë vërshuar sheshet, jo vetëm të trevave shqipfolëse, por edhe ne diasporë.

Siç është edhe tradita dhjetëra vjeçare, shqiptarët e kanë pritur vitin e ri 2016 mes miqsh e familjarësh pranë tryezës së mbushur plot e përplot për të trokitur gotat dhe për të uruar një vit të mbarë dhe të shëndetshëm.

Kremtimin e kësaj feste tradicionale shqiptarët kanë preferuar ta kalojnë në shtëpitë e tyre, por ka pasur edhe një numër të vogël që festën e ndërrimit të viteve e kanë kaluar jashtë shtëpisë, në bare dhe restorante, ku edhe kanë prenotuar, apo edhe jashtë vendit.

Ndërkohë, në secilin qytet ku ata ndodhen kanë shijuar spektaklin e fishekzjarrëve dhe aktivitete të tjera lokale të organizuara me rastin e ndërrimit te viteve.

Sonte, qindra-mijëra bashkëkombas nga Tirana, Prishtina, Shkupi dhe Lugina e Preshevës u janë drejtuar shesheve kryesore për të festuar në një atmosferë të ngrohtë nën tingujt e muzikës vendase.

Tirana ka qenë ajo që ka hapur siparin e festimeve të botës shqiptare, me aktivitete të organizuara nga Bashkia Tiranë e që kanë nisur që në orën 20:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’, ndërkohë që edhe Komuna e Prishtinës ka pasur axhendën e saj për të mbledhur qytetarët.

Viti 2016 pritet të sjellë një sërë zhvillimesh në shoqërinë shqiptare, zhvillime dhe ngjarje këto që janë të lidhura ngushtë me proceset social-politike. Ndërsa Shqipëria pret reformën në Drejtësi me ‘bekimin’ e faktorit ndërkombëtar, Kosova është e vendosur për të përfituar gjatë vitit 2016 liberalizimin e vizave.

fishekzjarr

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU